Albspirit

Media/News/Publishing

Markezi De Sade, një liberal apo një monstër?

Disa e nderojnë Markezin De Sade si një radikal mendjehapur, të tjerë e dënojnë si një i marrë, një monstër seksuale. Romanet e tij janë të mbushur me dhunë seksuale dhe sakatime, por de Sade, shkrimtari i famshëm e i shthurur francez është një figurë që shkakton konfuzion. A ishte ai aq pervers e mizor sa e përshkruajnë kritikët, apo ishin romanet e tij një sfidë provokuese kundër moralitetit pararevolucionar të Francës?

I lindur me emrin Donatien-Alphonse-François de Sade në Paris, Markezi ishte i vetmi fëmjë i mbijetuar i dy prindërve fisnikë. I ati, Jean-Baptiste ishte një diplomat si dhe një plejboj i famshëm biseksual, dhe e ëma, Marie-Eleonore ishte një grua shumë e ftohtë që e la të birin të jetonte në një manastir vetëm pak kohë pasi lindi. Në moshën 5-vjeçare, De Sade u dërgua tek xhaxhai, Abbe de Sade në Avignon. Një lëvizje që do të kish ndikim të thellë tek Markezi i ri.

Ndonëse Abbe ishte një njeri i kishës, ai mbante një dashnore e mund të ketë patur edhe një bordello. Tek rritej i rrethuar nga hipokrizia, de Sade mësoi të përbuzë kishën dhe moralitetin e saj. Më pas ai shkoi në një kolegj jezuit, Lous Le Grand, aty ku nxënësit rriheshin në publik. Ndoshta kjo eksperiencë, bashkë me shkuarjen në ushtri në moshën 14 vjeçare, hodhi farën për prirjet e tij legjendare për dhunë e poshtërim, ndonëse një ndikim të madh mbi të mund të ketë patur edhe fakti në luftoi në Luftën e Shtatë Viteve.

Pas luftës, De Sade nisi jetën aristokrate në Paris, ku zhvilloi një shije për teatrin dhe artet, duke frekuentuar atje bordellot dhe mbajtur shumë të dashura. Në maj 1763, me dëshirën e familjes, De Sade u martua me Renée-Pélagie de Montreuil, bija e një familjeje borgjeze të sërës së lartë, por ai mbeti gjithsesi një bashkëshort i pabesë. Në tetor të po atij viti, u burgos për “eksese” në një shtëpi publike. Shija e tij për seksin e dhunshëm mbeti, dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se të ndodhte një tjetër skandal. Këtë herë, do ta bënte aq të famshëm, saqë policia do t’u kërkonte madamave të shtëpive publike që të mbanin vajzat larg tij.

 

Rrahje e gjymtim

Të Dielën e Pashkëve 1768, de Sade takoi në rrugë një vejushë të re të quajtur Rose Keller, dhe më vonë pretendoi se i kish ofruar asaj para për seks – ndërsa ajo do të thoshte më vonë se ishte ofruar si shërbyese. Keller shkoi me të në shtëpinë e vogël në Arcueil ku, sipas saj, de Sade e kërcënoi se do ta vriste, përpara se ta lidhte në shtrat dhe ta rrihte me një thupër. Më pas, ai nisi ta presë me thikë dhe të hidhte dyll në plagët. Keller arriti më në fund të largohet duke u varur me çarçafë nga dritarja, duke rendur më pas direkt tek autoritetet.

Kur u mor në pyetje, de Sade deklaroi se ajo qe një partnere e vullnetshme në rrahjen dhe mohoi ta kishte gjymtuar. E shoqja i qëndroi pranë, madje në letrat e saj, i drejtohet me fjalët “djaloshi im i vogël” dhe pas lirimit të tij, ata patën tri fëmijë. Por, nëse markezja shpresonte se i shoqi tani do të përshtatej me rolin e bashkëshortit dhe të devotshëm, gabohej shumë.

De Sade vijoi me jetën e mëparshme të orgjive e prostitutave. Kur trashëgoi Chateau la Coste nga i ati, një pronë nga e cila shihej si në pëllëmbë të dorës pamja e mrekullueshme e luginës Bacluse, ai dhe e shoqja punësuan shumë shërbyes dhe shërbyese të reja e të bukura. Chateau nuk ishte kështjella idilike që ai ka përshkruar në romanin e tij të mëvonshëm “120 ditët e Sodomit”. Pas kërkesave të tij të dhunshme, të gjithë shërbyeset u larguan, ndërsa kuzhinierja mbeti shtatzënë dhe u largua edhe ajo. Në vitin 171, pas një tjetër periudhe të kaluar në burg për shkak të borxheve, de Sade joshi kunatën e tij të vogël, Anne-Prospre. Të dy u larguan bashkë për në Marsejë, por shumë shpejt ajo u tërhoq në një manastir dhe de Sade u kthye tek bashkësortja e tij, që gjithmonë e falte. Më pak se një vit më vonë, megjithatë, de Sade organizoi një tjetër orgji në të cilën përdori edhe stimulantë të prodhuar vetë. Ditën tjetër, vajzat u sëmurën dhe ato ngritën padi për helmim kundër tij. Edhe një herë, doli një mandat për arrestimin e tij.

 

Hakmarrje dhe burgosje

De Sade u pastrua nga akuzat për helmim dhe sodomi, por vjehrra e tij, Madame de Montruil nuk ia fali kurrë rrëmbimin e vajzë së saj, Anne-Prospre. Ajo bindi me sukses Mbretin Luigji XVI për një urdhër mbretëror për arrestimin e tij (një metodë që përdorej shpesh nga të pasurit dhe të pushtetshmit për të hequr qafe të afërm që hapnin telashe). De Sade u arrestua me urdhër mbretëror dhe pa gjyq. Në 1778, de Sade nisi periudhën 11-vjeçare të burgimit, në fillim në Vincennes dhe më pas në burgun e famshëm Bastijë në Paris. Pasi iu mohua jeta dekadente që bënte më parë, ai nisi të hedhë në letër fantazitë e tij – dhe ato rezultuan shumë trazuese, pasi përfshinin gjymtime të rënda seksuale, përdhunime dhe incest. Është ironike që Madame de Montruil e cila e urrente aq shumë, ishte direkt përgjegjëse për veprën që do ta përjetësonte atë, dhe ai shkroi shumicën e romaneve – përfshirë “120 ditët e Sodomit” si dhe draftet e parë të Justine dhe Juliette – gjatë periudhës së burgimit. Aq tronditës qenë këta romane, saqë u botuan anonim.

 

Liria

Të Premten e Mirë të 1790, pas shpërthimit të Revolucionit Francez, të burgosurit e Bastijës u liruan. Tashmë, e shoqja nuk donte të kish të bënte më me de Saden. Parisi ishte tashmë në revolucion dhe krimet e vegjël si të de Sades nuk ishin më prioritet. Cuditërisht, ai u angazhua në politikë, duke shërbyer si Gjykatës i Madh në shumë gjyqe. Një prej tyre qe kundër vjehrrës së tij. Duke patur parasysh reputacionin dhe pjesën e saj në burgosjen e tij, ai mund ta kish shfrytëzuar rastin për t’u hakmarrë. Në vend të kësaj, ai e pushoi çështjen dhe më vonë hoqi dorë nga posti politik. Ai nuk qëndroi gjatë në liri dhe në 1801 u burgos sërish, këtë herë në duart e Perandorit Napoleon, qeveria e të cilit dyshonte se ai kish shkruar si anonim Justine. U dërgua në burgun Sainte Pelagie dhe më vonë u zhvendos në Charenton, një azil për të çmendurit, ku shkruajti romanin me dhjetë vëllime, “Krimet e Pasionit”. Pjesën tjetër të jetës e kaloi aty, ku dhe vdiq në 1814 në moshën 74 vjeçare.

Markezi de Sade përshkruhet shpesh si një njeri i lig dhe pervers, por po ta gjykosh në kontekstin e shoqërisë së tij, akuzat ndaj tij janë më pak të qarta. Franca pararevolucionare ishte dekadente deri në ekstrem dhe klasat e larta përdornin dhe abuzonin me popullsinë fshatare – një moto e fisnikërisë ishte “kënaqësi me çdo çmim”. Atëherë, a ishte de Sade vërtetë një monstër, apo thjeshtë një produkt i kohës së tij? Ndoshta asnjëherë nuk do ta dimë me siguri.

Please follow and like us: