Nënë Tereza nuk i duhet Shqipërisë
RILINDJA KOMBËTARE KISHTE PËR QËLLIM RINGJALLJEN E NDËRGJEGJES SË SHQIPTARËVE TË VËNË NË GJUMË PREJ PUSHTIMIT OSMAN 500 VJEÇAR. ETËRIT E KOMBIT IU DREJTUAN FIGURAVE TË HISTORISË, TË CILËT I KISHTE MBULUAR PLUHURI I HARRESËS OSE ISHIN “RRËMBYER” NGA FQINJËT TANË. SHUMË HERË SIMBOLET TONA KOMBËTARE JANË MANIPULUAR NGA HISTORIANË MË TË “SHKATHËT” DHE SOT UJISIN KRENARITË E TË TJERËVE.
Pirro i Epirit, fjala vjen rrallë konsiderohet ilir, por helen. Aleksandri i Madh është mollë sherri mes grekëve dhe sllavo-maqedonëve të sotëm, kurse shtrati i tij ilirk është tretur. Skënderbeu jo rrallë bëhet sllav apo grek, ndërsa shqiptarët rrinë e i shohin në sy këto pretendime.
Nënë Tereza do të shenjtërohet në Vatikan më 4 shtator të këtij viti, kurse në Shqipëri, Kosovë apo kudo që jetojnë shqiptarët askush nuk e ka vënë ujët në zjarr. Në Shkup, me këtë rast për plot në javë do të organizohen një sërë veprimtarish, por ata kanë nisur qysh më parë me aksione të mirëfillëta politike, artistike, përurime shtatoresh dhe më gjerë, të cilat evokojnë figurën e Nënë Terezës si maqedone. Së fundmi duke kaluar kufijtë e arsyes dhe duke e shndërruar krejt në qesharake, Maqedonia ka shtypur një kartmonedhë me portretin e Nënë Terezës. Shenjtja që e pa Zotin vetëm tek sinoret e varfërisë do të jetë pare për të shkëmbyer mall?! Është çudi tipike ballkanase, por në Tiranë ende nuk ia vë njeri në pullë as kësaj. Meqë ra fjala, le të shpresojmë që Posta Shqiptare të emetojë një seri pullash për shenjtërimin e Nënë Terezës. Kaq mund ta bëjë qeveria, meqë është e zënë me gjëra të tjera të mëdha shumë.
Askush nuk lëviz gishtin në Tiranë apo Prishtinë. Punët tona të brendshme, por edhe PR egocentrist i pushtetit e ka lënë Nënë Terezën krejt në shejtninë e saj. Nëpër Shqipëri dhe Kosovë gjallojnë veç motrat e Nënë Terezës që mbledhin si milingonat dromcat për skamnorët. Pushteti ka hall të bëj foto, historianët flenë si ariu në dimër.
Vetë Nënë Tereza thoshte: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por, zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.”
Kur Nënë Tereza u shua, politikanët shqiptarë si të qeverisë, si të opozitës bën namin të shkonin në Kalkuta dhe të thonin pikërisht një pjesë të kësaj shprehje, sepse në at’botë na duhej për imazh, na hynte në punë që mos të kujtoheshim veç për luftën mes vedit të vitit 1997. Tani, kujt i duhet Nënë Tereza? Le ta marrë Gruevski, atij i hyn në xhep dhe pas do motesh mos të habitemi, kur Nënë Tereza të na dalë të ketë thënë: “Me gjak jam maqedone; me nënështetësi indiane….”/ 27.al