Kundërshtohet propozimi i Kinës për kufizim të sigurisë kibernetike
Një koalicion i bizneseve nga SHBA-të, Evropa dhe Azia i kanë bërë thirrje Kinës që t’i braktisë rregullat e reja të propozuara për sigurinë kibernetike, duke thënë se kjo iniciativë për të kufizuar sigurinë në teknologji do të bënte më të lehtë vjedhjen e të dhënave dhe do të shkelte rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Një letër, që i është dërguar kryeministrit kinez Li Keqiang këtë javë nga koalicioni i 46 grupeve ndërkombëtare të biznesit, thotë se rregullat e propozuara “nëse zbatohen, do ta dobësonin sigurinë dhe do ta ndanin Kinën nga ekonomia digjitale globale”.
Ligji për siguri kibernetike, i propozuar nga Kina, dhe rregulla të tjera të kompanive të sigurimeve do të kërkonin nga ofruesit e teknologjisë që t’u tregojnë autoriteteve se si funksionojnë produktet e tyre.
Atyre gjithashtu do t’u kërkohej që t’u ruajnë informatat për qytetarët kinezë brenda vendit.
Zyrtarët kinezë thonë se kanë nevojë për kontroll, për të parandaluar terrorizmin dhe aktivitetet kundër qeveritare.
Por, kompanitë e huaja thonë se kufizimet e propozuara nga Pekini rreth përdorimit të sigurisë në teknologjinë e huaj gjithashtu kanë për qëllim mbrojtjen e kompanive kineze nga konkurrenca.