Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Londra sundonte botën

Në vitet 1780, Londra e kishte zëvendësuar Amsterdamin si qendër financiare të sistemit evropian të globalizuar të shteteve – dhe Mbretëria e Bashkuar u bë përfituesja kryesore e konkurencës ndërshtetërore për kapital. Gjeopolitikisht, sistemi i shteteve i krijuar në Vestfali nën udhëheqjen holandeze kish qenë realisht anarkik – i karakterizuar nga mungesa e rregullave qendrore. Në të kundërt, sistemi ndërshtetëror i rivendosur pas Luftërave Napoleonike nën udhëheqjen britanike, ishte një në të cilin ekuilibri evropian i fuqive u transformua, të paktën për pak kohë, në një instrument të sundimit informal britanik. Pasi kishin zotëruar tashmë nën kontrollin e tyre këtë ekuilibër të fuqive, britanikët ndërmorën një numër hapash për të siguruar që do të qëndronte në duart e tyre. Së pari, ata garantuan qeveritë absolutiste të Evropës Kontinentale të organizuara në Aleancën e Shenjtë se ndryshimet në ekuilibrin e fuqive do të ndodhnin vetëm përmes konsultimeve në Koncertin e sapokrijuar të Evropës. Dhe së dyti, ata krijuan dy kundërpesha për fuqinë e tyre. Ata kërkuan – dhe arritën të sigurojnë – që Franca e mundur të përfshihet në Fuqitë e Mëdha, megjithëse mbahej nën kontroll për shkak se renditej mes fuqive të dorës së dytë.

Dhe në Amerikat, ata ndeshën në projektin e Aleancës së Shenjtë për të rivendosur sundimin kolonial përmes shpalljes së parimit të mosndërhyrjes në Amerikën Latine – dhe duke ftuar Shtetet e Bashkuara që të mbështesin këtë parim. Ajo që më vonë u bë doktrina Monro – ideja që Evropa nuk duhej të ndërhynte në çështjet amerikane – ishte fillimisht një politikë britanike.

Duke ndjekur interesin e vet kombëtar në ruajtje dhe konsolidim të një strukture fuqish të fragmentuar dhe balancuar në Evropën kontinentale, Britania ushqeu perceptimin se fuqia e vet e madhe në botë po ushtrohej për interesin e saj të përgjithshëm.

Synonte t’u shërbente interesave të ish armiqve, por edhe ish aleatëve të republikave të reja të Amerikave dhe monarkive të vjetra të Evropës.

Ky perceptim u konsolidua nga liberalizimi unilateral i tregtisë prej Britanisë, që e pati kulmin në shfuqizimin e Ligjeve të Drithërave në 1848 – si dhe Ligjeve të Lundrimit në 1849. Në 20 vitet që pasuan, afërsisht një e treta e eksporteve të të gjithë botës shkonin në Britani.

Shtetet e Bashkuara, me pothuajse 25 % të të gjithë importeve dhe eksporteve, ishin partneri më i madh tregtar i Britanisë, ndërkohë që shtetet evropianë zinin një tjetër 25 përqindësh.

 

PËRFSHIRJA E PERËNDIMIT

Përmes kësaj politike Britania uli kostot e brendshme të furnizimeve të vet jetësorë – dhe në të njëjtën kohë, siguroi mënyrat për pagesë për vendet e tjerë nga prodhuesit e saj. Ajo tërhoqi gjithashtu pjesën më të madhe të botës perëndimore në orbitën e vet tregtare – duke nxitur bashkëpunimin ndërshtetëror dhe siguruar kosto të ulëta mbrojtjeje për tregtinë e vet jashtë vendit si dhe perandorinë territoriale. Ndryshe nga sistemi tregtar holandez i shekullit 17, i cili ishte puro komercial, sistemi tregtar britanik i shekullit 19 u bë gjithashtu një sistem i integruar transporti dhe prodhimi të mekanizuar. Britania ishte organizatorja kryesore si dhe përftuesja kryesore e këtij sistemi, brenda të cilit kryente funksionin e dyfishtë të vendshkëmbimit qendror dhe atë të rregullatorit. Ndërkohë që funksioni i parë ishte i pandashëm nga roli i Britanisë si punishte e botës, funksioni i rregullatorit qendror ishte i pandashëm nga roli i saj si ndërtuese madhore perandorie në botën joevropiane.

Kolonizimi i Indisë i mundësoi Britanisë që të riblejë borxhin e vet kombëtar nga holandezët – si dhe të nisë luftërat Napoleonike pothuajse e çliruar nga borxhet e jashtëm. Më e rëndësishmja, ajo nisi procesin e pushtimit të një perandorie shumë të madhe territoriale në Azinë Jugore, e cila do të shndërrohej në shtyllën kryesore të fuqisë globale të Britanisë. Burimet e mëdha demografike të Indisë mbështesnin fuqinë botërore të Britanisë si nga pikëpamja tregtare, ashtu edhe ushtarake. Nga pikëpamja tregtare, punëtorët indianë u transformuan me efektivitet nga konkurues të mëdhenj të industrive evropiane të tekstileve, në prodhues të mëdhenj të ushqimeve të lirë si dhe lëndëve të para për Evropën. Ushtarakisht, fuqia njerëzore indiane u organizua në një ushtri koloniale të stilit evropian, financuar krejtësisht prej taksapaguesve indianë, u përdor gjatë të gjithë shekullit 19 në serinë e pafund të luftërave, përmes të cilave Britania hapi Azinë dhe Afrikën për tregtinë dhe investimet perëndimore.

 

KONFLIKT NDËRSHTETËROR

Sa për aspektin financiar, zhvlerësimi i monedhës indiane, vendosja e të turpshmeve Pagesa Shtëpie – sipas të cilave, India duhej të paguante për privilegjin që shfrytëzohej prej Britanisë – si dhe kontrollin që Banka e Anglisë kishte mbi rezervat e valutës indiane, të dyja e kthyen Indinë në boshtin e supremacisë botërore financiare dhe tregtare të Britanisë. Megjithatë, epoka e bukur eduardiane ishte vetëm një preambul e një acarimi të konflikteve ndërshtetërorë, të cilët edhe një herë revolucionarizuan gjeografinë historike të kapitalizmit botëror. Menjëherë sapo konkurrenca mes fuqive evropiane “për hapësirë jetese” u intensifikua nën impaktin e revolucionit në transport dhe industrializimit të luftës, kostot e mbrojtjes së “pronave” metropolitane britanike dhe ato jashtë vendit nisën të rriten – duke i kthyer zotërimet e saj imperiale nga asete, në detyrime.

Në të njëjtën kohë, kapërcimi i barrierave hapësinore që shkaktuan po këta dy fenomene kthyen madhësinë, kompaktësinë, izolimin dhe aksesin e drejtpërdrejtë në dy oqeane të mëdhenj që gëzonte SHBA, në avantazhe strategjikë vendimtarë në acarimin e luftërave ndërshtetërore. Nuk është për t’u habitur që lufta përfundoi me mbërritjen e një bote bipolare aq shumë të parashikuar në shekullin 19 dhe fillimin e shekullit 20. Tani, rëndësi kishin vetëm SHBA dhe BRSS – dhe shtrirja globale e fuqisë së SHBA ishte shumë më superiore. (historia.al)

* Përshtatur nga libri i Giovanni Arrighit, “Adam Smithi në Pekin”

Please follow and like us: