Përplasjet e Erdogan me Europën
Turqia dhe Europa. Shumë fronte të hapura dhe pak shpresa. Marrëdhënie e vështirë, plot dyshime, armiqësore nga të dyja palët. Një marrëdhënie që në fund të fundit, nuk nisi kurrë, pas pranimit historik në vitin 2005, të ANkarasë, si vend kandidat për hyrje në Bashkimin Europian. Por atëherë ishte një tjetër Europë. Por edhe një tjetër Turqi, që në krahasim me premtimet, nuk ka zgjidhur një seri nyjesh, të cilat e vendosin në rrugën e përplasjes tashmë jo vetëm me BE, por me Perëndimin. Më poshtë janë ato më urgjentet.
Liberalizimi i vizave
Ndoshta është problemi më i madh që përvijohet: Në ditët e fundit, Ankaraja është rikthyer duke përplasur grushtin mbi tavolinë me BE-në: ose të liberalizohen vizat e hyrjes deri në vjeshtë, ose marrëveshja e firmosur për imigrantët do të “griset”. Pozicion i shprehur pak ditë më parë nga ministri turk për çështjet europiane, Mevlut Cavusoglu, në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung. “Nëse deri në fillimin apo mesin e tetorit nuk do të ketë liberalizim të vizavem do të jemi të detyruar të distancohemi nga marrëveshja”. Deklarata që pasojnë ato të Erdoganit.
Çështja e migrantëve
Marrëvshja e arritur në pranverë, mes Brukselit dhe Ankarasë duket se po lëkundet. Deri tani, sipas vlerësimeve, migrantët e parregullt janë kontrolluar mjaftueshëm prej Ankarasë, që ka penguar një fluks të përgjithshëm njerëzish drejt perëndimit. Po kështu, Turqia ka pritur në kufirin e saj më shumë se 3 milionë refugjatë sirianë, dhe marrëveshja me BE ka vendosur një kompensim në ndihma prej 6 miliardë Eurosh. Erdogani ankohet se vetëm një pjesë e vogël është derdhur tashmë. Dhe është në gjendje të vendosë si të rregullojë fluksin e migrantëve që shtyjnë në dyert e Europës. Në Bruksel ka nga ata që hedhin hipotezën e një plani B, për t’ia hequr problemin (dhe paratë) Ankarasë, dhe për t’ia ngarkuar Athinës. Një hap që do ta zemëronte Erdoganin.
Lufta në Siri
Për më shumë se tre vite, qeveria konservatore me frymëzim fetar, në pushtet në Ankara prej vitit 2002, ka mbyllur njërin sy para kalimit – në territorin e saj – të xhihadistëve që donin t’i bashkoheshin Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Qëllimi i Erdoganit ishte që të siguronte rrëzimin e Assadit, ish miku i tij politik dhe personal. Vetëm kur presidenti amerikan, Barack Obama “trashi zërin”, në viti 2015, Erdogani nisi të bombardojë ndjekësit e Al Baghdadit në Siri, por duke vënë mbi të gjitha në shënjestër luftëtarët kurdë, që nga ana e tyre i luftojnë terroristët (dhe që zhvillojnë edhe një luftë ndaj militantëve turq në juglindje të Anadollit). Ankaraja i konsideron rebelët kurdë si terroristë, por koalicioni ndërkombëtar i ka aleatë në luftën kundër ISIS.
Baza e Incirlik
Në jug të Turqisë ndodhet një prej infrastrukturave ushtarake më të rëndësishme të NATO-s. Baza e Incirlikut përfaqëson një bastion të perëndimit, për të frenuar rreziqet që një herë e një kohë vinin nga Bashkimin Sovjetik dhe sot nga Lindja e Mesme. Këtu Turqia ka të paktën 50 raketa bërthamore. Ankaraja ka adoptuar një politikë gjithnjë e më provokuese në bazën ushtarake – prej ku nisen avionët që bombardojnë në Siri – dhe instalimi mbyllet e hapet sipas dëshirës. Kohët e fundit, Shefi i Shtabit amerikan, gjenerali Dunford, shkoi të bisedojë më Kryeministrin turk, Yildirim, për këtë temë.
Përqafimi i Putinit
Rusia dhe Turqia i kishin prishur marrëdhëniet pas rrëzimit në nëntor të një avioni rus, Sukhoi, që për 17 sekonda kishte hyrë në hapësirën ajrore turke. Moska reagoi duke mos dërguar as edhe një turist në brigjet e Turqisë, duke kontribuar kështu për gjunjëzimin e sezonit veror në vend, që edhe kështu ishte dobësuar prej sulmeve dhe atentateve. Më pas, Erdogani i shkroi një letër zëdhënësit të Putinit, dhe rinovimi i marrëdhënieve do të vuloset sot, në takimin e Shën Petërsburgut. Një takim që mund të shënojë një pakt të ri Moskë-Ankara, antieuropian dhe antiperëndimor, duke krijuar kështu një bosht të paprecedentë. /La Repubblica