Urdhër-arrest për Hakan Sukur, akuzohet për grushtin e shtetit
Edhe një personazh shumë i dashur për turqit si Hakan Sukur përfundon në hartën e të akuzuarve për grushtin e dështuar të shtetit në vendin që ndahet mes Europës dhe Azisë.
Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e ish-futbollistit të Parmës, Interit, Gallatasarajit dhe kombëtares turke me akuzën e përgatitjes së një grupi terrorist të armatosur.
Referimi është i qartë: Hakan Sukur konsiderohet mes mbështetësve të klerikut Fetuyllah Gylen që në vitet e fundit është bërë i njohur si kundërshtari numër 1 i presidentit turk Erdogan dhe akuzohet nga ky i fundit si regjisor i grushtit të shtetit muajin e kaluar.
Por ish-sulmuesi i njohur, që u pagëzua “Demi i Bosforit” për paraqitjen e tij karakteristike në fushë, braktisi Turqinë në dhjetor të 2015 për t’u transferuar në Kaliforni me familjen, pas një procedimi për fyerje ndaj Erdogan.
Hakan Sukur mohon përfshirjen në tentativën ushtarake për të përmbysur Erdoganin, por fakt mbeten urdhër-arrestet ndaj tij e shumë të tjerëve.
Si për ironi të fatit, Hakan Sukur u zgjodh deputet në radhët e partisë së Erdogan, por tani konsiderohet kundërshtar i flaktë. Ai po kërkohet për t’u arrestuar nga ai që u bë kumbari i martesës me gruan Esra Elbirlik. Hakan Sukur lidhi kurorë në një ceremoni spektakolare nga asokohe kryebashkiaku i Stambollit, Rexhep Taip Erdoan.