Albspirit

Media/News/Publishing

SKANDALE POLITIKE/Aksidenti që vrau një grua dhe ambiciet politike të Xh. Kenedi

Vetëm pak kohë pas një feste në ishullin Chappaquiddick, senatori Edward “Ted” Kennedy i Massachusetts-it del nga një urë me makinën e tij “Oldsmobile” dhe zhytet në një liqen të vogël. Kennedy arriti të dilte nga makina e fundosur, por pasagjerja e tij, 28-vjeçarja Mary Jo Kopechne nuk arriti. Senatori nuk e raportoi për dhjetë orë me radhë aksidentin fatal.
Mbrëmjen e 18 korrikut 1969, kur shumica e amerikanëve ishin në shtëpi duke parë lajmet në lidhje me progresin e misionit Apollo 11 në Hënë, Kennedy dhe kushëriri i tij, Joe Gargan, po organizonin një festë në një shtëpi të marrë me qira në ishullin Chappaquiddick, një ishull i pasur pranë Martha’s Vineyard, në Massachusetts. Festa ishte planifikuar si një ribashkim i Kopechne dhe gjashtë grave të tjera, të gjitha veterane të fushatës presidenciale të Presidentit të ndjerë, John F. Kennedy.
Bobby Kennedy kishte qenë vëllai më i madh i Tedit dhe pas vrasjes së Bobby-t në qershor 1968, Ted mori pishtarin e familjes. Në vitin 1969, Ted Kennedy u zgjodh kryetar i shumicës në Senatin e SHBA-së dhe ai mendohej se do të ishte kandidati kryesor për zgjedhjet presidenciale të vitit 1972.
Pak pas orës 11 të natës, Kennedy u largua nga festa bashkë me Kopechnen, sipas rrëfimit të tij, për të mbërritur në portin e trageteve ku do të merrnin një anije për të shkuar në banesat e tyre përkatëse në Martha’s Vineyard. Ndërkohë që udhëtonte në autostradën kryesore, Kennedy mori një kthesë të fortë në Dike Road, e cila ishte e pashtruar, eci edhe për një distancë të shkurtër dhe më pas doli nga rruga teksa ndodhej mbi një urë të ngushtë prej druri. Kennedy, atëherë i martuar, pretendoi se kthesa në Dike Road kishte qenë e gabuar. Megjithatë, edhe ai, edhe Kopechne kishin ecur më parë me makinë në të njëjtën rrugë, e cila të çonte në një plazh të shkretë në oqean pak përtej urës. Veç kësaj, Kopechne kishte lënë edhe çantën, edhe çelësin e dhomës në festë.
Kennedy doli nga makina dhe më pas u zhyt në një përpjekje për të shpëtuar Kopechnen nga “Oldsmobili” që fundosej. Duke mos ia dalë mbanë, u rikthye në vendin e festës, ku mori Garganin dhe një tjetër shok për të provuar sërish të shpëtonin Kopechnen. Ishin të pasuksesshëm; trupi i saj nuk u nxor dot. Më pas, treshja shkoi në portin e trageteve, ku Kennedy u hodh në ujë dhe notoi deri në Edgartown, afro një milje larg. Ai u kthye në dhomën e tij në Shiretown Inn, ndërroi rrobat dhe në orën 2.25 të mëngjesit, doli nga dhoma kur pikasi pronarin, Russell Peachey. I tha Peachey-t se e kishte zgjuar zhurma në derën ngjitur dhe e pyeti sa ishte ora. Më pas u kthye në dhomë.
A po përpiqej të krijonte një alibi? Në librin e Leo Damore, “Privilegj senatorial”, autori risjell një intervistë me Joe Garganin, në të cilën Gargani pretendonte se Kennedy kishte bërë plan që të bënte Kopechnen shoferen e makinës si dhe personin e vetëm që ndodhej në të. Cilatdo të kishin qenë qëllimet e Kennedy-t, mëngjesin e 19 korrikut ai shkoi sërish në ishullin Chappaquiddick dhe më pas u rikthye në Edgartown. Në orën 9:45 të mëngjesit, 10 orë pasi kishte dalë nga rruga në urën e Dike Road, Kennedy raportoi aksidentin tek shefi i policisë së Edgartown-it, Dominick Arena, dhe pranoi se kishte qenë ai shoferi.
Në 25 korrik, Kennedy u shpall fajtor që ishte larguar nga skena e aksidentit, u dënua me dy muaj dhe iu hoq për një vit patenta. Atë mbrëmje, në një deklaratë në televizion, ai e quajti “të pambrojtshëm” raportimin e vonuar të aksidentit, por mohoi që të ishte përfshirë në gjëra të pahijshme me Kopechne. U kërkoi gjithashtu zgjedhësve të tij që ta ndihmonin të vendoste në duhej ta vazhdonte karrierën politike. Pasi mori një përgjigje pozitive, Kennedy rimori detyrat e senatorit në fund të muajit.
Ka spekulime se Kennedy përdori ndikimin e tij të konsiderueshëm për të shmangur akuza më të rënda që mund të kishin rezultuar prej këtij episodi. Ndonëse aksidenti i Ishullit Chappaquiddick shkaktoi largimin prej ambicieve presidenciale, Kennedy vazhdoi të shërbejë si senator i Massachusetts-it deri në shekullin 21.

Please follow and like us: