Arkiva e CIA, Shehu u vra, Alia nis lëvizjet për të marrë pushtetin para vdekjes së Hoxhës, vendi nën kontrollin e klanit të Nexhmijes, si u burgosën Parllaku dhe Lubonja
Shërbimi sekret amerikan vijon të nxjerrë informacione dhe shumë detaje nga regjimi i ashpër komunist në Shqipëri. Teksa që në vitin 1949 CIA nisi lëvizjet për rrëzimin e regjimit, një rëndësi e madhe i është kushtuar vitit 1985, periudhë kur Enver Hoxha ishte shumë sëmurë dhe që më pas ndërroi jetë. Agjentët e CIA kanë grumbulluar mjaft informacione për këtë periudhë mbi mënyrën se si operonte pushteti dhe lëvizjet që kishin nisur për pasuesin e Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar përmendet rasti i Mehmet Shehut, ku sipas CIA edhe pse ai zyrtarisht thuhet se kishte vrarë veten, ka informacione se është vrarë. Nga ana tjetër përmenden lëvizjet e Ramiz Alisë. Sipas dokumentit, ai kishte filluar të grumbullonte njerëzit pranë tij për të marrë pushtetin me vdekjen e Enver Hoxhës, por kishte përplasje me Nexhmije Hoxhën. Sipas CIA, ishte Nexhmija ajo e cila gjatë periudhës para vdekjes së Enver Hoxhës e kontrollonte politikën në vend përmes klanit të saj. Po ashtu jepen detaje dhe nga burgosja e disa emrave të njohur tashmë, si gjeneral Rrahman Parllaku apo Todi Lubonja.
23 shkurt 1985
Pasuesi i Enver Hoxhës
Burimi
Refugjat shqiptar i arratisur në korrik 1984, pasi kreu dënimin me 10 vjet burgim, të cilin e mbaroi në 1984. Informacionet e tij bazohen në bisedat me ish-liderë shqiptarë që ka takuar në burg dhe nga njohuritë e tij personale. Përpara arrestimit të tij në Shqipëri, në vitin 1974, për një tentativë të dështuar arratisjeje, ai ka kryer shkollën teknike, ka punuar në uzinë dhe ka shërbyer në ushtri në njësinë e tankeve.
Teksti
Që prej vrasjes së kryeministrit Shehu dhe eliminimit të qindra mbështetësve të tij në degë të ndryshme të qeverisë dhe të partisë shqiptare, lufta për pushtet ka vazhduar me ashpërsi (koment: Shehu zyrtarisht kreu vetëvrasje në 1981 por shumë zhurma qarkullojnë se është vrarë) Dihet në të gjithë Shqipërinë se Enver Hoxha është i sëmurë, dhe se ka zgjedhur sekretarin e partisë, kryetarin e Presidiumit të Kuvendit, Ramiz Alia si pasues. Sidoqë të jetë, Alia është kandidati më i fortë. Bijtë e Hoxhës, Sokoli e Iliri, nuk kanë kurajën dhe aftësinë e tij për të komanduar. Alia po bëhet gati të zëvendësojë Hoxhën kur të vijë koha e duhur. Deri tani, ai po vendos njerëzit e tij nga Veriu i Shqipërisë në postet kryesore, siç janë sekretarët e partisë në Durrës, Berat, Vlorë e Gjirokastër. Nexhmije Hoxha është aktive si në qeveri dhe në parti, dhe vendi kontrollohet nga klani i saj. Enver Hoxha kalon shumicën e kohës në Himarë në Jug të Shqipërisë. Në vitin 1984, djali i madh i Enverit, Iliri, drejtonte dy ministri, atë të Jashtme dhe atë të Brendshme. Djali tjetër i tij, Sokol Hoxha, rreth 43 vjeç, u emërua më 1984 këshilltar i tregtisë së jashtme, që do të thotë se ka në kontroll ekonominë e vendit (Koment: Nuk mund të konfirmojmë masën e influencës së bijve të tij në qeveri, por asnjëri nuk është identifikuar publikisht në postet publike).
Situata ekonomike
Bujqësia dhe industria e Shqipërisë është në gjendje të keqe, prej mungesës së makinerive dhe pjesëve të këmbimit, njerëzit duhet të presin në radhë të gjata për mish të ngrirë, mish derri apo pule. Produkte si vaji i ullirit e peshku janë të racionuara dhe nuk gjenden përherë. Dy herë në vit, njerëzit mund të marrin dy litra verë, ndërsa mjekimet, veçanërisht antibiotikët jepen vetëm për anëtarët e partisë dhe familjarët e tyre.
Burgosjet
Si pasojë e spastrimeve politike pas vrasjes së Shehut u ndërtua një burg i ri “Numër 302” në Pllanë të Lezhës. Burgu i ri mban kryesisht anëtarë të lartë të ushtrisë, mes tyre edhe një gjeneral i forcave ajrore Edi Ohri, rreth 58 vjeç, ish-zëvendës-Ministër i Tregtisë së Jashtme nga viti 1964 deri në 1975, i cili u transferua nga burgu i Burrelit te ai i Lezhës.
Deri në vitin 1984, burgu i Burrelit strehonte 400 të burgosur, prej tyre rreth 150 anëtarë partie, përfshi dhe një ish ministër i Bujqësisë dhe anëtar i Komitetit Qendror të partisë.
Deri në vitin 1981, në burgun e Tiranës (303) kanë qenë anëtarët e mëposhtëm të komitetit qendror dhe të ushtrisë:
Todi Lubonja, ish-gazetar, sekretar i rinisë komuniste dhe anëtar i Komitetit Qendror të partisë, i dënuar me 20 vjet burg në 1978 për deviacion politik.
Fadil Pacrami, ish-drejtor i propagandës së partisë dhe anëtar i Komitetit Qendror, dënuar me 20 vjet për deviacion politik.
Gjeneral…(Rrahman Parllaku, zëvendës-ministër i Mbrojtjes nga viti 1970 deri të paktën 1972
Gjeneral Fr… Prodani, ish-komandant i Forcave të Armatosura.
Gjeneral Halim … Ramohito, zëvendës drejtor i Ministrisë së Mbrojtjes popullore prej vitit 1973-1974.
Gjeneralët e mësipërm kishin studiuar të gjithë në Bashkimin Sovjetik dhe janë burgosur për anësi të mundshme sovjetike. Burimi komenton se ka gjithmonë një rrezik të përfshirjes sovjetike në Shqipëri, pasi ata nuk kanë hequr dorë nga qëllimet e tyre në Shqipëri, dhe sipas asaj që thuhet nëpër burgje, ka shumë elementë pro-sovjetikë në të gjithë Shqipërinë.
korrik 1953 – korrik 1954
Raport i transmetimeve
Demonstratat, trazirat dhe spastrimet në Çekosllovaki, Berlin, Rumani, Hungari etj. Si dhe arrestimi kohët e fundit i Berias, i kanë dhënë programeve tona burime të pasura lajmesh për të interpretuar në Shqipëri. Përveç linjave të zakonshme të propagandës si korrupsioni dhe dobësia e sovjetikëve, apo bashkimi dhe këmbëngulja e popujve të shtypur, programeve tona i është dhënë një tjetër mundësi sulmi prej vazhdimit të përsëritjes nga Radio Tirana se të gjitha trazirat janë shkaktuar nga amerikanët, edhe pse disa agjenci dhe zyrtarë komunistë kanë pranuar se trazirat erdhën si rezultat i administrimit dhe gjykimit të dobët nga komunistët.
Në lidhje me arrestimin e Berias, ne kemi theksuar në programet tona se që prej vdekjes së Stalinit ishte parashikuar lufta për pushtet brenda administratës dhe spastrimet e mundshme. Nuk janë bërë parashikime specifike për spastrime në Shqipëri, por kemi thënë se ato me siguri do të ndodhin, prandaj bota e lirë ishte e hapur për t’i dhënë azil të gjithë zyrtarëve e komunistëve të penduar.
Transmetimet radio
Nuk ka pasur shumë materiale nga brenda Shqipërisë, përveç njoftimit të Radio Tiranës se ishin fshirë të gjitha borxhet e vjetra bujqësore, për të cilën ne u përgjigjëm shpejt se ishte e gënjeshtërt, pasi komunistët i kishin plotësuar planin e vitit 1953, por fshatarët ishin në borxh dhe trembeshin për jetën e tyre. Për fat të mirë, një refugjat i arsimuar dhe i informuar, Dervish Bejleri është marrë në pyetje dhe na ka premtuar mjaft informacion që do të përdoret në transmetimet tona të ardhshme. Kemi besim se ai do të jetë burimi më i mirë i informacionit prej shumë kohësh. Në programet tona i bëhet apel grupeve të ndryshme shoqërore shqiptare, kryesisht ushtarakëve. Transmetimet tona janë kryer përditë në dy frekuenca, teksa do të nisin përdorimin transmetuesit e rinj më të fuqishëm. Më tej në transmetime kemi reflektuar lajmet botërore, duke theksuar arritjet e Perëndimit dhe dobësimin e Bashkimit Sovjetik në fushën ekonomike, sociale e politike; solidaritetin e botës së lirë dhe përvjetorin e Paktit të Ballkanit.
Në lidhje me çështjet shqiptare vëmendje i është dhënë zgjedhjeve të marsit për këshillat popullorë, keqpërdorimit të punonjësve, dhe edukimit komunist në Shqipëri me komentet mbi emërimin e Bedri Spahiut në Ministrinë e Arsimit, emërimin e Edip Çucit në ambasadën e Romës, dhe ditën e grave në Shqipëri. Vëmendja e Radio Tiranës gjatë kësaj periudhe është përqendruar në zgjedhjet lokale, festimet e Ditës së Grave, proceset bujqësore dhe realizimet e planeve shtetërore, përvjetorin e vdekjes së Stalinit dhe shpalljen e 5 marsit ditë zie kombëtare. Në pikat tona të propagandës kemi përdorur prej 15 shkurtit 1954, bombën në ambasadën ruse, spastrimet komuniste dhe zgjedhjet e këshillave popullorë. Prej 1 marsit 1954 kemi folur mbi shkrimtarit shqiptar, Thimi Mitko dhe mbi kushtet aktuale të Shqipërisë. Në periudhën 9-15 mars kemi transmetuar një mesazh të rremë. Sa i përket fletushkave, kemi përgatitur tre tekste dhe janë aprovuar planet për fluturime lëshimi. Tekstet e përgatitura janë Apeli i Dezertimit dhe teksti i vëllezërve Nikola.
23 maj 1949
Memorandum
Shqipëria
1. Jam dakord me habinë tuaj si për masën e shpejtësisë me të cilën u prodhua plani Britanik ashtu dhe për influencën e pozitës angleze dhe ambiciet e saj për Greqinë. Unë besoj gjithashtu se britanikët do ta konsiderojnë këtë si një test për të përcaktuar masën e madhësisë së operacioneve tona të OPC, si dhe aftësinë e tyre për të influencuar në partneritetet që mund të zhvillohen me ne. Mendoj se do të ishte e kotë të pretendonim kontroll të operacioneve britanike siç ishte projektuar, prandaj ne duhet të marrin pozicionin e njohjes së dëshirave të tyre për të bërë diçka në Shqipëri, dhe se i urojmë fat në përpjekjen e tyre. Ne duhet t’u sugjerojmë një masë të mjaftueshme ndërlidhjeje mes agjencive tona, aq sa për të evituar shkelje të rrugës së njëri-tjetrit. Në duhet të theksojmë se projekti ynë është i një shkalle më të madhe se i tyre, dhe në të njëjtën kohë, i hapur ndaj influencave politike të jashtme, prandaj përfundimi i tij i saktë nuk mund të parashikohet aktualisht. Ne duhet të shtojmë se gjatë shpalosjes së elementëve të tjerë, ne do t’i informojmë ata, dhe gjithashtu do të informojmë edhe stabilimentin politik e ushtarak amerikan në Greqi, për planet e britanikëve. Zoti … ka përgatitur draftin e mëposhtëm operacional për Shqipërinë, me synimin për t’ia paraqitur më vonë britanikëve më datë 24. Përfitoj nga ky rast për ta sjellë në vëmendjen tuaj.
Draft i planit operacional për Shqipërinë
Formimi i komitetit të ekzilit. Dita e planifikuar për njoftimin e formimit të Komitetit është 1 korriku 1949. Tre anëtarët kryesorë të tij do të jenë Balli Kombëtar, Zogistët dhe Blloku Indipendent nën kryesimin e Verlacit. Lideri do të jetë Mithat Frashri dhe selia kryesore e tij do të jetë në Paris. Mbledhja e informacioneve për kriteret e operacionit do të vazhdojë. Faza e tij e propagandës do të jetë zbutëse dhe do të nisë menjëherë pas njoftimit të krijimit të Komitetit. Ajo do të përfshijë aktivitetin tonë në emër të Komitetit, siç janë programet në gjuhën shqipe, dhe shpresojmë të ndihmohemi nga radio Ankaraja si dhe nga publikimet e vetë Komitetit në gazeta dhe broshura. Operacionet e errëta do të përfshijnë zhurmues të Radio-Tiranës dhe instalimi i një transmetuesi i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, që do të veprojë nga brenda Shqipërisë.
Trajnimet
Dita e caktuar për nisjen e trajnimeve është 15 korriku. Disa mundësi bazash po merren në konsideratë aktualisht, mes të cilave janë ish-bazat ushtarake amerikane në Korsikë, Sardenja, si dhe një vend në Egjipt, për të cilin Faruku thotë se mund të vihet në dispozicion për Zogun. Ky aktivitet do të bëhet në dy faza; e para do të jetë i dhjetë shqiptarëve të zgjedhur nga amerikanët, dhe e dyta do të jetë trajnimi i një force prej dyzet shqiptarësh me përfaqësues grupin e parë. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e amerikanëve në mision nuk do të kalohet menjëherë te çdo shqiptar që do të marrë pjesë në forcën e S.O. Zgjedhja e dhjetë agjentëve të parë do të bëhet në të ardhmen e afërt nga Frashëri apo zëvendësi i tij, në konsultim me kreun tonë operacional. Rekrutim i grupit të dytë duhet të bëhet me anë të rregulla të zgjedhjes nga nën-komisionet e Komitetit Kombëtar, që do të veprojnë në koordinim me kreun tonë operacional. Organizmi i brendshëm do të përfshijë kuadrin e të dyzetëve, të cilët do të infiltrohen me mjete të ndryshme duke përfshirë lëshimet ajrore, zbarkimet në plazhe dhe kalimet kufitare, me qëllim vendosjen e komunikimeve, linjave të furnizimit dhe ndërlidhjes me grupet ekzistuese të rezistencës në Shqipëri, me një datë objektiv 15 gushtin deri në 1 shtatorin.
Kërkesat për nisjen e fazës finale të sulmeve
Suksesi i fazës pararendëse; Grupet e gatshme greke në Jug të Shqipërisë; Garancia e qartë e mosndërhyrjes së Greqisë në Jug të Shqipërisë në rast trazirash. Tito dhe jo sovjetikët të jenë në kontroll të Shqipërisë, ose të paktën të zonave kufitare ku do të ndërhyjmë. Akordimi me NSC, JCS dhe Departamentin e Shtetit se zhvillime të tilla nuk konfliktohen me politika të tjera të përgjithshme. Koncepti i paraqitur është ai i një kryengritjeje integrale, i drejtuar dhe me pjesëmarrës shqiptarët e vendit, me përjashtim të skenarëve të përmendura më sipër. Nëse gjatë fazave të operacionit rezulton e dëshirueshme stërvitja dhe pajisja e një brigade shqiptare jashtë vendit, të krijohen plane për këtë qëllim. Gjatë gjithë zhvillimit të operacionit, të ndiqet me vëmendje mendësia greke për Shqipërinë, dhe sa herë është nevoja të bëhen përpjekje për ta influencuar. Aktivitetet jugosllave brenda Shqipërisë të jenë objektiv kryesor i inteligjencës.
Dërgesat e armëve sovjetike apo nga satelitët, të jenë objekt monitorimi të rreptë dhe rastet e mundshme të përdoren metoda pengimi. Të përdoret në mënyrë maksimale çështja maqedonase për neutralizimin e pretendimeve territoriale ekspansioniste greke e jugosllave. Presioni më i fortë të bëhet mbi qeverinë greke për dorëheqjen nga pretendimet për territorin shqiptar, dhe të japë një deklaratë publike ku ajo heq dorë publikisht nga pretendimet për Epirin e Veriut, në rast të zgjedhjes së qeverisë së lirë e të pavarur në Shqipëri nën mbrojtjen e OKB.
Që prej vrasjes së kryeministrit Shehu dhe eliminimit të qindra mbështetësve të tij në degë të ndryshme të qeverisë dhe të partisë shqiptare, lufta për pushtet ka vazhduar me ashpërsi (koment: Shehu zyrtarisht kreu vetëvrasje në 1981 por shumë zhurma qarkullojnë se është vrarë) Dihet në të gjithë Shqipërinë se Enver Hoxha është i sëmurë, dhe se ka zgjedhur sekretarin e partisë, kryetarin e presidiumit të kuvendit, Ramiz Alia si pasues…
Bijtë e Hoxhës, Sokoli e Iliri, nuk kanë kurajën dhe aftësinë e tij për të komanduar. Alia po bëhet gati të zëvendësojë Hoxhën kur të vijë koha e duhur. Deri tani, ai po vendos njerëzit e tij nga Veriu i Shqipërisë në postet kryesore, siç janë sekretarët e partisë në Durrës, Berat, Vlorë e Gjirokastër. Nexhmije Hoxha është aktive si në qeveri dhe në parti, dhe vendi kontrollohet nga klani i saj. Enver Hoxha kalon shumicën e kohës në Himarë në jug të Shqipërisë. Në vitin 1984, djali i madh i Enverit Iliri, drejtonte dy ministri, atë të jashtme dhe atë të brendshme…