Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në dhjetor. Presidenti nuk hedh short në gusht, pas çorbës kushtetuese të ekspertëve të shkëlqyer
Presidenti i Republikës nuk do të hedhë shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi brenda 16 Gushtit. Kushtetuta e re ia kërkon Nishanit që të hedhë shortin pesë ditë pasi ka hyrë në fuqi, por për të bërë këtë gjë, kreut të shtetit i duhet të bazohet në ligjin organik për Këshillin e Emërimeve, i cili ende nuk është miratuar. Lajmi bëhet i ditur nga Tv Klan, sipas të cilit “kreu i shtetit, pas komunikimit me Kuvendin dhe bazuar tek sugjerimet e kreut të Grupit Parlamentar socialist, gjatë takimit të ditës së martë, ka vendosur të dëgjojë propozimin e tyre dhe të presë miratimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ligj ku përcaktohen kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për anëtarët të këtij institucioni të ri dhe vetëm pas kësaj, të hedhë shortin”.
Kjo është gafë që u heq atyre ekspertëve të cilëve u kërkoi falje edhe kryeministri për gjoja baltën që u hodh mbi ta, edhe atë cipë profesionalizmi dhe aureole që e kishin më shumë autosugjestionuar. Problemi krijohet nga ndryshimet dhe shtesat në nenin 179, i cili rregullon mandatet e organeve kushtetuese ekzistuese. Në pikën 11 të nenit 179 thuhet:
“Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi , sipas nenit 149/d, pika 3 të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë diteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”. Që do të thotë se këtë proces Bujar Nishani duhet ta nisë më 16 gusht, pra pesë ditë pas 11 gushtit kur hyn në fuqi Kushtetuta e re që do rregullojë Shqipërinë.
Por po këta ekspertë të nderuar, nën dirigjimin e Fatmir Xhafës kanë shkruajtur këtë teskt në nenin 149/d, pika 5, i cili rregullon veprimtarinë e KED-së në përgjithësi:
“5. Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj”.
Presidenti ka gjykuar se shorti nuk duhet hedhur. Dhe me shumë gjasë ka të drejtë, pasi këtu kemi të bëjmë me një lajthitje të ligjvënësit në afate. Duke qenë KED një organ, veprimtaria dhe kriteret e emërimit të anëtarëve të të cilit caktohen me ligjin organik, duhet pritur patjetër ligji i ri. Dhe Nishani e ka klauzolën që i jep të drejtë. Në nenin 149/d, pika 3 thuhet qartë se:
“3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat një vjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 1O dhjetor të atij viti kalendarik”.
Që do të thotë se KED do të vijë në vëmendje në muajin dhjetor. Po klauzolën e pesë ditëshit çfarë ta bëjë Kushtetuta tani që nuk vlen më për asgjë?