Arlinda Morava nuk i mungon verës së nxehtë shqiptare
Arlinda Morava, sopranoja e njohur e cila jeton prej vitesh në Bukuresht, Rumani, nuk i ka munguar publikut shqiptar edhe në këtë verë të nxehtë. “Ndodhem për pak kohë në Shqipëri, duke ia kushtuar ditët e mia, artit dhe kënaqësisë së interpretimit”, ka thënë Morava për ATSH-në, pa harruar të përmëndë se impenjimet që ka në evente te tjera në artin e bukur lirik në muajin shtator, nuk do ta lejojnë të qëndrojë gjatë në atdhe”.
Ajo ka interpretuar në Amfiteatrin e Durrësit , në Festivalin “Verë në Epidamn”, më 7 gusht në natën e dytë të këtij festivali, natë, kushtuar 260 vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh W.A.Mozzart me regji të Driada Dervishi.
“Ishtë një mbrëmje e paharruar, “ Mozart cocktail”, ku veshjet e realizuara nga stilistja Enada At’Nikolla, krijuan magji duke na kthyer në periudhën romantike klasike”, thotë Morava . “Mbetet një nga kompozitorët e mi të veçantë , por bukuria e mbrëmjes ishte se jo vetëm interpretova muzikë, por ajo u plotësua me tingujt e bukur të instrumenteve, me balet dhe aktrim së bashku me artisten e madhe Aishe Stari. Më date 16 gusht Arlinda Morava , do të jetë sërisht pjesë e festivalit, e ftuar nga znj. Adelina Muça , organizatore e këtij festivali.
Arlinda Morava, njihet nga çdo kush për natyrën e saj pozitive, për dashurinë që ka për jetën dhe te bukurën, për temperamentin e saj, ashtu sikundër për kuptimin që ajo ka për të mos besuar asnjeherë tek ligesitë dhe gjërat e vogla. Për Arlindën, sopranoja që jeton prej vitesh në Bukuresht, Rumani, arti është ndjesia, emocioni, dhe mrekullia e kësaj jete . “Bota pa artin, është si një kopësht pa lule”, thotë ajo, duke dëshëruar që përmes artit të saj të dhurojë emocion, kenaqësi dhe dashuri. Mozzarti, Shtrauss, Rossini, Puccini, Verdi, Lehar si dhe T. Bredicianu janë kompozitorët e preferuar të sopranos e cila ndihet mirë që është pjesë integrale e Operës Rumune, opera me shumë tradita në kohë, Dhe është pikërisht kjo qe i jep kënaqësi jetes së saj, së bashku me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj. Por i mungon Tirana, pasi këtu jetojnë njerezit e shpirtit, prindërit dhe të afërmit e saj. Në Rumani, Arlinda organizon projektin e saj “Shqiperia tokë legjende”, aktivitet që organizohet me institucionet e ndryshme atje.
Një vit më parë, Arlinda Morava ishte në Tiranë e ftuar nga maestro Fatos Qerimaj, drejtori artistik i festivalit “Flauti magjik” ku në një mbrëmje Gala , organizuar në kuadër të festivalit “Flauti magjik”, interpretoi me tenorin e njohur Kastriot Tusha.