Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Dy të dërguarit e Shqipërisë në OKB që bashkëpunuan me SHBA, si u ekzekutuan 90% e të gjykuarve për grusht shteti, Isai dhe Çarçani në rivalitet për të marrë partinë pas vdekjes së Hoxhës

Arkiva e CIA, ja dy të dërguarit e Shqipërisë në OKB që bashkëpunuan me SHBA, si u ekzekutuan 90% e të gjykuarve për grusht shteti, Hekuran Isai dhe Adil Çarçani në rivalitet për të marrë partinë pas vdekjes së Enver Hoxhës

 

Gjatë 45 viteve të regjimit komunist në Shqipëri, shërbimi sekret amerikan tentoi vazhdimisht për rrëzimin e tij. Në kuadër të dokumenteve të deklasifikuara nga CIA, që po publikohen prej disa ditësh nga gazeta, shërbimi amerikan ka zbuluar dhe emrat e disa zyrtarëve shqiptarë që bashkëpunonin me ta. Përveç shumë njerëzve të thjeshtë që CIA kishte rekrutuar, kishte dhe nga ata që ishin përfaqësues të qeverisë që jepnin informacione. Në një dokument të viti 1983 tregohet se si dy përfaqësuesit e vendit tonë në OKB bashkëpunonin me CIA dhe e informonin atë mbi situatën politike në vend. Po ashtu jepen detaje mbi rivalitetin e atyre që do të merrnin postin pas vdekjes së Enver Hoxhës. Në deklaratat e tyre, agjentët kanë treguar se pavarësisht se flitej që në krye të partisë do ishte Adil Çarçani, në të vërtetë ishte projektuar Hekuran Isai. Nga ana tjetër, gazeta publikon dhe disa dokumente të tjera mbi aktivitetet e CIA ndër vite për rrëzimin e regjimit komunist në vendin tonë.

Agjentët shqiptarë

Uashington  (nëntor 1983)

Subjekti: Takim me Bashkim Spahon dhe Ilia Permet Zhulatin

Subjektet:

A- Bashkim Spaho, i misionit të Shqipërisë në OKB

B- Ilia Permet Zhulati, sekretar i parë i misionit

Në ora 14.00, më 4 nëntor, një prej agjentëve tanë u takua me subjektet A e B në BEACH CAFE, në 70-th Street. Takimi zgjati dy orë e gjysmë. Subjekti A është një mik i vjetër i agjentit tonë, dhe është takuar me të në Nju Jork në fund të viteve 70-të, kur subjekti A ishte me një mision shqiptar në Nju Jork. Takimi mes të treve ishte miqësor dhe subjektet A e B konsumuan shumë alkool, veçanërisht subjekti A. Subjekti A i tha agjentit tonë se misioni mund të zhvendosej në një tjetër vend, pasi nuk do të rinovonin kontratën me një qera prej 4000 dollarë në muaj.

Subjekti B tha se do të largohej për në Shqipëri më 7 nëntor, për të kryer një operacion hemorroidesh, dhe do të kthehej në Nju Jork në dhjetor. Kur agjenti ynë shprehu çudi për kthimin e tij në Shqipëri për një operacion relativisht të vogël, të dy subjektet A e B mblodhën shpatullat, sikur të pranonin se ishte paksa e ekzagjeruar. Subjekti do të ushtonte me linjat Alitalia drejt Romës e prej andej me linjat rumune Tarom, drejt Shqipërisë. Subjekti A e ftoi agjentin tonë të merrte pjesë në Ditën Kombëtare të Shqipërisë që do të zhvillohej në OKB në dhjetor, data e saktë e së cilës nuk ishte ende vendosur.

Deklaratat 

Të tre diskutuan për Shqipërinë dhe subjekti A deklaroi sa më poshtë: Gjyqet e njerëzve të përfshirë në grushtin e shtetit anti-Hoxha u zhvilluan këtë verë dhe 90 për qind e të gjykuarve u ekzekutuan. Njerëzve që kishin përfshirje të vogël iu dhanë dënime me burg. Përgjithësisht mendohet se kryetari i këshillit të ministrave (Adil Çarçani) është trashëgimtar i Enver Hoxhës, por nuk është kështu. Njeriu më i fuqishëm sot në Shqipëri është ministri i Brendshëm Isai (Hekuran) dhe ai do të marrë drejtimin e vendit nëse Hoxha vdes. Shqipëria dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Perëndimin dhe me SHBA: Asgjë nuk është bërë ende për këtë, por për subjektin priten të jepen instruksione në të ardhmen. Arsyeja ka të bëjë me gjendjen në zonat kufitare të Shqipërisë, veçanërisht në kufirin grek. Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë janë në gjendjen më të keqe të shumë viteve, për arsye të provokimeve në kufi, por Shqipëria është gjithashtu nervoze për marrëdhëniet e afërta greko-jugosllave, të cilat Shqipëria i konsideron si kërcënim për sigurinë e saj.

Përshtypjet e CIA

Agjenti ynë dha përshtypjet e mëposhtme për subjektin A: Pirës i shpeshtë duhani dhe alkooli. Ka një energji të madhe nervoze. Në fund të takimit subjekti A tha se shpresonte që të takohej përsëri me agjentin tonë në dhjetor, pas përfundimit të asamblesë së përgjithshme të OKB.

6 shtator 1951

Diskutim mbi Shqipërinë dhe çështje të tjera të lidhura

Departamenti i Shtetit, CIA/OPC

Më datën 8 gusht është mbajtur një takim në zyrën e zotit Reinhardt, me qëllim rishikimin e politikave tona në lidhje me Shqipërinë. Si rezultat i kësaj, u vendos të hiqej masa e ndalimit të Departamentit të Shtetit për lëshimin e broshurave të propagandës në Shqipëri dhe kryerjen e lëshimit të broshurave nga ajri në një të ardhme të afërt. Teksti i lëshuar do të jetë një formë reagimi ndaj tekstit të lëshuar nga jugosllavët mbi Shqipëri (në emër të Lidhjes së Prizrenit), i cili sulmonte Komitetin Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Teksti do të hedhë dyshime mbi vlefshmërinë e Lidhjes së Prizrenit si një lëvizje demokratike dhe e pavarur, dhe do të ngrejë lart Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, si një lëvizje e bazuar në parimet e demokracisë, me mbështetjen e të gjitha kombeve liridashëse. U ra dakord se nëse Lidhja e Prizrenit sulmon Komitetin me mënyra më të ashpra në të ardhmen, edhe Komiteti do të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë. U pranua gjithashtu se tekste të mëtejshme për t’u lëshuar do të aprovoheshin nga Departamenti i Shtetit. Kjo nuk përfshinte lëshimet e vogla të teksteve që përdoren për të mbuluar operacione të veçanta.

Infiltrimet 

U përcaktua gjithashtu se dega e OPC duhet të zgjerojë operacionet e saj, duke shtuar të infiltruarit dhe mbështetjen e tyre me deri 50 njerëz, deri në fund të vitit 1951, dhe më pas forca e agjentëve në vend të mbahej në këtë nivel. Agjentët do të përdoren për krijimin e grupeve të rezistencës, e pikave të sigurta si dhe detyra të tjera operacionale për të cilat do të marrin udhëzimet e nevojshme. Më tej u diskutua programi i luftës psikologjike, dhe u pranua nga të gjithë se kur ky aktivitet të përforcohej me bllokime të transmetimeve, do të kthehej në një program të plotë. Zoti..propozoi se një seri veprimesh të vazhdueshme duhet të zhvilloheshin në mënyrë që programi të mos humbiste efektivitetin e tij, në formën e lëshimeve nga ajri të qeseve të miellit apo furnizime të tjera. U pranua nga të gjithë se ky propozim kishte merita dhe duhej të ndiqej.

Stërvitja e agjentëve

U ra dakord nga të pranishmit se ishte e dëshirueshme për OPC që të krijohej një kuadër prej rreth 500 trupash shqiptare të stërvitura, që do të shërbenin si thelbi i rezistencës së dominuar nga SHBA, të aktivizuar në rast situatash të mundshme krize, si më poshtë:

Në rast se bëhej politikë e Shteteve të Bashkuara nxitje dhe përmbysja e regjimit komunist me anë të një revolucioni. Në rast se dëshirohej të ruhej influenca e SHBA në Shqipëri, për kushtet që mund të formoheshin në rast të një agresioni nga Jugosllavia për përmbysjen e pushtetit. Një revolucion i tillë do të sillte padyshim edhe ndërhyrjen greke në Jug të vendit, prandaj një situatë e tillë e rrezikshme do të sillte nevojën e një force amerikane që do të justifikonte dhe lejonte ushtrimin e influencës në situatën e komplikuar që mund të shpalosej. Në rastin e një pushtimi jugosllav e grek të Shqipërisë, prezenca e një force “parandaluese” e sponsorizuar nga SHBA do të shërbente për kontrollin e situatës… Përmendi se numri i madh i problemeve me të cilat po përballet aktualisht regjimi komunist shqiptar, e bëjnë të dëshirueshme rritjen e numrit të njerëzve të gatshëm për operacione të OPC. Zyrtari përmendi se masa e kompanisë së gardës shqiptare mund të rritej në 500 me shpejtësi, pa shtuar rreziqe sigurie, dhe OPC do të merrte hapa për arritjen e kësaj. Zoti Reinhardt sugjeroi që OPC të përgatisë një dosje me të gjithë aktivitetin e njohur të Jugosllavisë kundër Shqipërisë dhe kundër NCFA (Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë). Një tjetër mbledhje do të mbahej menjëherë si pikënisje e diskutimeve me jugosllavët, nëse sigurohemi se ata janë vërtet duke zgjeruar aktivitetet e tyre për marrjen e kontrollit në Shqipëri, në mënyrë të hapur ose të fshehtë.

7 qershor 1951

Memorandum bisede

Pjesëmarrës: Joyce, Higgs, Campbell (Departamenti i Shtetit)

Pas diskutimit të subjektit me zotin Joyce, u takova me Higgs dhe Cambell të Departamentit të Shtetit, dhe u tërhoqa vëmendjen në pikat e mëposhtme: Natyra gjithnjë e më shumë ushtarake e aktiviteteve të organizatave shqiptare të emigracionit në Jugosllavi, e cila po shkakton eksitim në rrethet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë dhe grupet e tjera shqiptare të emigracionit në përgjithësi. Njoftimi i ekzistencës së grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia në radion jugosllave, bënte të qartë se grupi ka si qëllim arritjen e përmbysjes së regjimit Hoxha. Për më tepër, qasjet që janë bërë nga jugosllavët te përfaqësuesit shqiptarë të grupit, kanë bërë të qartë se Jugosllavia është e gatshme të mbështesë një program shumë më të gjerë sesa ai që ka sponsorizuar SHBA në formën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Si rezultat i perspektivës atraktive për veprim të dhunshëm në të ardhmen e afërt, edhe anëtarët e komitetit tonë mund të joshen nga grupi jugosllav, duke bërë që NCFA të humbasë mbështetjen e liderëve dhe të publikut shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Aktivitetet jugosllave, siç është reklamuar nga publiciteti i grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia dhe fushata e tyre e rekrutimit, tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishit të sinqerta kur sinjalizuan për qeveritë amerikane e britanike se aktivitetet e NCFA mund të shkaktonin një ndërhyrje sovjetike që mund të rrezikonte paqen në Ballkan. Vetë jugosllavët po përfshihen në një aktivitet shumë më provokativ sesa është kryer deri tani nga ne apo vende të tjera perëndimore. Në rast të një grushti shteti të sponsorizuar nga Jugosllavia, do të ishte e vështirë të ndalonim grekët në pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë, të cilën e konsiderojnë si interes legjitim, situatë e cila mund të jetë e vështirë dhe e sikletshme.

Ndërhyrja e SHBA

Unë sugjerova se është e dëshirueshme të sinjalizojmë me anë të ambasadorit tonë në Beograd, për paqartësinë e deklaratave jugosllave mbi rrezikun e ndërhyrjes sovjetike në rast të provokimeve perëndimore me grupe rezistence, në një kohë kur vetë Jugosllavia ka krijuar një organizatë shumë më militante dhe po njofton hapur rekrutimin e një force për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Mendimi im për sugjerimin e përpjekjeve diplomatike, duhet të ndihmojë në perceptimin e qëllimeve të vërteta jugosllave, sipas të cilave do të konceptohet edhe politika amerikane në lidhje me këtë çështje. Unë sugjerova gjithashtu se meqënëse pezullimi dymujor i lëshimit të broshurave nga ajri ka skaduar, do të ishte mirë që të riniste lëshimi i teksteve ku ngrihet lart aktiviteti i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për ruajtjen e prestigjit të SHBA dhe për të treguar shenja të aktivitetit tonë, duke ruajtur besimin e publikut e duke penguar dezertimin masiv nga Komiteti i sponsorizuar nga SHBA drejt atij jugosllav. U pranua gjithashtu nga anëtarët prezentë të Departamentit të Shtetit se do të ishte e dëshirueshme ngritja e çështjes së mësipërme me shtetin jugosllav dhe zoti Higgs sugjeroi se kjo duhet të kryhej pas marrjes së përgjigjes së jugosllavëve nga ambasadori ynë atje. Në rast se kjo përgjigje do të ishte jo e kënaqshme, ne duhet të rifillojmë lëshimet e broshurave me efektin e kërkuar si për Shqipërinë dhe qeverinë jugosllave. Zoti Joyce pyeti nëse mendoja se ishte e dobishme të ngrihej çështja e organizatës shqiptare të sponsorizuar nga Jugosllavia, me gjeneralin Popoviç. Unë u përgjigja se për karakterin jo-produktiv të bisedave të deritanishme me të, do të ishte e panevojshme ngritja e debatit me të, prandaj mbrojta qëndrimin se çështja duhet të ngrihet me anë të kanaleve diplomatike në Beograd.

27 maj 1952

Memorandum

Komente të Jacob T. Beam në lidhje me Shqipërinë dhe çështje të lidhura

Në lidhje me dokumentet e strategjisë së Luftës së Ftohtë dhe për qëllime të përgjithshme operacionale, po ju kaloj disa deklarata dhe observime të bëra nga zoti Beam, i cili është zyrtari i dytë i ambasadës tonë në Beograd. Ai sapo është kthyer nga Beogradi pas një mandati një-vjeçar. Beam është një observues i mprehtë politik dhe pikëpamjet e tij duhet të jenë me interes për ne.

Në lidhje me Shqipërinë, zoti Beam mendon se jugosllavët i qëndrojnë politikave të tyre të një viti më parë. Politika e tyre është të vazhdojnë të ruajnë gjerat të ziejnë ngadalë në Shqipëri, por nuk pranojnë të bëjnë diçka që do të trazonte regjimin aktualisht, prej frikës së ndonjë reprezaljeje nga sovjetikët. Ata vazhdojnë të mendojnë se nëse Jugosllavia sulmohet nga Lindja, ata menjëherë do të pushtojnë të gjithë Shqipërinë, dhe me sa dihet, ata nuk pranojnë që në këtë pushtim të lejojnë pjesëmarrje nga Greqia apo vende të tjera. Jugosllavët besohet të kenë disa agjentë që hyjnë e dalin nga Shqipëria, të cilët janë mjaft të informuar mbi gjendjen aktuale në vend.

Afrimi me grekët

Javët e fundit, jugosllavët janë ngrohur shumë me grekët dhe janë afruar me ta. Ka pasur disa biseda sekrete bilaterale, dhe me shumë gjasa subjekti i Shqipërisë është diskutuar. Do të ishte me rëndësi për ne të mësonim çfarë është diskutuar tjetër mes tyre dhe nëse është arritur ndonjë marrëveshje. Kj o është detyrë për shërbimet e inteligjencës dhe ato të diplomacisë.

Zoti Beam është i bindur se shumë pak mund të bëhet në lidhje me Shqipërinë pa u rënë dakord më parë me Greqinë e Jugosllavinë dhe pa asistencën e tyre. Kjo është një temë pune për diplomacinë amerikane e britanike. Zoti Beam është gjithashtu i mendimit se as Greqia e as Jugosllavia nuk pranojnë përfshirjen e Italisë në ndonjë marrëveshje apo veprim që mund të merret në Shqipëri. Nëse atyre u propozohet kjo, ata do të rezistojnë dhe si rezultat do të kemi vonesa të shumta e ndoshta një prishje të planeve për veprim.

Jugosllavët kanë raportuar se kohët e fundit një numër i madh zyrtarësh të administratës dhe të policisë janë importuar nga sovjetikët në Shqipëri nga Bullgaria, për të ndihmuar në forcimin e administratës qeveritare dhe kundër-spiunazhit, ashtu si dhe të policisë sekrete. (Frank G. Wesner).

Please follow and like us: