Albspirit

Media/News/Publishing

Genc POLLO: E pabesueshme, por e vërtetë!

 

E pabesueshme por e vërtetë!

E pabesueshme në një vend normal.

E vërtetë në Shqipërinë rilindiste.

Që kreu i degës së Partisë Socialiste Peqin:

1.-të ketë rastisur ish hajdut i dënuar për vjedhje të pasurisë socialiste nga gjykatat e Partisë së Punës;

2.-të jetë dëbuar nga Italia pas horrllëqeve me “mishin e bardhë”;

3.–të ketë marrë nje license të paligjshme nga bashkia socialiste Tiranë e me të të bëjë goxha para me plehrat e qytetit;

4.-të ketë punësuar të mitur në të zezë;

5.-të ketë shkelur rëndshëm rregullat e sigurimit teknik me pasojë vdekjen e një 17 vjeçari;

6.-dhe të jetë arratisur e fshehur të fshihet pasi prokuroria i preu urdhër-arrestin.

Të gjitha këto nuk janë “normale” por ja që ndodhën.

Ajo që trondit më shumë nga të gjitha është heshtja e udhëheqjes politike. Asnjë fjalë nga socialistët peqinas, nëse ka mbetur ndonjë syresh në strukturat rilindiste. Nuk ka qendrim “na turpëroi, të ikë, ta heqim” ose edhe ” e duam Edurimin, është djalë i mirë, nuk ka faj po e baltosin kot”. Asnjë llaf nga Veliaj, (përveç ca mallkimeve kalimtare për opozitën e ca kërcënimeve për romët e avokatët e tyre), nga këshilltarët socrilindistë e aleatët ls-integristë (që votuan për kontratën e plehrave) apo nga PS e Tiranës për tragjedinë e për skandalin e Sharrës. Asnjë tingull nga FREShi zhurmatar që duket i memecosur para fatkeqsisë së të riut e shkaktarëve të saj. As edhe një togfjalësh nga shefrilindisti, i cili shfaqet aty këtu për të shpjeguar gënjeshtrat e stadiumit e për të mallkuar sipas rastit median e opozitën, por nuk bëzan për mynxyrën që bëjnë njerëzit e tij nën hundën e tij. As edhe një thirrje Edurimit të tij për t’ju dorëzuar Policisë.

As keqardhje e ngushëllim për Arditin e të tijtë, as kritikë apo qoftë dhe pyetje për licencen dhënë Edurimit e zullumet që pasuan atë.

E shpreha shqetësimin për këtë lloj mosreagimi dy muaj më parë me rastin e arrestimit të Elvis-Ervin-Enver Roshit (e gjeni më poshtë nëse përsëritja nuk ju mërzit) duke argumentuar se kjo heshtje është në fakt shumë më e rëndë e më keqe se vetë skandali apo krimi. Eshtë në fakt një apologji latente e skandalit dhe e krimit.

Që atëherë E.E.E. Roshi, në arrest shtëpie, u shfaq dy herë publikisht: për të nënshkruar me një kompani private një kontratë tre milion euro për sistemime e ndërtime në një përrua si dhe për të shtruar iftar për punonjëset e bashkisë të gjinisë femërore.

Postim 17 qershor 2017

Kur heshtja është më e keqe se skandali.

Heshtja e qeverisë kundrejt skandaleve të bën po aq përshtypje (të keqe, kuptohet) sa dhe vetë skandalet. Të qartësojmë që në fillim se skandale ndodhin kudo. Ndoshta jo kaq të rënda e kaq të shpeshta sa nën qeverinë socrilindiste por ndodhin se e tillë është natyra njerëzore. Gjëja që bën dallimin është si reagojnë ndaj tyre njerëzit në rradhë të parë ata që kanë përgjegjësi e pushtet. Pra kryesisht qeveria. Ndërkohë ka ndodhur episodi i fundit i skandalit E.E.E. Roshi (E e tretë për Enverin) me dorëheqje, pastaj tërheqje, pastaj arrestim në qeli e më pas në shtëpi. E vetmja gjë që Edi Rama ka thënë është që Roshi të përballet me drejtësinë. Përballjen me të e pamë bashkë me presionet ndaj saj. Por a mundet një parti e madhe, e për më tepër në pushtet, të kridhet në heshtje e abstinecë verbale kur një figurë e spikatur e saj si E.E.E. Roshi, dy herë i kandiduar prej saj ekspozohet me zullumet e tij në këtë farë feje. A nuk do të ishte normale që një kryetar a zëdhënës i PS së Kavajës të distancohej nga Roshi? Të dënonte krimet e tij e ti kërkonte dorëheqjen si kryebashkiak duke e iniciuar njëkohësisht pezullimin apo anullimin e anëtarësisë partiake. Apo, në rastin tjetër, ti dilte për zot e të thoshte se akuzat janë shpifje e thashetheme të opozitës, prokurorisë e policive euroamerikane dhe se ata e mbështesin E.E.E. Roshin madje krenohen me qytetarin e parë kavajas. Por të pozicionohen ama! Nëse nuk kanë shpatulla ta mbajnë këtë barrë socrilindistët e qytetit lipset që të reagojë dikush në selinë qendrore të PS, Rama a një zëdhënës i tij.

Kjo do të ndodhte në një vend normal. Vrrik e me të drejtë do të më kujtoni se jetojmë në anormalitet dhe këta që përmende janë superanormalë.

Vrrik e qartë do t’ju gjegjesha se megjithëse keni të drejtë nuk duhet të humbim sysh normalen e dëshiruar apo edhe të përpiqemi e lëftojmë për të e për të tjera.

Please follow and like us: