Durrës- Lokalet e natës në qytetin bregdetar të Durrësit gjatë këtij sezoni veror duket se rrinë plot. Kjo ka shtyrë policinë e këtij qyteti të ushtrojë kontrolle të imtësishme.
Kështu pas kontrolleve 14 persona janë shoqëruar për verifikim, 6 prej tyre janë balerina. Mes balerinave ishte dhe një vajzë 18-vjeçe që ishte shpallur në kërkim nga policia, pas denoncimit të familjarëve.
Sipas policisë është ushtruar kontroll në 6 lokale nate, ndaj të cilëve u mor masa e gjobës për shkelje të ligjit anti-duhan në ambientet e brendshme.
Në pranga ka përfunduar edhe pronari i një prej lokaleve të natës. 28-vjeçari, Behar Fjolla u arrestua pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale disa doza kokainë.
Fjolla ka qenë edhe më parë i dënuar për veprën penale të përshtatjes së lokaleve, për përdorim të lëndëve narkotike.