Albspirit

Media/News/Publishing

1979, si u vendos internimi dhe dëbimi i shqiptarëve në diktaturë?

Në vitin 1979, Enver Hoxha nxjerr një nga dekretet më famëkeqe për të justifikuar krimet komuniste, atë të internimit dhe dëbimit si masë administrative kundër shtetasve shqiptarë

“Internimi dhe dëbimi, si masë administrative, mund të vendoset kundër shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç, janë të përgjegjshëm dhe paraqesin rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit.

Quhen pjesëtarë të familjes personat që, në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona të tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij”.

Ky është një nga dekretet famëkeqe, me të cilin janë justifikuar të gjitha krimet komuniste. Në atë kohë kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor ka qenë Haxhi Lleshi, i cili ka firmosur dekretin për internimin dhe dëbimin si masë administrative, propozuar nga Këshilli i Ministrave. Kështu, në vitin 1979 hynë në fuqi disa nene për internimin dhe dëbimin kundër shtetasve shqiptarë e të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç. Mbi këtë moshë të gjithë personat që paraqesin rrezikshmëri për rendin, internimi dhe dëbimi përfshiu dhe pjesëtarët e familjes të personave të arratisur brenda ose jashtë vendit.

Për të vendosur masën e internimit, u ngrit një komision i parashikuar në këtë dekret, që do të merrej me zgjatjen e masës administrative të internimit dhe të dëbimit, kur ai e shihte të nevojshme, derisa personat nuk paraqisnin më rrezikshmëri për shoqërinë.

Cilat ishin nenet që parashikonin masat e internimit dhe dëbimit. Zbardhet për herë të parë i plotë dokumentacioni që firmosi Haxhi Lleshi dhe Telo Mezini në Presidiumin e Kuvendit Popullor.

 

***

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Presidiumi i Kuvendit Popullor

Dekret

Për

Internim dhe dëbim si masë administrative

Në mbështetje të nenit 76 të Kushtetutës,

Me propozimin e Këshillit të Ministrave

Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

 

Vendosi:

Neni 1

Internimi dhe dëbimi, si masë administrative, mund të vendoset kundër shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç, janë të përgjegjshëm dhe paraqesin rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Dëbimi kundër të huajve mund të vendoset edhe me nxjerrjen e tyre jashtë kufijve të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

 

Neni 2

Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit.

Quhen pjesëtarë të familjes personat që, në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona te tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij.

 

Neni 3

Internimi dhe dëbimi, si masë administrative vendoset nga një komision i përbërë nga kryetari, që është një zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, zëvendëskryetari, që është ministri i Punëve të Brendshme dhe me anëtarë; kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Kryetari i Komisionit të Internimit dhe të Dëbimit caktohet nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

 

Neni 4

Komisioni i Internimit dhe Dëbimit mund të revokojë në çdo kohë masën administrative të internimit ose dëbimit të marrë më parë prej tij.

Personat e internuar nuk thirren për të kryer shërbimin ushtarak aktiv dhe, në rast se janë thirrur, me kërkesën e Komisionit të Internimit dhe të Dëbimit, lirohen nga ushtria për të vuajtur internimin.

 

Neni 5

Afatet e caktuara në nenet 26 e 27 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, zbatohen edhe për internimin e dëbimin si masë administrative.

 

Neni 6

Komisioni i Internimit dhe i Dëbimit mund të vendosë zgjatjen e masës administrative të internimit dhe të dëbimit, kur ai e sheh të nevojshme, si dhe heqjen para kohe të saj, kur personat e internuar dhe të dëbuar nuk paraqesin më rrezikshmëri shoqërore.

Komisioni mund të vendosë edhe ndërrimin e vendit të internimit të personave të internuar nga një vend në tjetrin, si dhe të ndryshojë vendet që i janë ndaluar për banim personit të dëbuar.

 

Neni 7

Dekreti nr. 1906, datë 2.8.1954, “Mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative”; dekreti nr. 3027, datë 12.1.1960, “Mbi disa ndryshime në dekretin nr. 906, datë 2.8.1954 mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative” dhe dekreti nr. 4137, datë 9.5.1966 “Mbi një shtesë në dekretin nr. 1906, datë 2.8.1954 mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative, shfuqizohen.

 

Neni 8

Ky dekret hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në gazetën zyrtare.

Tiranë, më 26.6.1979

Nr. i dekretit: 5912

Për Presidiumin e Kuvendit Popullor

të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

Sekretari: Telo Mezini

Kryetari: Haxhi Lleshi

Please follow and like us: