Albspirit

Media/News/Publishing

1975/ Vendimi i KP-së: Të mos prekej historia e partisë, në karton Frederik Rreshpja

– Një vendim i posaçëm u dërgohet KP të rretheve me një listë për heqjen e librave nga qarkullimi

Një vendim i posaçëm u dërgohet KP të rretheve me një listë për heqjen e librave nga qarkullimi. Librat e Frederik Rreshpes përfundojnë me tituj, të udhëzuar për t’u kthyer në karton. Shkaku ishte “për faj të qëndrimit të autorit”. Në këtë listë janë dhe shkrimtarë të tjerë, si dhe komunistë të cilët në vitin 1975 përfshihen në qarkoren e ministrisë së arsimit dhe kulturës mbi heqjen e librave nga qarkullimi. Ky vendim i përcillet gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, bibliotekave dhe ndërmarrjes së librit.

Cila është lista e plotë e librave që do të fshihen nga qarkullimi? Cili ishte shkaku i zhdukjes së këtyre librave?

Për të gjitha librat që do të fshihen nga qarkullimi udhëzohet të ruhen në bibliotekën shtetërore në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në degët e librit dhe të filmit në rrethe, të cilat po me proces verbal i dorëzojnë për karton.

***

Qarkore e Ministrisë, asnjë veprim mbi Historinë e Partisë dhe veprat e Enverit

 Ministria e Arsimit në një qarkore të miratuar në vitin 1975 urdhëron heqjen e disa librave nga qarkullimi. Frederik Rrepshja në krye të listës, për kthimin e librave në karton. Ndërsa K. Theodhosit i zhduken të gjitha botimet që përfshijnë fjalimet që mbajti në Kongresin V, VI. Por në një shkresë të dytë, vijuese jepen qartë porositë që të kontrollohet rreptësisht Historia e Partisë dhe veprat e Enverit.

 

Qarkore e Ministrisë së Arsimit dhe kulturës mbi heqje librash nga qarkullimi

AQSH, viti 1975

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Arsimit

Drejtoria e Botimeve

Nr. 3237/1-prot

Tiranë, më 15.9.1975

 

Lënda: Vijon shkresa nr. 3237, datë 15.9.1975 për heqje librash nga qarkullimi

 

Komitetit Ekzekutiv KP të rrethit

(seksionit të arsimit)

 

Gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore

Drejtorisë së përgjithshme të PTT

Bibliotekave Qëndrore

Ndërmarrjes së librit

Tiranë

 

Në vijim të shkresës sonë Nr.3237, datë 15.9.1975 për heqje librash nga qarkullimi, japim këto sqarime:

Në pikën 7 bëhet fjalë për kumtesën e Ramadan Xhangollit në konferencën kombëtare të studimeve shoqërore “Fronti Demokratik armë e fuqishme në duart e Partisë për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e atdheut”, që është botuar si broshurë e veçantë në vitin 1969 dhe jo për librin “Konferenca Kombëtare e studimeve shoqërore (nëntor 1969)”, ku ndodhet kumtesa e mësipërme. Këtë libër si edhe librat e tjerë, ku përmenden Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi a Ramadan Xhangolli, për të cilat bëhet fjalë në pikën 8 të shkresës së sipërme, bibliotekat shtetërore do t’i mbajnë në fondet e rezervuara, ndërsa bibliotekat e tjera që nuk kanë fond të tillë dhe libraritë do t’i paketojnë e t’i ruajnë në vende të posaçme, deri sa të vendoset për korigjimin e tyre ose për dërgimin në karton.

Përsërisim porosinë e dhënë që për çdo rast nuk duhet të bëhet asnjë veprim me Histornë e Partisë, Dokumentat e PPSH dhe Veprat e shokut Enver.

Zëvendës minsitri

Mantho Bala

AQSH. Viti 1975

 

Librat që u hoqën nga qarkullimi

“Të hiqen nga qarkullimi librat e poshtëshënuara:

1.A. Këllezi. Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSh 1966.

2.A. Këllezi. Rritja e rendimentit të punës dhe forcimi i disiplinës shtetërore. Diskutim në Kongresin e VI të PPSH 1971.

3.K. Theodhosi. Fjala e mbajtur në Kongresin e IV të PPSh 1961

4.K.Theodhosi. Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH 1966.

5.K.Theodhosi. Industria mekanike dhe progresi teknik. Diskutim në Kongresin e VI të PPSH, 1971

6.K. Theodhosi, raport i mbajtur në plenumin e III të PPSH, 1967

  1. R. Xhangolli. Fronti demokratik arm e fuqishme në duart e Partisë për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e masave.

Kumtesë në konferencën kombëtare të studimeve shoqërore, seksioni i historisë së PPSh 1973.

8.Të gjithë librat ku përmenden Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Ramadan Xhangolli.

  1. A. Zaka, Buzë dashurive, 1972 (për shkak të qëndrimit të autorit)
  2. Frederik Rreshpja: Në këtë qytet, Rapsodi shqiptare, Erenda, Trofta hutaqe, Trim i fshatit të Bardhë, Zëri i largët i kasolles (për shkak të qëndrimit të autorit)
  3. Predhi i bardhë –1971 (përmban një tregim të T. Lubonjës i dënuar për faje politike)

 

Këto libra bibliotekat shtetërore të rretheve t’i mbajë në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t’i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në degët e librit dhe të filmit në rrethe, të cilat po me proces verbal i dorëzojnë për karton.

Zëvendësministri

Mantho Bala

AQSH. Viti 1975

Please follow and like us: