Albspirit

Media/News/Publishing

Pelosi: Rusia pas sulmit kibernetik


Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi thotë se është e qartë që Rusia është pas sulmeve kibernetike ndaj partisë së saj.

Përmasat e dëmit ndaj Partisë Demokrate janë ende duke u shqyrtuar.

Vitin e kaluar, zyrtarët e agjencive amerikane të zbulimit informuan disa drejtues të Kongresit se hakerat rusë po përpiqeshin të depërtonin në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokratik.

Sipas agjencisë Reuters, anëtarët e Kongresit që ishin njoftuar për përpjekjen ruse, nuk mund t’ia tregonin informacionin drejtuesve të Partisë Demokrate, pasi informacioni ishte tepër sekret. Agjencitë e zbulimit vazhduan të monitoronin hakerat për të kuptuar më mirë taktikat e tyre.

Administrata e Presidentit Obama nuk e ka akuzuar zyrtarisht Rusinë si përgjegjëse për sulmin kibernetik, por hetuesit thonë se agjencitë ruse të zbulimit janë përgjegjëse. Rusia i ka mohuar gjithë akuzat.

Sulmi kibernetik u mësua vetëm muajin e kaluar pasi WikiLeaks botoi emailet e zyrtarëve të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe bazuar në to FBI-ja filloi hetimet.

Informacionet e e-emaileve çuan në dorëheqjen e kryetares së Komitetit Demokrat Debbie Wasserman-Schultz dhe të disa zyrtarëve të tjerë të lartë demokratë, pasi shkëmbimet e tyre elektronike tregonin se ata kishin mbështetur Hillary Clintonin ndaj rivalit të saj në parti, Bernie Sanders gjatë procesit të zgjedhjeve paraprake, kur duhet të ishin treguar njësoj mbështetës ndaj të dyve.

Zonja Pelosi e quajti sulmin kibernetik “një Watergate elektronik”, në një referencë ndaj skandalit të vitit 1972, kur u vodhën dokumentet elektorale nga zyrat e Partisë Demokrate në kompleksin Watergate, një incident që çoi në dorëheqjen e presidentit Richard Nixon.

Pas hyrjes në kompjuterat e Komitet Kombëtar Demokrat, hakerat, më pas arritën të hyjnë edhe në strukturat e tjera organizative të partisë, përfshirë Komitetin Demokrat të Zgjedhjeve për në Kongres.

Please follow and like us: