Letra e Mbretit të Hungarisë dhe Polonisë dërguar Skënderbeut
GJON KEKA
Kjo gjetje është e rëndësishme dhe ka vlerë për ne, ngase këtu shihet edhe funksionimi i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërmbretërore e shtetërore në mes të shtetit të Arbrit dhe atij të Hungarisë dhe Polonisë. Po ashtu, këtu shihen më qartë edhe kanalet diplomatike që zhvillonte shteti i Arbrit si një shtet model dhe i rëndësishëm për kontinentin evropian.
Letra është e datës 4 korrik e vitit 1444, të cilën mbreti i Hungarisë dhe Polonisë Uladislai i dërgon Gjergj Kastriotit, së pari duke e përgëzuar për veprat e mëdha të tij, për heroizmin dhe për admirimin që kanë shumë mbretër në Evropë. Po ashtu, ai flet edhe për atë, duke i thënë “se do të ishte mirë dhe me fat sikur ati yt të shihte veprat e tuaj dhe lumturinë e vendit tënd nën udhëheqjen tënde”. Po ashtu, ai flet edhe për madhështinë e këtij Princi, si një emër i përzemërt, por edhe për ndihmën: “…die beste Hilfe verlangen wir von euch, O großer Prinz! den Beistand, den ihr uns werdet leisten, sollen wir Lebenslang mit der Tat erkennen, zu Vermehrung eurer Macht, und herzlichen Namens”. Pas fjalëve të mëdha që ky mbret i shkruan Gjergj Kastriotit dhe për guximin e veprat e tij, vlerën dhe lumturinë që ky i solli dhe shpëtoi popullin e tij, letra përfundon: “Gehabt euch wohl. In unserer Königliche Stadt Ofen den 4. Juli, Anno 1444”. Kjo letër është gjetur gjatë hulumtimeve të mia në arkivat dhe bibliotekat nacionale në Austri mbi kronikat historike të vitit 1685, pasi tani jam duke punuar edhe për librin tim të ardhshëm në dorëshkrim për shtetin e Arbrit dhe Gjergj Kastriot Skënderbeun.