Albspirit

Media/News/Publishing

Standardet e dyfishta për Vetting-un, qeveria kërkon të përjashtojë nga kontrolli gjyqtarët e Strasburgut

Partia Socialiste, e cila po udhëheq reformën në drejtësi me shumicën e propozimeve të saj të rrëzuara nga Komisioni i Venecias, vijon ta konsiderojë këtë proces si atribut të ekskpertizës së saj politike dhe juridike,  duke aplikuar standarde të ndryshme edhe kur vjen fjala për atë që mund të quhet thelbi i reformës, kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Opiniona.al raporton se  ka arritur të zbardhë një debat në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Ministrave ku është diskutuar mbi caktimin e kandidatëve për gjykatës në Strasburg. Tre kandidaturat nga Shqipëria duhet të dërgohen në Këshillin e Europës deri më datë 26 gusht. Këto kandidatë do të shqyrtohen nga parlamenti i Këshillit të Europës dhe njeri prej tyre do zgjidhet si pasues i Ledi Biankun në këtë detyre të rëndësishme.

Sipas Opinion.al gjatë kësaj mbledhjeje është kërkuar për gjyqtarët që dërgohen në Këshillin e Europës ti nënshtrohen procesit të Vettingut, pasi ky proces kërkohet të bëhet edhe për gjyqtarët brenda vendit. Por, ka qenë një zyrtar i lartë i aparatit kryeministror që ka ndërhyrë duke thënë se “nuk ka kohë për Vetting pasi jemi në limitet kohore, kandidaturat duhen dorëzuar deri më 20 gusht”, ka thënë ai. Edhe Rama e ka mbështetur këtë ide. http://opinion.al/ekskluzive-zbardhet-debati-ne-mbledhjen-e-qeverise-ram…

Është po kjo parti që dy ditë më parë deklaroi se Vetting-u do të pastrojë sistemin nga autorët e papërgjegjshëm të vendimeve gjyqësore të turpshme e të paligjshme. Në deklaratë thuhej: “Vetingu për gjykatës të tillë që shqelmojnë ligjin, interesin publik dhe profesionin e tyre pa pikën e turpit, është e vetmja zgjidhje! Dhe Partia Socialiste do të vazhdojë të ngrejë zërin dhe të qëndrojë e palëkundur pro Reformës në Drejtësi si një proces që do të pastrojë sistemin nga autorët e papërgjegjshëm të vendime gjyqësore të turpshme e të paligjshme si ky i sotmi”. Për këtë deklaratë reagoi Manjani dhe sot Unioni i Gjyqtarëve që thotë se  “Procesi i vettingut është një proces kushtetues, që do të kryhet nga institucione kushtetuese, mbi bazën e parimeve të kontrollit dhe balancës, sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe jo nga partitë politike, të cilat jo vetëm që nuk duhet të jenë pjesë e këtij procesi por, duhet të nxisin dhe pjesën tjetër të shoqërisë sonë, të lënë të qetë këto institucione dhe punonjësit e drejtësisë të kryejnë sa më mirë, me ndershmëri dhe përkushtim, bazuar vetëm në prova dhe fakte, detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji”.

Please follow and like us: