Albspirit

Media/News/Publishing

Porositë e Biden për rajonin

Albert Ahmeti

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës që do ta zhvillojë javën e ardhshme në Prishtinë, do t’i takojë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Isa Mustafa, por jo edhe liderët e partive opozitare. Temë e këtyre takimeve pritet të jenë: luftimi i korrupsionit dhe terrorizmit, stabiliteti rajonal, dialogu me Serbinë, si dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në fillim të javës së ardhshme do ta vizitojë Kosovën, me ç’rast pritet të takohet me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Isa Mustafa, por jo edhe me liderët e partive opozitare. Temat e këtyre takimeve pritet të jenë: shtetndërtimi i Kosovës, stabiliteti rajonal, dialogu me Serbinë, lufta kundër terrorizmit dhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, nga 15 deri më 17 gusht 2016 do të qëndrojë në Kosovë dhe në Serbi dhe se do të takohet me presidentët dhe kryeministrat e të dy vendeve, por nuk janë dhënë hollësi se cilat janë çështjet që do të diskutohen.
Por për temat që do të diskutohen në këto takime duke se nuk janë të informuara as Zyra e presidentit dhe as Qeveria e Kosovës.

Artan Behrami nga Zyra e Presidentit të Kosovës ka thënë për “Zërin” se në ditët në vijim Ambasada e ShBA-së në Prishtinë do të japë detajet për takimin e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, me presidentin e vendit, Hashim Thaçi. “Ambasada sigurisht në ditët në vijim do të japë informata për vizitën e Biden-it në Kosovë. Vetëm atëherë mund të flasim për temat e takimit”, ka deklaruar Behrami.

Edhe nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se presin që Ambasada e ShBA-së të njoftojë për takimin e zëvendëspresidentit amerikan me kryeministrin, Isa Mustafa. Gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje edhe Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë në lidhje me vizitën e numrit dy të SHBA-ve, përkatësisht për takimet që do t’i ketë Biden dhe temat që do të diskutohen, por ata nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë subjektet opozitare nuk kanë thënë nëse Biden do të takohet me krerët e këtyre subjekteve. Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie, ka thënë se nuk kanë informata nëse zëvendëspresidenti amerikan do të takojë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. “Nuk kam informata ende”, ka thënë Nitaj. Kurse, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe “Nisma për Kosovën” nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Montgomery: Stabiliteti rajonal, dialogu dhe terrorizmi, temat e takimeve

Ish-ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kroaci e Serbi, William Dale Montgomery, ka thënë për mediet rajonale se temat për të cilat do të flasë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, takimet me krerët shtetërorë në Kosovë e Serbi janë: stabiliteti rajonal, terrorizimi dhe dialogu Kosovës – Serbisë.

“Unë pres që Biden do të bëjë përpjeke për të nxjerrë përparime të mëtejshme në drejtim të Marrëveshjes së Brukselit… Tema e dialogut të jetë një pikë e rëndësishme e vizitës së Biden, por edhe tema të lidhura me terrorizimin global do të fliten”, ka thënë Montgomery për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Ai gjithashtu ka thënë se Biden është njeriu kryesor në administratën e Presidentit Barack Obama, për çështje të Ballkanit.

Sipas tij, “Ballkani mbart një hark të paqëndrueshmërisë që përfshin Maqedoninë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë”, prandaj Montgomery thotë se Biden tenton të luajë një rol konstruktiv me përpjekje për të zgjidhur këtë situatë.

Mazreku: Shtetndërtimi i Kosovës, fokusi i takimeve

Profesori universitar, Avni Mazreku, ka thënë për “Zërin” se vizita e zëvendëspresidentit amerikan në Kosovë është riafirmim i pozitës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me procesin e shtetndërtimit të vendit. Sipas Mazrekut, Biden edhe si ish-kongresist, por edhe si zëvendëspresident ka qenë njëri nga mbështetësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës, prandaj Mazreku thotë se kjo vizitë përveç karakterit rajonal, ka qëllimin kryesor thirrjen e politikëbërjes në Kosovë që të jetë konsistente në formësimin e pavarësisë.

“Janë shumë tema të diskutimit, por besoj që temat esencialisht do të lidhen me çështjen e shtetndërtimit. Funksionimi i shtetit të Kosovës, përkatësisht i parlamentarizmit ka qenë ekstremisht i kontestuar nga politikëbërja në Kosovë… Ky nuk është mesazh i mirë për miqtë tanë. Aspekt tjetër është arritja e një konstruktiviteti politik midis mazhorancës dhe minorancës që kanë bërë veprime joracionale sidomos në kohët e fundit”, ka vlerësuar Mazrreku.

Ai më tej ka thënë se temë tjetër do të jetë mungesa e vullnetit politik për t’i luftuar dukuritë negative që e dëmtojnë në esencë shtetndërtimin, e që, sipas tij, janë shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar. Mazrreku ka thënë se beson që edhe dialogu me Serbinë dhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të diskutohet në takimet e zëvendëspresidentit amerikan me krerët institucionalë të Kosovës.

“Negociata me Serbinë janë çështje tjetër… Tema tjetër është ajo që Kosova i ka tejkaluar proceset e brendshme dhe ka tendenca t’i shndërrojë në probleme ndërkombëtare. Përderisa kemi mosmarrëveshje politike midis minorancës dhe mazhorancës parlamentare për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk ka pasur sjellje institucionale dhe nuk po e ka as tani në raport me një problem të brendshëm politik, dhe kështu ka tendenca për t’u shndërruar në problem ndërkombëtar me përmasa negative për Kosovën”, ka shtuar Mazrreku.

Përndryshe në dhjetor të vitit të kaluar Kosovën e ka vizituar edhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry. Kurse në muajin mars të këtij viti Biden e pati takuar ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Shtëpinë e Bardhë.

Please follow and like us: