CIA zbardh vuajtjet dhe vdekjet e të burgosurve dhe internuarve gjatë regjimit komunist, emrat e sigurimsave në Jug dhe si dhunoheshin fshatarët që nuk bashkëpunonin me ta, ja tmerret që rrëfenin të arratisurit
Shërbimi inteligjent amerikan zbardh të gjitha vuajtjet dhe mjerimet e shqiptarëve gjatë regjimit komunist. Në një dokument të vitit 1952, i deklasifikuar nga CIA, tregohet një panoramë e qartë në vendin tonë në drejtimin e Enver Hoxhës. Dokumenti është i bazuar mbi dëshmi të marra nga individë të ndryshëm që janë arratisur jashtë vendit, kryesisht në Greqi. Ata kanë rrëfyer me detaje situatën në fshatrat dhe qytetet e tyre, duke dëshmuar më së miri situatën shumë të vështirë në vend gjatë kësaj periudhe. Ata tregojnë së pari kushtet e vështira në burgje dhe si shumë individë vdisnin aty dhe në kampet e përqendrimit. Nga ana tjetër tregohet si dhunoheshin individë të caktuar, sepse nuk pranonin të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit. Disa prej personave kanë treguar dhe tmerrin që përjetonin nga agjentët e Sigurimit.
22 maj 1952
CIA merr në pyetje të arratisurit nga Shqipëria në Greqi
Informacione të përgjithshme
Zenel Merxhani, nga fshati Konispol
Në kampin e Tepelenës, sipas informacioneve që ai ka marrë, janë liruar të gjithë të internuarit. Ai ka takuar edhe në Konispol njerëz të liruar nga kampi. Në Beden të Kavajës dhe në fshatin Lekaj, gjatë verës së vitit 1951, 880 njerëz që punonin në kanale u burgosën. Zeneli thotë se i ka parë ata personalisht duke udhëtuar me tren. Muharrem Mulaj dhe Kadri Petriti deklarojnë se në fshatin Arantas në Mallakastër, janë mbledhur të gjitha familjet e reaksionarëve anti-komunistë nga shumë rajone. Ata janë vendosur në disa shtëpi të vjetra dhe lejohen të punojnë në rajonin e Fierit si punëtorë ndërmarrjeje, por nuk lejohen të largohen nga juridiksioni i tyre. Familjet janë të shumta dhe janë në kushte të rënda. Fëmijët lypin në rrugët e Mallakastrës dhe kthehen natën në shtëpi. Këta dy njerëz kanë folur me një të afërmin e tyre nga fshati Çaushli i Maliqit. Në fshatin Konispol, Avni Malo dhe nëna e tij rrihini çdo ditë gruan e… sepse burri i saj nuk pranon të bëhet agjent i Sigurimit si ata. Sipas një ligji të ri të qeverisë së Tiranës, ata që nuk sillen siç duhet në burg do të marrin dyfishin e dënimit. Kadri Petriti dhe Eqerem Faredin Frashëri, të cilët ishin dënuar me pesë vjet burgim në Korçë dhe duhet të liroheshin në 1952, u liruan vetëm në 1957. Eqerem Frashëri nuk i ka shërbyer kurrë komunistëve dhe në burg nuk pranoi të spiunonte të burgosurit për llogari të shefit të burgut. Gjatë luftës Eqeremi edhe pse ishte shumë i ri, ka luftuar për Ballin Kombëtar. Me ligjin e ri komunistët shkurtojnë me tre ditë në muaj dënimin e atyre që bashkëpunojnë me ta.
Informacioni nga i arratisuri Zenel Shaban Merxhani
Merxhani arriti në kampin e refugjatëve në Lavrion të Greqisë më 15 prill 1952, nga fshati i Konispolit. Ai është 53 vjeç, fshatar, ka kaluar kufirin natën e 17 marsit 1952. Merxhani kishte komentet e mëposhtme për situatën në Shqipëri: Shumica e familjeve besnike të Konispolit janë ato të Mustafa Dajlanit, Tefik Musa dhe Musaj. Një muaj më parë në Konispol u arrestuan Skënder Plaku, Muço Kareci dhe Sulo Dajlani me pretekstin se ishin takuar me Sali Dajlanin (i cili është në Greqi) teksa në të vërtetë Sali jeton në Siros.
Rezistenca
Pesë ditë më parë, një kompani ushtarësh erdhi në Konispol dhe u vendos në fund të fshatit pranë shtëpisë së Nimet Malos, që tani është në Greqi. Kompania kishte rreth 100 njerëz dhe 10 mushka. Agjentët e sigurimit në Konispol janë Izet Omari, Kadri Rakipi, Hajri Mane dhe Seit Kurizo, ky i fundit komandant. Fshati ka pesëmbëdhjetë policë të veshur me rroba civile. Në urën e Bogazit ka një postbllok me gjashtë policë që kontrollojnë njerëzit që kalojnë urën, pranë së cilës është rruga Konispol-Sarandë. Ka një urë tjetër mbi lumin Bistricë ku njerëzit kontrollohen.
Kushtet e jetesës
Veshjet dhe ushqimi janë me racione. Kooperativat e Konispolit kanë shumë pak artikuj dhe shumicën e kohës ato mungojnë. Gjatë kohës që punoi për tre muaj në hekurudhën e Rrogozhinës, Merxhani shkoi disa herë në Kavajë ku mësoi se misri shitej me 70 lekë kg, një dele kushtonte 3.500 lekë dhe një kg qumësht kushtonte 50 lekë. Shteti e blinte qumështin nga fermerët me 25 lekë litrin.
Largimet dhe siguria
Njëfarë Hasam Belloja nga Konispoli, i cili prej ndjekjes së komunistëve u largua për në Kavajë. “Edhe u largova dhe meqenëse nuk kam të afërm në Shqipëri u bëra punëtor hekurudhe. Kur isha aty humba letër-njoftimin kështu që bëra një deklarim në zyrën e Kavajës dhe erdha në Konispol. Në Konispol një punonjës i shtetit më tha të shkoja përsëri në Kavajë për të marrë dokumentet e tjera nga dega e Ministrisë së Brendshme. Teksa prisja një rast për t’u larguar shkova në një dasmë në fshatin Ninat. Prej andej shkova në Shëndelli, ku kalova kufirin dhe u dorëzova te autoritetet greke në Pleshavice. Aty ishte pyll dhe pashë mina, por kalova nga një gur në tjetrin dhe shpëtova. Autoritetet greke më çuan në Lavrion”. Shënim: I lartpërmenduri është fshatar dhe i paaftë të japë informacion të saktë, prandaj u bënë vetëm pyetje të përgjithshme.
Marrje në pyetje e të arratisurit Xhevdet Malo
Refugjati Xhevdet Malo nga Konispoli dhe ish-punonjës i zyrës së postës, raporton si më poshtë: Në vitin 1951, në Gjirokastër, një person mori një pako me rroba nga Amerika me vlerë rreth 20 dollarë, por autoritetet e postës i vunë detyrim doganor 250 dollarë. Prandaj, personi i shkroi përsëri vëllait të tij në Amerikë që t’i dërgonte shumën në fjalë. I vëllai u habit dhe i shkroi banorëve të tjerë të fshatit për të pyetur nëse i vëllai ishte çmendur, por ata i thanë se ishte e vërtetë dhe nuk ishte çmendur vëllai i tij, por situata në vend. Edhe në 1951, Ahmet Abazi nga Konispoli mori një pako me rroba nga SHBA me vlerë rreth 14 dollarë, dhe qeveria i vuri detyrim doganor 360 dollarë. Ai e la pakon në postë. Refugjati Muharrem Mullaj nga fshati Floqi raporton se nga torturat e agjentëve të Sigurimit në Korçë, i arrestuari Arqile Gostivishti kishte humbur një këmbë. Bijtë e familjeve të shpallura “kulake” duhet të bënin dy vjet shërbim ushtarak dhe dy vjet punë të detyruar. Në vitin 1951, komunistët detyronin fshatarët të dorëzonin më shumë prodhime nga sa kërkohej. Sipas vendimeve të partisë, komunistët caktojnë një sasi të caktuar për çdo fshat sipas planit, të cilën Këshilli i Fshatit e ndante si dëshironte mes fshatarëve, gjë që ishte shumë e rëndë. Masa të ashpra merreshin ndaj atyre që nuk bindeshin. Zoti Edibe Yze ka qenë disa vjet i burgosur në kampin e Kamzës dhe është liruar në fund të vitit 1950, tregon se rreth 40 fëmijë të vegjël kanë vdekur në atë kamp nga mungesa e ushqimit, higjienës dhe kushtet e rënda të jetesës. Ai mbante mend edhe emrat: bija e Osman Pajakut nga Pogradeci, biri i Qamil Çollakut nga Bilishti, bija e Sabri Leminotit nga Korça, bija e Rrapo Selcës nga Gora e Korçës, bija e Shero Tresovës nga Korça, biri i Dagoricës nga Korça, biri i Batire Oshafit nga Pogradeci, bija e Tosun Hoxhallarit nga Tresova, biri i Kajam Ceravës nga Pogradeci, dy vajza të vogla nga Halarupi dhe një djalë brenda një dite, mamaja e Kajim Ceravës, gruaja e vjetër Brakollari nga Dushari, dhe Ligor Gjata nga Bilishti. Pas torturave të shumta të Sigurimit vdiq edhe Isa Bilishti. Kadri Petri që erdhi në Greqi më 16 mars 1952, raporton se në burgun e Korçës vdiq nga vuajtjet Bektash Panariti nga Korça.
Dëshmia e Mefail Totlakut
45 vjeçari Mefail Totlaku ka jetuar në fshatin Tren të Bilishtit. Ai deklaroi se në zonën e tij nuk ka rezistencë të organizuar ndaj regjimit. Njerëzit janë në dijeni të rezistencës së emigracionit dhe komitetit të NCFA dhe shpresat e çlirimit i kanë varur aty. Njerëzit e shikonin pozitivisht SHBA dhe Britaninë edhe pse më shumë i trembeshin ambicieve territoriale të fqinjëve. Sipas tij, në zonën e Bilishtit shtëpitë më të sigurta kundër komunistëve janë Ismail Kape, Ramadan Mehmeti, Haki Mydini, Arif Ramadani, Refat Medani, Estref Medani, Reshit Ganiu, Hysni Kolami, Zeqir Baktashi, Shyqyri Muharemi, Foto Jorgji e Rahim Hajrullahu, të gjithë nga fshati Tren. Nga fshati i Bitiçkës ishin Qamil Saliko, Elmaz Shabani, Nazif Sulejmani. Kohët e fundit në fshatin e tij nuk kishte pasur arrestime, ai kishte dëgjuar për njerëz që ishin arratisur nga malet. Ai personalisht nuk kishte parë gjurmët e NCFA, por kushëriri i tij, Nazif Kape, ka parë një fletushkë të lëshuar nga një avion, ku thuhej që populli duhet të kishte durim pasi Shqipëria do të çlirohej nga NCFA me ndihmën e fuqive perëndimore. Agjentët e pushtetit të zonës së tij ishin Gure Kolami, sekretar i organizatës bazë, Rustem Kolami, brigadier i kooperativës, Tosi Skordileva, Zenel Rexhepi agjent i Sigurimit, Resul Zhyleku, Enver Kape, sekretar i rinisë, të cilët jetojnë në Tren dhe veshin rroba civile.
Udhëtimi
Në Shqipëri nuk ka makina private dhe kamionët e vjetër që ekzistojnë, nuk mjaftojnë për nevojat e udhëtarëve të cilët duhet të presin disa ditë për të gjetur mjete udhëtimi. Ai ka parë se në Berat dhe Rrogozhinë përveç biletave, kontrollohen edhe letërnjoftimet. Për të udhëtuar nga Korça në Berat ai kishte paguar 160 lek. Letërnjoftimin e ka marrë në vitin 1948.
Kushtet e jetesës
Valuta e vetme që qarkullon në Shqipëri është Leku. Ushqimi dhe veshjet janë të racionuara. Anëtarët e lartë të partisë gjejnë çdo ushqim me lehtësi dhe mbështeten nga administrata e ushqimit. Tregu i zi praktikohet me anë të disa dyqaneve të veçanta. Ka disa kooperativa këmbimi ku fshatarët këmbejnë mallra, por shpeshherë këto kooperativa mbeten pa ushqim. Shumica e artikujve të rëndësishëm ushqimorë mungojnë, si veshjet, sheqeri, kafja, orizi, sapuni e kripa.
Kolektivizimi
130 familjeve të fshatit tonë i janë bashkuar edhe 70 familje në kooperativën bujqësore. Megjithëse shumica nuk donin të merrnin pjesë, ato u detyruan ta bënin sepse ndryshe nuk mund të plotësonin detyrimet e tyre ndaj shtetit. Të gjithë bujqit kooperativistë janë të pakënaqur por nuk mund të qëndrojnë jashtë pasi humbasin kafshët e tyre dhe mjetet e punës që i dorëzuan në kooperativë kur hynë. Shumë anëtarë të kooperativës sabotojnë duke thyer veglat apo duke punuar keq. Ata që zbulohen përjashtohen për disa muaj dhe u hiqet e drejta e shpërblimit. Kolektivizimi i detyruar urrehet në të gjithë vendin.
Letër e shkruar nga diversanti shqiptar për misionin në Shqipëri dhe përballjen me forcat e sigurimit, CIA dërgonte diversantë kosovarë pasi shqiptarët refuzonin
11 janar 1952
Letër sensitive e shkruar nga agjenti shqiptar
Më poshtë kemi një letër të shkruar nga agjenti ynë ish-operator radio, gjatë regjimit të ndalimit të komunikimeve. U detyruan që ta bëjmë këtë një shembull për raste të tjera thyerjeje disipline.
Pas disa trajtimeve të ashpra, ai është kthyer menjëherë në bazën LFClake dhe më tej do të dërgohet në ishullin e Jugut të Peloponezit ku nuk do të mund të përfshihet më në shkrime letrash.
Letra
Letra e Haki Terpezes nga kampi i Bagnolit, Itali, për vëllanë e tij, u përkthye nga zyrtarët grekë: I dashur vëlla Hysen. Po të dërgoj këtë letër edhe pse nuk më lejohet të shkruaj letra, sepse dua të të tregoj për jetën tonë. Siç e di, i dashur vëlla u largova nga kompania dhe qëndrova për katër muaj në Gjermani për trajnim. Ceni, Ramazani dhe disa shokë të tjerë erdhën disa muaj më vonë. U thanë se donim të kalonim nga Greqia për të marrë me vete Hysen Shalkun, që të bëheshim një grup me pesë veta, bashkë me një kosovar të quajtur Abdullah. Hipëm në një avion dhe arritëm në Shqipëri më 14 tetor. Ata na lëshuan në një terren shumë të keq. Hyseni u plagos në këmbë. U lëshuam me parashutë në mesnatë dhe kur kishim mbledhur të gjitha materialet kishte vajtur ora katër e mëngjesit. Hyseni nuk e njihte terrenin dhe as ne. Në mëngjes, dhjetë minuta para nisjes së betejës, dëgjuam të shtënën e parë teksa po kalonim rrëzë një kodre. Prej atëherë nuk e kemi parë më njëri-tjetrin. Beteja vazhdoi prej mëngjesit deri në 4 të pasdites. Gjendeshim në mes të komunistëve pa ditur ku të shkonim, sepse nuk e njihnim terrenin. Rreth orës 4 arritëm të çanim rrethimin dhe u larguam. Qëndruam në Shqipëri për tre ditë dhe ditën e katërt kaluam kufirin për në Jugosllavi, në Dibër të Madhe. Falë zotit Ramazani kishte qenë më parë në Dibër dhe na çoi te kufiri. Por ne nuk e dinim se ku ishin fushat e minuara dhe kishim frikë se mos kapeshim të gjallë nga komunistët. Nuk kishim municione dhe prej disa ditësh ishim pa bukë. Po ecnim në dëborë deri në mes, ishim të lodhur dhe nuk kishim ku të shkonim. Por të paktën kishim kaluar kufirin dhe kur arritën në Kosovë shkuam te shtëpia e një mikut të Ramazanit, i cili na dha bukë dhe ushqim për udhëtimin tonë në Greqi. Sa për Cenin dhe Hysenin, zoti e di ç’është bërë me ta. Nëse nuk janë vrarë para se të binte errësira, mund të jenë të gjallë. Nëse ke dëgjuar gjë për ta, me letër apo në radio, më trego, sepse jam shumë i shqetësuar. Por qëkur e kam pranuar këtë punë, nuk mund të bësh asgjë. Kësaj here nuk u dërguam të luftonim por për të përhapur propagandë mes njerëzve. Por çfarë lloj propagande mund të bëjmë ne kosovarët në Shqipëri? Kjo propagandë është e kotë. Nëse do të ketë luftë, ne jemi gati, por komunistët nuk frikësohen nga katër a pesë persona. Tani dua të të them diçka tjetër. Shumë shqiptarë, edhe nga ata të lindur në Shqipëri, kanë refuzuar të shkojnë atje. Por nëse nuk shkojnë ata, kush duhet të shkojë? Po për Kosovën kush duhet të luftojë, kur këta maskarenj refuzojnë të shkojnë në vendin e tyre? Epo Hysen, nëse ata më thonë të shkoj përsëri me Ramazanin e me katër a pesë të tjerë, unë nuk shkoj më. Më vjen turp t’i them “jo” amerikanëve. Në lidhje me Komitetin as nuk dua t’ia di fare më, pasi të gjithë ata që kanë shkuar në Shqipëri janë vrarë. Ja ku ke ca emra: Hamit Shkodra është vrarë bashkë me katër të tjerë; Sejdi Baza është vrarë bashkë me katër të tjerë. Më vjen shumë keq për Sejdiun, një burrë 50 vjeçar që nuk kishte mbajtur kurrë një armë në dorë, në një kohë kur kishte shumë të tjerë më të rinj që mund të kishin shkuar para tij, më duket se e ka dërguar Xhemal Lesi, nuk besoj se ka qenë Abaz Kupi. Përse nuk shkoi vetë Xhemal Laçi? Zir Kabashi është arrestuar, kurse Safet Pokuli dhe Lata nuk shkuan, refuzuan. Muhamet Hoxha është kapur bashkë me disa miq të tij, por besoj se e ke dëgjuar. Pres përgjigje nga ty. Vëllai yt Haki.