Albspirit

Media/News/Publishing

I tmerruar nga projekti i Himarës me pronësi mafioze

Nikollaq Neranxi*

Kam parë projektin për Himarën, nga Spileja në Potam rrafshim dhe grabitje totale e pronave tona!

Të dashur miq! Meqë Bashkia e Himarës, nuk na e tregoi projektin e ri për qytetin tonë, për të cilin kishim mësuar pak detaje në rrugë jo zyrtare, personalisht kam kërkuar me ngulm që ta shikoj këtë projekt, ku do vendoset fati i shtëpisë sime dhe i bashkëqytetarëve të mi.

Dje kam shkuar personalisht ne zyren e projektimit Papajani në Tiranë, e cila ka projektin se si do bëhet Himara. Ajo që kam parë është tronditëse!

Nga Varfajt në Spile deri tek Gorajt në Potam, Himara do të rrafshohet e gjitha, për tu ndërtuar nga e para me resorte e vila, të cilat do të jetë pronë e mafias, por e asnjë himarioti.

I tmerruar, pyeta se si ka mundësi që kanë pranuar të bëjnë një projekt të tillë, ndërsa ata mu përgjigjën se janë thjesht zbatues të urdhrave të pushtetit vendor dhe qendror prej te cileve paguhen.

I revoluar iu thashë se aty nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje, sepse himariotët nuk i kanë marrë akoma certifikatat e pronësisë, ndërsa ata më pohuan se këta pushta pushtetarë, i kanë pohuar se ato janë toka shtetërore, sepse banorët nuk kanë certifikata pronësie.

Edhe në Porto Palermo, ku nuk janë dhënë akoma certifikatat e pronësisë, grabitja është vetëm cështje kohe, thjesht nuk kanë gjetur akoma investitorë.

Në tavolinën e studios Papajani, ata kishin 500 firma të banorëve, ku ne në fakt kemi firmosur për prezencën në dëgjesat publike që kemi bërë, ndërkohë ata kanë falsifikuar cdo gjë dhe e paraqesin si dokument sipas të cilit himariotët janë dakord me projektin, dokument ky i “kopsitur” nga Bashkia e Himarës!

Vetëm një i cmendur mund të firmosë dhe të jetë dakord që t’i grabitet prona dhe të përzihet nga vendi i tij! Kjo është e vërteta qe ju mbahet e fshehur himariotë, kjo është arsyeja që nuk na sqarojnë për asgjë. Himara pas shtatorit do të zhduket nga harta! Jo vetëm kaq, por kam bindjen se me Himarën janë bërë pazare të pista, për të cilat do kemi kohë të flasim.

Prandaj ju ftoj të gjithëve në protestën e 14 gushtit, në orën 19 në Spile. Vetëm duke treguar që jemi të bashkuar dhe të vendosur, mund ta shpëtojmë Himarën.

Vetëm duke ardhur aty, do vertetoni se ato firma nuk i keni hedhur për t’i vënë rruspën shtëpisë tuaj! Në miting do ju tregojmë se si e kemi menduar zgjidhjen.

Studiot ligjore po përgatisin dokumentacionin për të hedhur në gjyq të gjithë përgjegjësit e këtij plani ogurzi.

Kini besim, sepse reforma në drejtësi do ta bëjë të mundur që ne ta fitojmë këtë beteje. Por si fillim duhet t’ju tregojmë se jemi të gjithë bashkë dhe jo të percarë.

Ju pres të gjithëve në protestë! Ka shpresë për Himarën! Himara është e jona dhe nuk do ja lëmë hajdutëve të na e marrin!

*Drejtor Ekzekutiv i Komunitetit Himariot

Please follow and like us: