Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Fan Noli dhe dy fakte nga jeta e tij

Fan Noli është ndër figurat më të njohura të politikës shqiptare. Ka qenë deputet, ministër, kryeministër dhe shef misioni. Po ashtu ishte nismëtari i procesit të autoqefalisë të Kishës Ortodokse Shqiptare. Jeta e tij ka pasur suksese dhe dështime. Megjithatë, gabimet më të mëdha të jetës së tij si: grushti i shtetit i vitit 1924, kryesimi i KONARE-se në emigrim në vitet 1925-1931 dhe përkrahja ndaj qeverisë komuniste të Enver Hoxhës në vitin 1945, janë pranuar nga vetë Fan Noli. Nuk ka asnjë kuptim që të tjerët të vlerësojnë si merita pikërisht gjërat për të cilat Fan Noli është shprehur qartë me kohë se ka gabuar. Sot nuk po zgjatem shumë, por po vë në dukje dy fakte: kundërshtinë e parë të Nolit ndaj qeverisë komuniste të Enver Hoxhës dhe vënien e tij në ndjekje nga Sigurimi i Shtetit.
Kur Shqipërisë së sapodalë nga lufta i nevojitej ndihma, Fan Noli i shkruante zyrtarëve amerikanë:
“Në emër të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dëshiroj t’ju falënderoj për dorë-hapjen të dhuratës me ushqime për popullin e Shqipërisë që vdesin prej urie. Kjo dhuratë do të jetë e mirënjohur prej gjithë shqiptarëve që dinë se Amerika duke dashuruar për liri ka qenë gjithnjë edhe akoma i qëndron miku më
i mirë i tyre”.
Marrëdhëniet e Nolit me qeverinë komuniste u ftohën sapo kjo e fundit keqësoi raportet me SHBA-në gusht 1946.
Noli mësoi me dëshpërim se Shqipëria e drejtuar nga një aventurier si Enver Hoxha prishi marrëdhëniet dhe më pas refuzoi ndihmën e SHBA-së. Brenda një letre ku ishte një kryq i vizatuar, Noli shkruajti me të shpejtë: Shqipëria refuzoi ndihmën e Amerikës. Ndjeji o Zot, se s’dinë se ç’bëjnë”.
Që prej datës 3.11.1957 Fan Noli ndiqej prej Sigurimit të Shtetit (Zbulimi Politik). Nuk ka rëndësi fakti se aftësia për ta ndjekur e Sigurimit ishte zero, sesa konsiderimi i tij armik i pushtetit. Në dokumentin përkatës të çeljes së ndjekjes thuhej:
“Mbas çlirimit të Shqipërisë, shkruante mirë për pushtetin tonë popullor, ndërsa qëndrimi kohët e fundit ka qenë i lëkundur dhe është mbështetës kryesor i agjentët të zbulimit amerikan, Qerim Panariti, i cili nën udhëzimet e amerikanëve ka shfrytëzuar dhe shfrytëzon gazetën “Dielli” duke shkruar artikuj me përmbajtje reaksionare dhe shpif kundra qeverisë dhe regjimit të demokracisë popullore në vendin tonë”.
Fan Noli i është dashur si emër regjimit komunist për ta përdorur si personinkryesor te kundërshtarët e Ahmet Zogut. Fan Noli e kishte gjetur qysh prej vitit 1934 pajtimin me Ahmet Zogun. Armiqësinë e Nolit dhe Zogun e mbajtën ndezur vetëm historianët, si dhe produktet e nënproduktet enveriste.

Please follow and like us: