Bill Clinton: Nënë Tereza më bëri ta dua kombin shqiptar
Fjalët e Presidentit të ShBA-së, Bill Klinton, kur u shpreh se “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, tregojnë qartë se ajo e kishte shpalosur zemrën e saj arbënore edhe para personaliteteve të mëdha, duke iu folur për vendin prej nga e kishte origjinën, duke i njohur me historinë e këtij populli të lashtë e heroik, si dhe problematikën që mbartte mbi shpinë.
Kudo ku shkonte, Nënë Tereza e tregonte me krenari prejardhjen e saj. Këtë e dëshmojnë shumë nga letrat dhe shkrimet e saj. Ajo e mbante gjithnjë në zemër atdheun e saj, asnjëherë nuk qëndroi indiferente ndaj fatit dhe gjendjes së popullit shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Madje, kujdesi i saj shprehej jo vetëm nëpërmjet lutjeve të vazhdueshme në ndihmë të kombit shqiptar, por edhe duke e çuar zërin te personalitete të shumta botërore në mbështetje të popullit të saj dhe lirisë së Kosovës, si dhe demokratizimit të Shqipërisë para viteve 90 të shekullit të kaluar.
Pjesë nga librii i ri i politologut edhe studiuesit Gjon Keka
……………….
Recensa e librit nga Dr.Don Lush Gjergjit
Gjon Keka: Nënë Tereza – Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave”
“Edhe një shkrim, botim, libër kushtuar Nënës Terezës, mos është gjë e tepërt, pas më se 200 titujve dhe botimeve në gjuhë të ndryshme anekënd botës? A thua ka ende diçka të re, që mund të shkruhet dhe të thuhet për Nënë Terezën? Këto dhe pyetje të ngjashme kanë një përgjigje, nëpërmjet këtij botimi, në të cilin Gjon Keka, së pari, gjen një titull të qëlluar dhe kuptimplotë, duke e cilësuar atë si “Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave”, shprehje kjo që, më së miri, cilëson lidhjen tonë të lashtë me ilirët, paraardhësit tanë, pastaj arbërorët gjatë shekujve dhe, së fundi me ne, shqiptarët e sotshëm. Cilësimi “e të gjitha kohërave” ia jep asaj dimensionin gjithë-njerëzor dhe hyjnor, si Nënë Universale, që tashmë i ka tejkaluar kufijtë e kohës dhe të hapësirës; është dhe mbetet Nënë për çdo njeri.
Cilësia e dytë e këtij shtjellimi na vetëdijëson se Nënë Tereza nuk është rastësisht shqiptare, katolike, misionarja e dashurisë, Nobeliste e Paqes, e Lume dhe e Shenjtë, sepse rrënjët e saj, pra edhe tonat, janë të thella, të lashta, të krishtera, martire, bamirëse, prej Shën Florit dhe Laurit e deri te ditët tona… Botimi i Gjon Kekës nuk është vetëm për t’u lexuar, por shtjelluar, thelluar, medituar, përvetësuar, sepse pa artin e jetës – fenë dhe dashurinë, gjithçka është e mangët, e zbrazët, kalimtare, e vdekshme. Nënë Tereza është për ne një Bijë, Motër dhe Nënë për këtë jetë e veprimtari, sidomos dëshmitare dhe ndërmjetëse për amshim të lumtur. ” Pjsese nga Parathenie tjeter nga Mr.Sare Gjergji: “Gjon Keka, i cili tashmë ka krijuar profilin e qartë prej studiuesi, si zakonisht zgjedh tema e figura të mëdha për trajtim.
Pas Skënderbeut, Konstandinit të Madh, Rugovës dhe Anton Çettës, kësaj radhe vjen me librin “Nënë Tereza – Arbënorja e famshme e të gjitha kohërave”. Që në titull, autori sikur shpërfaq gjithë thelbin, palcën e librit. Mesazhi është i qartë: Nënë Tereza, duke qenë arbërorja (më) e famshme e të gjitha kohërave, njëkohësisht del të jetë edhe model për rrugëtimin tonë jetësor si komb. Ajo është jo vetëm pasqyra dhe dëshmia më e mirë e vlerave më qenësore të qenies sonë kombëtare në botë, por, njëkohësisht, është kripa e tokës dhe drita e botës (edhe amë, gjithsesi); është shëmbëllimi dhe dëshmia më e mirë e Atij, në emrin e të cilit veproi… Autori, jo vetëm që provon, por edhe është krejt origjinal e i veçantë në mënyrën se si i qaset figurës komplekse të Nënë Terezës, dritës që ndriçon anët më të errëta të shoqërisë, siç shprehet ai.
Edhe diskursi i autorit dhe mënyra e rrëfimit janë në nivelin e temës që ai trajton. Ai nuk ekzagjeron, as rrëmbehet në mënyrë emocionale kur një shenjtëreshë na ofron për identitet, sidomos tashmë kur tokën dhe qiellin i lidh një arbërore, e cila aq shumë e deshi atdheun dhe popullin e vet, Shqipërinë e shqiptarët. Autori, jo pa qëllim prek dhe këtë aspekt të jetës së Nënë Terezës, në një kohë kur përdhosja e figurave tona kombëtare po ndodh para syve tanë e nga vetë ne shqiptarët. Edhe për mënyrën se si shtrohet dhe trajtohet tema, figura e Nënë Terezës, besoj do t’i imponohet lexuesit dhe studiuesve terezianë, por jo vetëm”.