Personazhet më me ndikim të lashtësisë
Grekët e antikitetit kanë influencë të madhe në shoqërinë perëndimore. Shumë shkenca dhe zhanre letrare janë themeluar nga grekët dhe shumë prej shkrimeve të tyre kanë mbijetuar thuajse të plota. Lista rendit 10 njerëzit më influentë të antikitetit. Ajo çfarë i bashkon ata është impakti i madh i punëve të tyre në kulturën dhe shoqërinë moderne. Renditja nuk është mbi bazë të influencës, por të kronologjisë.
Homeri, Shekulli VIII para Krishtit
Homeri njihet për dy poemat epike, “Iliada” dhe “Odiseja”. “Iliada” konsiderohet përgjithësisht si punimi më i vjetër në letërsinë perëndimore. Edhe vetë grekët i njohin Homerit influencën e paçmuar dhe nuk e konsiderojnë veten të arsimuar pa lexuar veprat e tij. Ka diskutime të mëdha nëse Homeri ka qenë person historik. Rreth tij nuk dihet absolutisht asgjë dhe disa akademikë besojnë se “Iliada” dhe “Odiseja” janë vepra të një shumësie autorësh. Megjithatë, pavarësisht se kush i ka shkruar, si “Iliada”, ashtu dhe “Odiseja” kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në letërsi. Në fakt, edhe Shekspiri bazon njërën prej dramave të tij tek “Iliada”.
Sofokliu, 496-406 para Krishtit
Sofokliu ka qenë tragjedian. Ai shkroi plot 123 vepra. Vetëm shtatë prej tyre kanë mbijetuar të plota dhe ato përfshijnë vepra klasike si “Antigona”, “Elektra” etj. Ai zhvilloi teatrin duke shtuar aktorin e tretë, duke reduktuar rëndësinë e korit dhe paraqitjen e skenografisë. Sofokliu gjithashtu shfuqizoi formën triologjike tradicionale të tragjedisë dhe krijoi vepra që ishin të plota në vetvete. Kjo i shtoi veprave vlera dramatike.
Herodoti, 484-425 para Krishtit
Herodoti konsiderohet si babai i historisë në kulturën perëndimore. Ai iu qas historisë si shkencë përmes mbledhjes sistematike të materialeve dhe testimit të saktësisë dhe vërtetësisë së tyre. Herodoti ishte gjithashtu narrator shumë i talentuar. Fjala histori vjen nga libri i tij “Historitë”, që në greqisht do të thoshte “hetime”. Ky libër konsiderohet si libri i parë i historisë në literaturën perëndimore.
Euripidi, 480-406 para Krishtit
Euripidi ka qenë një tjetër tragjedian grek. Ai shkroi rreth 95 vepra, 18 prej të cilave kanë mbijetuar të plota, ndërsa shumë të tjera fragmentare. Veprat e tij më të njohura janë Medea, Bakusi, etj. Këto vepra ishin tepër moderne për kohën, pasi i portretizonin personazhet në mënyrë shumë realiste dhe përfshinin gra të forta dhe skllevër të mençur, çka ishte jo konvencionale për kohën. Euripidi është tragjediani grek që ka lënë ndikimin më të madh në tragjedinë evropiane.
Hipokrati, 460-370 para Krishtit
Hipokrati ka qenë fizikan dhe është babai i mjekësisë. Korpusi hipokratik është koleksion i 70 punimeve të temave të ndryshme mjekësore. Një pjesë e madhe e tyre përbëhet nga raste studimore. Puna më e njohur e tij është betimi hipokratik, në të cilin flitet për etikën e mjekëve. Derivatet e këtij betimi merren ende në konsideratë nga mjekët e sotëm. Hipokrati ka një kontribut direkt në mjekësi, pasi është i pari që përshkruan një sërë sëmundjesh. Sa i takon debatit, nëse Hipokrati ka qenë autori i vetëm i Korpusit të Hipokratit, duhet thënë se shumica janë dakord që një pjesë e tij është shkruar nga studentët dhe pasuesit e tij.
Aristofani, 446-386 para Krishtit
Aristofani ka shkruar shumë komedi. Ai ka shkruar rreth 40 vepra, 11 prej të cilave kanë mbijetuar të plota, ndërsa të tjerat vetëm si fragmente. Kushdo kishte frikë nga pena e Aristofanit, pasi ai tallej me athinas të njohur. Veprat e tij kanë pasur influencë artistike në teatër, por edhe kanë shërbyer përmes dokumenteve historikë rreth jetës së Athinës.
Platoni, 424-348 para Krishtit
Platoni ka qenë student i Sokratit. Ndërsa Sokrati nuk ka lënë asgjë të shkruar, filozofia e tij njihet përmes punës së Platonit. Platoni është shumë i ndikuar nga mendimi i Sokratit dhe nga gjyqi ndaj tij, në të cilin Platoni ishte dëshmitar kur ai ishte 29 vjeç. 35 dialogë dhe 13 letra i atribuohen Platonit, më i njohuri nga të cilët është “Republika” dhe “Simpoziumi”. Platoni mbahet si një ndër baballarët e filozofisë perëndimore. Teoria e formave dhe ideja e shtetit ideal, bëjnë që “Republika” të jetë një nga temat më të diskutueshme sot.
Aristoteli, 384-322 para Krishtit
Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar. Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë. Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve. Aristoteli ishte gjithashtu tutori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.
Euklidi, 300 para Krishtit
Euklidi ishte matematikan dhe mbahet si babai i gjeometrisë. Për jetën e tij dihet shumë pak, por ai ka qenë aktiv në Bibliotekën e Aleksandrisë. Punimi i tij kryesor “Elementet”, i cili përdoret ende si referencë në matematikë, mund të tejkalohet vetëm nga Bibla në termat e kopjeve të shitura. Libri përshin një sistem provash matematikore që vazhdojnë të mbeten baza e matematikës sot.
Arkimedi, 287-212 para Krishtit
Arkimedi ka qenë matematikan, inxhinier, shpikës, fizikan dhe astronom. Është i njohur për shpikjen e një mekanizmi për të lëvizur ujin, që përdoret ende dhe sot. Po ashtu, ai llogariti vlerën e pi-së në mënyrë shumë ekzakte. Arkimedi zbuloi si të përcaktonte volumin e objekteve të parregullta, duke i zhytur ato në ujë. Sipas legjendës, ky zbulim e nxiti atë të vraponte në rrugë i zhveshur, duke bërtitur “Eureka”.