Albspirit

Media/News/Publishing

CIA zbardh dëshmitë e të arratisurve gjatë regjimit komunist, jeta e luksit e pushtetarëve dhe mjerimi në fshatra, arrestime qesharake dhe përgjime masive të Sigurimit, ja inspektimet që bënin Mehmet Shehu dhe Vito Kapo

CIA zbardh dëshmitë e të arratisurve gjatë regjimit komunist, jeta e luksit e pushtetarëve dhe mjerimi në fshatra, arrestime qesharake dhe përgjime masive të Sigurimit, ja inspektimet që bënin Mehmet Shehu dhe Vito Kapo

 

CIA vijon të publikojë dëshmitë e dhjetra shqiptarëve të arratisur gjatë regjimit komunist. Pas dëshmive të publikuara dje, gazeta vijon të publikojë të dhëna nga dokumentet e deklasifikuara. Sipas atyre që të arratisurit kanë deklaruar, kryesisht në Greqi dhe para agjentëve amerikanë, tregohet jeta e vështirë gjatë vitit 1952. Bëhet fjalë për banorë kryesisht të Jugut dhe të Fierit, që kanë rrëfyer vuajtjet dhe mjerimet. Sipas tyre, fshatarët dhe njerëzit e thjeshtë vuanin urie, ndërsa politikanët kishin ushqim shumë të mirë. Po ashtu, tregohen dhe histori të arrestimeve qesharake dhe dënimeve me shumë vite burg. Një tjetër detaj interesant është se çdo komunikim telefonik përgjohej nga Sigurimi, teksa dhe letrat dhe telegramet që dërgoheshin ishin në survejim. Në dëshmitë e tyre përmenden dhe emrat e një sërë funksionarësh, më kryesorët Mehmet Shehu dhe Vito Kapo, ku tregohet si ata kishin kryer një inspektim në Fier.

22 maj 1952

CIA merr në pyetje të arratisurit nga Shqipëria në Greqi

Informacione të përgjithshme

Deklarata e Xhevdet Malos

Xhevdet Malo nga Konispoli i Sarandës erdhi në kampin Lavrion në Greqi më 27 nëntor 1951. Ai ka qenë punonjës i postës por u pushua nga puna prej pikëpamjeve kundra regjimit. Mbi gjendjen e brendshme politike ai deklaron: “Nuk di për ndonjë organizatë që vepron kundër pushtetit në Shqipëri, përveç disa individëve të veçantë, që në një mënyrë apo në një tjetër janë kundër pushtetit. Vetëm në zonën e Konispolit ka rreth 40-50 anëtarë të partisë që urrehen nga pjesa tjetër e njerëzve. Në ditën e Bajramit më 1951, anëtari i Partisë Komuniste, Laze Badeja qëllonte me domate hoxhën e fshatit, Hafuz Fuati me qëllim që të tjerët të talleshin me të. Njerëzit shpresojnë se Komiteti për Shqipërinë e Lirë dhe fuqitë perëndimore të çlirojnë vendin, sipas fletushkave të lëshuara nga avionët. Në to përmenden dhe transmetimet në radio për fshatarët por që nuk mund t’i dëgjojnë ato sepse nuk ka radio. Në lidhje me Jugosllavinë, ajo është e urryer kudo në Shqipëri, prandaj nuk pritet çlirimi prej saj. Pushteti i atjeshëm urrehet po aq sa pushteti i Hoxhës. Edhe Greqia shihet me armiqësi prej pretendimeve territoriale. Sikur zona jonë të pushtohet prej grekëve, ne do të luftojmë deri në njeriun e fundit, edhe pse jemi të shtypur nga komunizmi.”

Urrejtja për Bashkimin Sovjetik 

Ai tha se 95 për qind e njerëzve e urrente Bashkimin Sovjetik. Njerëzit e urrejnë edhe pushtetin komunist por nuk guxojnë të flasin. Në mars të vitit 1951 Sigurimi arrestoi Hasim Moderizi, i cili u dënua me dhjetë vjet burgim pasi kishte ditur për largimin e një fshatari dhe nuk kishte treguar. Ai nuk kishte parë broshura të lëshuara në zonën e tij, por kishte parë një që e kishin sjellë nga Korça. Broshura kishte pikturën e një festari, që mbi kurriz i kishte hipur Enver Hoxha, dhe mbi të kishte hipur Stalini, si dhe kishte sloganin “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Ai thoshte se për arsye të frikës shumica e njerëzve ishin kundër veprimeve të rezistencës. Në zonën e Konispolit kishte punonjës shtetërore civilë të armatosur si roja e telegrafit, postieri, disa fermerë anëtarë të partisë dhe punonjës të Ndërmarrjes së Grumbullimit, sekretari i Këshillit të Fshatit dhe sekretari i Organizatës Bazë. Në rajonin e Konispolit nuk ka njësi të ushtrisë por patrulla të policisë inspektojë ditë e natë rreth zonës.

Ushtria

Ai deklaroi se dinte për 3 divizione të ushtrisë, një me qendër në Gjirokastër, një në Korçë e një në Tiranë. Secili prej tyre kishte në njësi artilerie, një kompani inxhinierësh dhe njësi ndërlidhjeje. Armatimi i tyre ishte rus dhe megjithëse armët ishin të reja, nuk ishin shumë të mira. Komunikimet e transportet në ushtri nuk janë të mira pasi ka mungesë mjetesh, telash dhe makinash. Oficerët gjithmonë i bëjnë propagandë trupave për mbrojtjen e vendit. Ndër magazinat kryesore të ushtrisë është kompleksi Ali Rizai në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Këto depo ruhen mirë dhe vetëm me ushtarët më të besuar.

Komunikimet

Megjithëse nuk ka një ligj censure në Shqipëri, agjentët e Sigurimit kontrollojnë me imtësi letrat që shkojnë jashtë shtetit. Ka pulla të zakonshme për brenda në Shqipëri dhe ato të postës ajrore. Pakot që vijnë nga jashtë Shqipërisë censurohen me ligj. Komunikimi telefonik është i lirë, por përgjohet nga agjentët e Sigurimit. Nuk ka komunikime telefonike me jashtë shtetit. Çdokush mund të dërgojë telegrame që nuk sulmojnë qeverinë apo që nuk janë të dyshimta. Radio të huaja si “Zëri i Amerikës” dhe BBC dëgjohen fshehtësisht në Shqipëri, kurse transmetimet klandestine të propagandës së Komitetit NCFA nuk i ka dëgjuar njeri, tha ai.

Kushtet e jetesës

Deri në kohën që u largova, në Shqipëri paraja në qarkullim ishte leku, por kishte edhe tollona leku që përdoreshin në dyqanet e veçanta, pranohen flori dhe dollarë. I gjithë prodhimi bujqësor dhe industrial është i racionuar. Eksponentët e partisë mund të kenë mallrat më të mira. Tregu i zi menaxhohet nga vetë shteti, por mallrat e huaja kushtojnë shumë dhe njerëzit nuk mund t’i blejnë. Në zonën tonë ka një magazinë ku mund të këmbehen mallra industriale me prodhime bujqësore, por këmbimet janë shpesh të padrejta. Për shembull, nëse një fermer sjell 50 kg drithë, atij i jepet një kupon me të cilin nuk mund të blejë një palë këpucë për të cilat ka nevojë, por mund të blejë një palë sandale, një furçë dhëmbësh, 1 metër basme e të tjera si këto. Ka mungesa në të gjitha ushqimet dhe në të gjitha mjekimet.

Kolektivizimi

Në zonën e Konispolit toka nuk është kolektivizuar. Në vitin 1950 autoritetet tentuan të kolektivizonin prodhimin duke mbjellë me oriz në tokën e destinuar për misër. Fshatarëve u mbetën vetëm 80 kg oriz në vit për mundimin e tyre, pasi pjesën tjetër e mori shteti. Vitin e ardhshëm 1951 fshatarët refuzuan me insistim të punonin kolektivisht dhe tentativa e autoriteteve dështoi. Kudo që është provuar kolektivizimi, ai është urryer nga fshatarët shqiptarë.

Dëshmitë e Nazar Hysenit, Xhavdet Reisi, Kambe Alushi

Më 13 prill 1952, Xhevdet Reisi, Kamber Alushi dhe Nazar Hyseni arritën në kampin e Lavrionit, nga fshati i Nakolecit, në Resnja të Jugosllavisë. Ata deklaronin se shtatëdhjetë e pesë për qind e popullsisë etnike shqiptare dhe bullgare të Maqedonisë janë kundër komunizmit. Në Shkup, gazeta shqiptare “Flaka e Vllaznimit” botohet një herë në javë në të gjithë fshatrat shqiptare. Komunistët që kishin mbetur besnikë të Stalinit ishin hequr nga të gjitha postet publike. Ishte zgjeruar sistemi i kolektivizimit të bujqësisë, por kishte një përmirësim të vogël të jetesës në krahasim me vitin 1948 kur Jugosllavia ndiqte metodat sovjetike. Qeveria e liderët e Jugosllavisë thoshin: ne jemi kundër Stalinit por jo kundër Leninit dhe socializmit”.

Dëshmia e Myftar Gode e Isa Gode

53-vjeçari Isa Gode ka lindur në fshatin e Golemit, por ka jetuar në Lushnje. Fillimisht ka qenë major në xharndarmëri. Muftar Gode është 32 vjeç, i lindur në Golem por jeton në Fier. Ai është llogaritar dhe bashkë me Isain erdhën në kampin e Lavrion më 25 tetor 1951.

Situata politike

Në rajonin e Fierit sipas tyre, të gjithë kanë simpati për përpjekjen e NCFA dhe presin të çlirohen prej tyre. Shqiptarët u besojnë fuqive perëndimore, veçanërisht anglo-amerikanëve. Ata nuk e pëlqejnë Jugosllavinë, përveç disa elementëve që kanë qenë miq më Koçi Xoxen, dhe nuk besojnë se Shqipëria do të çlirohet nga këta njerëz. Shqiptarët nuk e konsiderojnë Greqinë një vend armik e nacionalist, dhe mendojnë se Shqipëria duhet të krijojë marrëdhënie miqësore me të. Shumica e popullsisë e urrejnë Rusinë, pasi konsiderohet përgjegjëse për regjimin aktual që ka shkaktuar kaq shumë vuajtje dhe mjerim për vendin. Ata nuk dinin të kishte lëvizje rezistence, por kishin hasur në gjurmë të fletushkave e trakteve të NCFA si dhe gazetës “Shqipëria” të lëshuar në shtator 1951. Fletushkat e lëshuara me avion ishin shpërndarë dorë më dorë. Në Fier në vitin 1951 kanë ardhur për vizitë komunistët e mëposhtëm: Mehmet Shehu, Manush Myftiu, Abdyl Këllezi, Hysni Kapo, Vito Kapo. Ata kanë vizituar seksionet ekonomike dhe ato të sigurisë. Gjatë këtij viti kishte ardhur gjithashtu një ekspeditë gjeologjike e drejtuar nga një ruse, e cila vizitoi fshatin Kapaj ku besohej të gjendej uranium. Ekspertët ishin entuziastë dhe u nisën për në Tiranë të analizonin mostrat e marra.

Ndarja e ushtrisë

Ushtria e Shqipërisë ndahet në këmbësori, artileri, marina, xhenierët, forcat ajrore dhe brigadat e mbrojtjes. Ajo ndahet në tre divizione me qendra në Korçë, Gjirokastër, Tiranë, Elbasan, Shkodër. Komandant i marinës është Avdi Mati, por ka studiuar në Itali dhe nuk është shumë i besuar nga Italia. Komandant i artilerisë është komunisti Hylysi Spahiu. Ushtria ka armë ruse, topa, mortaja dhe tanke. Transportin e saj e bën me kamionë ruse e çekosllovakë. Ushtarët veshin uniforma të gjelbra me paleta të kuqe, artileria ka paleta blu kurse xhenierët rozë. Marinarët vishen me blu kurse pilotët me gri. Në të gjithë vendin kryhet stërvitja masive e civileve e quajtur “Zbor” ku punonjësit stërviten disa orë nën drejtimin e oficerëve të ushtrisë. Edhe të rinjtë stërviten të gjithë tre herë në javë nën drejtimin e organizatave të ministrisë së mbrojtjes. Oficerët e ushtrisë shpërndajnë propagandë duke thënë se grekët do të sulmojnë Shqipërinë për të marrë Korçën e Gjirokastrën, më ndihmën e tradhtarëve në emigracion dhe fuqive anglo-amerikane, prandaj populli duhet të qëndrojë vigjilent dhe i përgatitur për të mbrojtur integritetin territorial. Qeveria ka ngritur fortifikime ushtarake gjatë gjithë linjës bregdetare dhe brenda në zonat tokësore, duke përdorur dru, gurë, beton dhe pak hekur. Myftar Gode kishte parë në Tiranë duke punuar në riparimin e makinave, rreth 60-70 tanke të tipit të vogël.

Ushtria në Tiranë

Në Tiranë ushtria kishte kazerma të quajtura “Skënderbe” që mbanin rreth 5000 ushtarë. Në pallatin e Zogut të ndërtuar nga italianët, qëndronin rreth 600 njerëz të riparimit të avionëve rrugës për në Kavajë ishin kazermat e Ali Rizait ku strehohej divizioni i Tiranës. Në Vlorë, në zonën e Skelës kishte gjashtë kazerma të mëdha ku mund të qëndronin 6000 ushtarë. Në Gjirokastër, në Gerhato kishte 13 ndërtesa të mëdha të ushtrisë ku mund të qëndronin rreth 2000 njerëz. Në Shkozet të Durrësit kishte shumë magazina me ushqim dhe veshje për ushtrinë. Depot e municioneve gjendeshin te Shkëmbi i Kavajës kur depot kryesore të karburanteve gjendeshin në Porto Romano të Durrësit, të ndërtuara nga italianët. Fusha kryesore  e aviacionit është ajo e Tiranës që përdoret si për aviacionin civil dhe atë ushtarak. Ajo është në të njëjtën gjendje që përdorej edhe para luftës. Në festën e ushtrisë më 1 korrik Myftar Gode ka parë të fluturojnë katër avionë luftarakë. Thuhet se kohët e fundit kanë ardhur nga Durrësi 40 avionë luftarakë të çmontuar. Bateri mbrojtëse kundërajrore janë shpërndarë në disa pika të vendit si Sazan, Durrës, Vlorë, etj.

Komunikimet 

Nuk ka censurë të ligjshme në Shqipëri por letrat që vijnë nga jashtë kontrollohen. Telefonatat janë falas por prioriteti u jepe zyrtarëve. Ende nuk ka telefon privatë në Shqipëri, përveç funksionarëve të lartë të shtetit. Udhëtimi nga një vend në tjetrin është falas, por është e vështirë gjetja e mjeteve të transportit. Telegramet dërgohen falas por prioriteti u jepet zyrtarëve dhe institucioneve të shtetit. Të gjitha telegramet censurohen dhe ato nuk transmetohen nëse përmbajnë mesazhe anti-qeveritare. Çdokush mund të zotërojë radio por numri i tyre është i pakët. Radiot ruse nuk marrin mirë valët, veçanërisht për stacione si “Zëri i Amerikës”. Stacionet e huaja dëgjohen me interes nga shqiptarët si “Zëri i Amerikës” dhe BBC. BBC dëgjohet më mirë por ky stacion nuk ka një agjendë të saktë propagande për Shqipërinë dhe lajmet mund të jenë pak të vjetruara. “Zëri i Amerikës” ndiqet me interes dhe lajmet janë të freskëta, vetëm shqiptimi i folësve të tij lë për të dëshiruar. Ka pasur zhurma për konfiskime të radiove për elementë të caktuar por kjo ende nuk ka ndodhur.

Please follow and like us: