Vendimi 1967/Letra e Enver Hoxhës,si u bastisën 8 manastire, bashkë me 500 krerë bagëti
Pasi feja vihet nën kontrollin e shtetit nëpërmjet ligjeve, në vitin 1967 nis lufta klasore për çrrënjosjen e botëkuptimit fetar si dhe mbyllja fizike e kishave dhe xhamive.
Kjo ishte fill pas fjalimit të Enverit më 6 shkurt 1967, për ta larguar popullin nga besimi fetar dhe futur në botëkuptimin marksist-leninist. Në vitin ‚67, Komiteti Qendror, sektori i edukimit, nxjerr një raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa që u morën për çrrënjosjen e saj, duke u zëvendësuar me ideologjinë marksiste-leniniste.
Për herë të parë zbardhen dokumente arkivorë të mundësuar nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit, dhuruar prej Arkivit të Shtetit shqiptar. Me këtë shënohet dhe fillimi i luftës së hapur të qeverisë komuniste kundër fesë, duke e lidhur veprimtarinë e tyre me elementë armiqësor. Ku u përqendrua fronti i luftës kundër fesë? Cila ishin karakteristikat e saj kryesore? Nga besim, feja kthehet në një vatër lufte ideologjike, duke u cilësuar nga Partia Komuniste si „një hap i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste“. Cilat ishin masat që mori Enver Hoxha pas shkëputjes së kishës nga shkollat? Cilat ishin masat për mbylljen e kishave dhe xhamive? Kur nisi bastisja e pasurisë së kulteve fetare?
Mbyllja e kishave dhe xhamive në të gjithë Shqipërinë, përveç kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, si bastisja e mjaft tempujve, duke u marrë bagëti e toka, shënon luftën e PPSH kundër fesë. Letra e Enver Hoxhës më 6 shkurt 1967 është udhëzimi konkret që duhej të ndiqej nga masat për ideologjinë marksiste-leniniste. Për këtë flet dokumenti që zbardhet për herë të parë, me pjesë nga raporti informativ i përgatitur nga KQ i PPSH mbi rezultatet paraprake në luftën kundër fesë.
***
Raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj:
„Pas Kongresit të 5-të të Partisë dhe, sidomos pas fjalimit të shokut Enver të 6 shkurtit, në gjithë vendin po zhvillohet gjerësisht lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.
Kjo luftë zhvillohet në kuadrin e thellimit të mëtejshëm të revolucionit ideologjik, luftë e thellë klasore midis dy botëkuptimeve, midis dy ideologjive, me objekt që të çrrënjosë botëkuptimin fetar si një nga bazat e fuqishme të ideologjisë reaksionare, për të edukuar masat me një botëkuptim materialist marksist-leninist. Lufta zhvillohet jo vetëm midis nesh dhe armiqve, por kryesisht në gjirin e popullit e të partisë, dhe në terren mjaft të ndjeshëm e delikat.
Ajo dallohet nga këto karakteristika kryesore: a) Zhvillohet në një front të gjerë në qytet e në fshat, në gjithë shtresat e popullit. b) Dallohet nga aksione goditëse direkt, jo vetëm kundër fesë si botëkuptim reaksionar, por dhe kundër bazave që kanë ruajtur dhe ushqyer fenë. c) Nga pjesëmarrja e gjerë e masave të popullit në këto aksione, nga diskutimi popullor mbi kotësinë dhe dëmin e besimeve fetare.
Pra, lufta kundër fesë ka marrë të gjitha tiparet e një lëvizjeje të gjerë me karakter të theksuar ideologjik. Në këtë fushë në vendin tonë po kryhet një hap i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste.
Sigurisht, ky hop i madh nuk është i rastit. Ai është rezultat i gjithë punës 25-vjeçare të partisë. Qysh në fillim, partia edukoi anëtarët e vet dhe masat me frymën e ateizmit. Mbas çlirimit mori masa të rëndësishme. Ndarja e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimi i vazhdueshëm i institucioneve fetare, kufizimi e pastaj likuidimi i mundësive e kuadrit fetar, duke mbyllur edhe institucionet përkatës, ndalimi i botimit të literaturës fetare etj., përbën një faktor të rëndësishëm për luftën kundër fesë. Por kryesore është puna e madhe e partisë për të përhapur arsimin e kulturën, për të zhdukur injorancën, paditurinë, për të përhapur njohuri shkencore në të gjitha fushat dhe shumë masa të tjera me karakter ideologjik. Të gjitha këto përbëjnë një periudhë të tërë ndryshimesh sasiore të domosdoshme, që po çojnë në ndryshime cilësore.
Ka rëndësi të veçantë fakti që, Partia dhe KQ si kurdoherë gjykoi mirë gjendjen shpirtërore të masave, gjeti momentin e duhur për të hedhur parullën e luftës në front të gjerë, që jeta po e vërteton plotësisht të drejtë. Lidhur me këtë, një ndihmë e madhe ishte dërgimi i letrës së shokut Enver të datës 27 shkurt, ku jepen orientime për zhvillimin sa më të drejtë, pa gabime dhe me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.
Me gjithë periudhën e shkurtër mund të bëhet një bilanc i rezultateve të para, të nxirren disa konkluzione dhe probleme, se si e ku duhet të thellohet më tej kjo lëvizje.
- Lufta kundër bazave të vatrave fetare. Më parë për të marrë disa kisha e xhami kryesore, kurse pastaj masat e popullit shkuan më tej për t’i marrë të gjitha ato. Kjo iniciativë nga poshtë u mbështet fillimisht nga lart, nga komitetet dhe organizata bazë të partisë dhe atyre të masave.
Në një kohë relativisht të shkurtër iu dha tronditja e parë vatrave të ideologjisë fetare.
Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe etj.”.
Bastisja e 8 manastireve, boshatiset arka e institucioneve fetare
Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 4236 të vitit 1967, pasuritë e paluajtshme të komunitetit fetar kaluan në pronë shtetërore, ose u janë dorëzuar kooperativave. Kishat, xhamitë etj., që ndodhen në qytete, u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti ishte 1.959.307 (lekë të reja). Krahas kësaj ato posedonin edhe disa sasira bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj. Kështu p.sh., vetëm 8 manastiret kishin 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha, kryegjyshata posedonte 34 dynym tokë që i kalonin NBSH-së “Gjergj Dimitrov” etj.
Një pasuri tjetër e luajtshme dhe e paluajtshme vazhdonte të ishte në duart të tyre.
Kjo arrinte në mbi 6 milionë (lekë të reja), nga e cila 2.150.000 e kishin 45 teqetë bektashiane. (Në këto pasuri përfshihen ndërtesat e banimit me aksesorët, mullinjtë, dhjetëra dyqane e magazina të tyre, pajisjet e brendshme me shtretër të manastireve etj.).
Shteti u lehtësua gjithashtu nga subvencioni që bënte çdo vit për pagesat e rrogave e të pensioneve të një pjese të mirë të klerikëve, shifër që arrinte çdo vit në 300.000 l.r.
Ky është një sukses i madh. Kjo qe goditja më e papritur për fenë. Rëndësi të madhe ka fakti që partia edhe në këtë çështje ndoqi vijën e masave, duke siguruar në këtë lëvizje pjesëmarrjen e gjerë të të gjithë popullit.