Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA rrit praninë bërthamore në Gjermani

Forcat ajrore gjermane po përgatiten të modifikojnë disa nga avionët e tyre luftarakë “Tornado” në mënyrë që të mbajnë bomba atomike të avancuara.

E gjitha kjo bëhet në kuadër të planit të Uashingtonit për të modernizuar arsenalin e tij bërthamor në Gjermani, raportojnë mediat gjermane këtë të shtunë.

Gazeta “Der Spiegel” njofton se presidenti Barack Obama ka aprovuar fazën e fundit të zhvillimit të modelit të ri të bombës atomike B61-12, prodhimi i të cilës do të nisë intensivisht duke filluar nga viti 2020.

Më pas, Uashingtoni zyrtar synon t’i vendosë bombat në bazën ajrore Byhel, në rajonin perëndimor të Ajfelit, në Gjermani.

Ekspertët vlerësojnë se 10 deri në 20 koka bërthamore të mbetura që nga Lufta e Ftohtë ndodhen aktualisht të magazinuara në bazën në fjalë, me avionët “Tornado” që janë të gatshëm të pajisen me to në rast nevoje.

Baza ndodhet gjithashtu nën masa të forta sigurie, arsye për të cilën atje janë pozicionuar edhe ushtarë amerikanë.

Edhe pse Parlamenti gjerman në vitin 2010 deklaroi se ishte në favor të tërheqjes së armatimeve, qeveria pasuese, e drejtuar nga blloku CDU-CSU i kancelares Angela Merkel dhe liberalët e FDP-së, doli me qëndrimin se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje të Gjermanisë me aleatët e saj në NATO.

Plani i administratës amerikane vjen në një kohë kur Polonia dhe vendet Baltike po i kërkojnë NATO-s të rrisë praninë e saj ushtarake dhe bërthamore përballë agresionit territorial rus.

Please follow and like us: