Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, ja si u prishën marrëdhëniet me rusët dhe si nisi bashkëpunimi me Kinën, Pekini ofroi 112 milionë rubla dhe investime në industri, kush ishin negociatorët dhe lavdet për Enver Hoxhën

Dokumentet e CIA, ja si u prishën marrëdhëniet me rusët dhe si nisi bashkëpunimi me Kinën, Pekini ofroi 112 milionë rubla dhe investime në industri, kush ishin negociatorët dhe lavdet për Enver Hoxhën

 

Shërbimi inteligjent amerikan ka zbuluar detaje interesante sa i takon nisjes së bashkëpunimit Shqipëri-Kinë në vitin 1961dhe prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, thuhet se, që kur u mbajt kongresi i partisë në këtë vit, u panë shenja nervozizmi ndaj Moskës. Nga ana tjetër jepen emrat e dy personazheve që arritën të vendosnin marrëdhënie me Kinën. Më 14 mars u dërgua një delegacion shqiptar në Kinë me zv/kryetar Pupo Shyti, ndërsa kryetari ishte Abdyl Kellezi, që shkoi 1 muaj më vonë. Pikërisht në këtë takim nisi dhe fryma e re e bashkëpunimit mes dy vendeve komuniste. Nga ana tjetër tregohet se si marrëdhëniet me rusët nisën të shkonin drejt fundit, ku në Paktin e Varshavës pati shumë kritika për qëndrimet e Tiranës.

5 maj 1961

Raport mbi radio propaganden

Rritja e tensionimit mes Moskës dhe Shqipërisë

Që prej kongresit të shkurtit të Partisë së Punës të Shqipërisë po akumulohen shenjat e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve satelite sovjetike. Në kongres, Shqipëria u shpreh sfiduese ndaj tutelës sovjetike. Në prill, radio komuniste me bazë në Pragë “Oggi in Italia” publikoi artikullin e një gazete komuniste italiane, ku flitej për kritika direkte ndaj Shqipërisë nga një zëdhënës i lartë komunist. Gjatë dy muajve të fundit, marrëdhëniet shqiptaro-polake po karakterizohen nga një antagonizëm gjithnjë e më i hapur. Ndërsa marrëdhëniet e Shqipërisë me BRSS kanë mbetur në dukje korrekte, por janë përkeqësuar nga përpjekjet e Rusisë për t’u afruar me armikun e hershëm të Shqipërisë, Jugosllavinë, si dhe nga propaganda favorizuese e sovjetikëve për një konferencë në Berlin, ku Shqipëria ishte e përjashtuar. Këto zhvillime po ndodhin në një sfond propagande dhe aktivitetesh që tregojnë për një marrëdhënie të ngushtë mes Tiranës dhe Pekinit.

Forcimi i lidhjeve komuniste mes Shqipërisë dhe Kinës

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën po bëhen gjithnjë e më të sjellshme që prej kongresit të katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili përfundoi më 20 shkurt. Dy vendet po i japin mbulim favorizues zhvillimeve në Shqipëri dhe Kinë. Përveç kësaj, Tirana në disa raste ka treguar simpatinë për Republikën Popullore të Kinës dhe pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Një prej shembujve ishte mungesa e delegacioneve nga Kina e Shqipëria në festën e pavarësisë së Senegalit, ku Kina protestonte ndaj prezencës së një lideri nacionalist kinez, në një kohë kur sovjetikët kishin dërguar një delegacion të gjerë, bashkë me përfaqësues nga vende të tjera satelite sovjetike.

Marrëveshja e ndihmës dhe tregtia me Kinën

Ngjarja kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-kineze që prej kongresit të partisë, është marrëveshja tregtare e nënshkruar në prill, e cila ka si qëllim forcimin e Shqipërisë ndaj presionit sovjetik, çka dukej qartë nga propaganda që iu bë nga të dyja palët. Deklarata e lëshuar në përfundim të bisedimeve ekonomike, e përshkruar si një pakt i sinqertë i paprecedentë, thoshte se Kina pranonte të jepte një kredi prej 112 milionë rubla për financimin e 25 komplekseve industriale dhe të mjeteve bujqësore, fusha për të cilat kishte qenë esenciale asistenca sovjetike në të kaluarën. Çdo fazë e negociatave deri në arritjen e marrëveshjes finale, u shoqërua me shfaqje të miqësisë dypalëshe. Më 14 mars, delegacioni shqiptar erdhi në Pekin me zëvendës-kryetar Pupo Shyti (në këtë pikë, as Pekini e as Tirana nuk kishin njoftuar emrin e kreut të delegacionit, i cili nuk kishte ardhur ende). Një banket u dha në nder të delegacionit, ku folësit kinezë lavdëruan Enver Hoxhën dhe deklaruan se Shqipëria mbështeste të njëjtat parime dhe politika kryesore të Republikës së Kinës. Ardhja më vonë e kreut të delegacionit shqiptar Abdyl Kellezi , pas një muaji, u dha atyre një tjetër mundësi të deklaronin mbështetjen reciproke. Zëvendës-kryeministri kinez,  Li Sien Nien, deklaroi: Çdo provokim kundër Shqipërisë është një provokim kundër të gjithë vendeve socialiste dhe kundër popullit kinez.

Deklarimet në media

Mbyllja e protokolleve ekonomike solli dhe demonstrata mirënjohjeje, ndërsa radio Tirana deklaronte: Populli kinez, partia e qeveria e tyre po japin një kontribut të vlefshëm në ruajtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit kundrejt sulmeve të egra të disa elementeve devijues, të revizionistëve modernë me në krye Beogradin. Transmetimi i thurte lavde Mao Ce Dunit dhe bënte thirrje për marrëdhënie më të afërta.

Takimi i Paktit të Varshavës

Marrëdhënia e ngushtë mes vendeve u demonstrua edhe pas takimit të Paktit të Varshavës në Moskë, që përfundoi më 30 mars. Delegacioni shqiptar aty përbëhej nga zyrtarë të një niveli shumë të ulët, të cilët u larguan menjëherë pas mbylljes së takimit. Delegacioni drejtohej nga Behar Shtylla dhe përfshinte dhe Abdyl Kellezin, i cili më vonë do të shkonte në Pekin si drejtues i delegacionit shqiptar në Pekin. Raportimet e mediave jugosllave pretendonin se mes temave të diskutuara në Moskë ishte dhe ajo e sjelljes rebele të Tiranës dhe masat që duhet të merreshin për këtë. Më 3 prill, Tirana njoftoi se Shehu kishte pritur ambasadorin kinez, Lo Shi Kao, në të njëjtën ditë, për një diskutim mbi disa tema të pacaktuara, duke treguar se Shqipëria e Kina po qëndronin në kontakt mbi çështjen.

Kongresi i sindikatave shqiptare

Temat e qarta pro-kineze u dalluan në kongresin e pestë të partisë që u hap më 24 prill. Folësit kryesorë Marko e Nushi iu referuan në mënyrë të veçantë Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, dhe sipas transmetimeve të Radio Tiranës fjalimet për sindikatat e punës zinin vetëm një pjesë të vogël të diskutimeve. Ata sulmuan revizionizmin dhe imperializmin, duke lavdëruar unitetin e partisë me liderin Enver Hoxha, dhe në kundërshtim me linjën sovjetike të politikës së jashtme, Shqipëria mohoi mundësinë e tranzicionit paqësor drejt socializmit. Në një gjuhë të ngjashme me atë të Pekinit, shqiptarët insistonin për revolucionin e dhunshëm. Sekretari i komitetit qendror të partisë, Rita Marko tha: “A mund të besohet se imperializmi, duke kërkuar një balancim forcash, të heqë dorë vullnetarisht nga interesat e tij në favor të socializmit? Vetëm revizionistët modernë dhe disa langoj të imperializmit, përpiqen të bindin popullin punëtor për një integrim paqësor të kapitalizmit në socializëm, në mënyrë që populli të vuajë për socializmin dhe të mos e arrijë kurrë. Jo, shokë. Paqja, liria e socializmi nuk mund të arrihen duarlidhur. Ato nuk vijnë si një dhuratë, por ato fitohen me luftë, përpjekje dhe aktivitet të organizuar revolucionar”.

Lëvizjet drejt izolimit të Tiranës në Evropën komuniste

Partia e Punës së Shqipërisë nuk është kritikuar ashpër nga një zëdhënës i bllokut komunist, por nga një prej komunistëve të njohur të Perëndimit, italianit Palmiro Togliatti. Në një artikull me titull “Një politikë e shtrembëruar”, jugosllavët përmblidhnin kritikën e Togliatti, në këtë formë: “Pas deklaratës së Ualter Ulbticht mbi dogmatismin dhe sektarianizmin e liderëve shqiptarë në konferencën e partive komuniste në Moskë, tani vjen një artikull nga Palmiro Togliatti ku deklarohet se në Shqipëri “çështjet jetësore dhe diskutimet brenda partisë trajtohen në një mënyrë që për ne është e gabuar dhe e rrezikshme”. Artikulli i Togliatti u botua në revistën italiane Rinascita në prill 1961, dhe është transmetuar nga radio Çekosllovake në 1 prill 1961. Në artikull Togliatti deklaron: “Kështu ne mësuam nga shokët që morën pjesë në kongresin e fundit të partisë shqiptare, se çështjet e jetës së brendshme të partisë trajtoheshin në një mënyrë që ne na duket e gabuar dhe e rrezikshme. Ne e thamë mendimin tonë por përgjegjësia për korrektimin nuk qëndron te ne”. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Poloninë kanë marrë një kthesë nga përkeqësimi që prej mbështetjes së fuqishme sovjetike të sekretarit të Partisë Komuniste polake Roman Novak, dhe kritikave të tij ndaj kongresit të Partisë Komuniste shqiptare. Pas zhvillimit, ambasadori polak në Tiranë është larguar dhe as nuk është kthyer as nuk është zëvendësuar. Shqipëria është i vetmi vend i bllokut komunist që nuk i dërgoi mesazh zyrtar presidentit polak Cirankievic për 50 vjetorin.

Marrëdhëniet me BRSS

Ndërkohë, marrëdhëniet e shtetit sovjetik janë përmirësuar me Jugosllavinë, duke sjell mjaft zhgënjim në Tiranë. Partia Komuniste shqiptare është shumë e zhgënjyer që duhet të tregojë më pak urrejtje ndaj armikut të saj të vjetër. BRSS ka nisur negociatat për një marrëveshje afatgjatë tregtie me Jugosllavinë, pesë ditë pas mbylljes së kongresit të partisë shqiptare. Negociatat u mbyllën në favor të jugosllavëve, me marrëveshjen për dyfishimin e volumit të tregtisë së vitit 1960, ndërsa me Shqipërinë, sovjetikët kanë nënshkruar një akord një-vjeçar që sjell vetëm një rritje prej shtatë për qind në krahasim me vitin e kaluar. Marrëdhëniet direkte shqiptaro-sovjetike nuk kanë ndryshuar shumë që prej kongresit të partisë shqiptare në shkurt. Mos marrja pjesë e Hoxhës e Shehut në Paktin e Varshavës tregoi tensionim të marrëdhënieve, por propaganda e Moskës është përpjekur shumë për të reklamuar shërbimet e mëparshme të sovjetikëve ndaj Shqipërisë. Moska shfrytëzoi gjithashtu përvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia (21 prill 1939), për t’i kujtuar asaj borxhin e çlirimit nga ushtritë fashiste si dhe linjën aktuale të politikës së jashtme. Shqiptarëve iu kujtuan gjithashtu avantazhet e anëtarësisë në Paktin e Varshavës.

Gjithashtu, gjatë kohës kur në Pekin po përfundonte nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike mes Kinës e Shqipërisë, Radio Moska lavdëronte përvjetorin e katërt (18 prill) të deklaratës së vitit 1957 mes Shqipërisë dhe BRSS në Moskë. Ajo i kujtonte me nostalgji audiencës shqiptare “ditët plot diell” kur liderët shqiptarë priteshin me entuziazëm kudo që shkonin, duke detajuar më tej dhuratat që kishte marrë populli shqiptar si rezultat i miqësisë. Sipas llogaritjeve të tyre, dhuratat arrinin 435 milionë rubla në mallra ekonomike. Ndërsa huat ekonomike që po ofroheshin nga Kina, arrinin në 500 milionë rubla.

Plani operacional për Shqipërinë 1954

Shqipëria është vendi më i vogël satelit i Bashkimit Sovjetik dhe një pikë e izoluar e komunizmit, me rëndësi shumë të vogël ushtarake, përveç një kërcënimi të pallogaritshëm në kufirin jugosllav, apo në formën e një baze për të rindezur luftën civile greke. Në disa kushte të caktuara ndërkombëtare, ajo mund të shërbejë si një pretekst për konsolidimin e hegjemonisë komuniste në formën e bashkimit të mundshëm të kufirit me Bullgarinë përgjatë juglindjes së Jugosllavisë.

Objektivat afat-gjatë

Marrja e informacioneve pozitive për çështjet politike, ekonomike e ushtarake mbi Shqipërinë, ruajtja dhe përforcimi i shpresës së çlirimit të popullit shqiptar dhe nxitja e dëshirës për rezistencë ndaj komunizmit. Dëmtimi i strukturave politike, ekonomike e ushtarake në Shqipëri; krijim i mjeteve dhe i terrenit për një ndarje të mundshme të Shqipërisë nga blloku sovjetik.

Përmbledhje e inteligjencës mbi Shqipërinë: Shqipëria është një shtet tipik policor me struktura të forta sigurie. Deri në vitin 1953, popullata frikësohej aq shumë sa nuk mbështeste individët apo grupet klandestine, por më vonë u dallua një ndryshim pasi pas vitit 1953 grupet e infiltruara nisën të merrnin ndihmë të konsiderueshme nga popullata, veçanërisht në rajonet malore veriore. Ndryshimi besohet të ketë ardhur prej faktit të përmirësimit të inteligjencës dhe rritjes së kalibrit të përgatitjes së operacioneve. Ushtria e vendit nuk mund të konsiderohet një element besnik i regjimit por policia sekrete (Sigurimi) me rreth 10 000 anëtarë, është një armë e fortë dhe besnike e diktaturës.

Arritjet

Me anë të grupeve të infiltruara dhe burimeve të tjera, është arritur një mbulim i përgjithshëm i objektivave të inteligjencës në Shqipëri. Me anë të fushatave të përqendruara të transmetimeve klandestine radio dhe broshurave të lëshuara nga ajri, kemi krijuar një atmosferë më të mirë ku agjentët tanë të veprojnë. Gjatë vitit 1953 kemi kryer rreth 20 infiltrime dhe 75 kontakte radio me agjentët. Kemi lëshuar çdo muaj tekste propagande, ashtu si dhe furnizime për agjentët në terren.

Aftësitë aktuale operacionale

Gjatë tre viteve të fundit, rreth 1200 liderë me rreth 12 000 ndjekës raportohen të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me agjentët tanë, nëse u jepen materialet dhe drejtimi i duhur. Ky numër mund të duket i lartë, por duket se ka ende potencial për grupe të tjera rezistence që mund të aktivizohen në momentin e duhur. Grupe operative kanë raportuar prej vitit 1952 për rekrutimin e 31 liderëve me rreth 600 ndjekës nën komandë, dhe tentativa po bëhen për ruajtjen e entuziazmit të rezistencës, pa e nxituar atë në veprime që mund të jenë të parakohshme.

Veprime po kryhen për krijimin e bazave të sigurta për mbështetjen e operacioneve kundër Shqipërisë. Është krijuar një bazë stërvitjeje dhe një bazë për transmetime propagande, këto të fundit të monitoruara për forcën e sinjalit dhe për monitorime të stacionit shtetëror shqiptar.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën po bëhen gjithnjë e më të sjellshme që prej kongresit të katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili përfundoi më 20 shkurt. Dy vendet po i japim mbulim favorizues zhvillimeve në Shqipëri dhe Kinë. Përveç kësaj Tirana në disa raste ka treguar simpatinë për Republikën Popullore të Kinës dhe pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik…

Ngjarja kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-kineze që prej kongresit të partisë, është marrëveshja tregtare e nënshkruar në prill, e cila ka si qëllim forcimin e Shqipërisë ndaj presionit sovjetik, çka dukej qartë nga propaganda që iu bë nga të dyja palët. Deklarata e lëshuar në përfundim të bisedimeve ekonomike, e përshkruar si një pakt i sinqertë i paprecedentë, thoshte se Kina pranonte të jepte një kredi prej 112 milionë rubla për financimin e 25 komplekseve industriale…

Please follow and like us: