Albspirit

Media/News/Publishing

Zbardhen komunikimet e Sotir Martinit me agjentët e CIA; mbreti synonte rrëzimin e regjimit të Hoxhës përmes operacioneve nga Egjipti, i kërkoi disa herë Titos ta ndihmonte, njerëzit më të afërt të tij

 

Ish-Mbreti Ahmet Zog gjatë kohës që ndodhej jashtë Shqipërisë pas marrjes së pushtetit nga komunistët, bëri shumë lëvizje për rrëzimin e regjimit. Është CIA që zbardh planet dhe tentativat e tij, teksa dëshmon se ai ka bashkëpunuar me shërbimin sekret amerikan. Sipas disa dokumenteve të publikuara nga gazeta, tregohet se si Zogu kërkonte ndihmën e CIA për të vënë në zbatim planin e tij. Në një letër që Sotir Martini, ishministër i Oborrit, informonte CIA për të gjithë planin e Zogut, i cili synonte një ndërhyrje nga Egjipti fillimisht. Ndërsa përmes një dokumenti tjetër tregohet se ai disa herë kërkoi ndihmën e Titos, që të lejonte ndërhyrje përmes Veriut, por që nuk u pranua asnjëherë nga kreu i Jugosllavisë. Në një dokument tjetër tregohet se cilët ishin dhe njerëzit e tij më të besuar. Bëhet fjalë për periudhën kur u krijua Komiteti për Shqipërinë e Lirë dhe Zogu propozoi si anëtarë disa emra, që ishin njerëzit e tij të afër. Zogu synonte që të siguronte rreth 5 mijë trupa nga shqiptarët në emigracion, por jo vetëm, pasi pretendonte se do rekrutonte dhe gjermanë apo rumunë. Por pavarësisht tentativave të tij, asnjëherë plani nuk u realizua. Në një tjetër dokument tregohet komunikimi i SHBA me Britaninë e Madhe dhe frika e tyre Jugosllavia me Greqinë mund të sulmonin Shqipërinë.

11 janar 1949 Kairo, Egjipt 

Propozim për përmbysjen e pushtetit aktual në Shqipëri Drejtorit të inteligjencës, Drejtorit të inteligjencës, Uashington Më 23 dhjetor 1948. Zoti Sotir T. Martini, ministër i oborrit mbretëror të Shqipërisë, erdhi e më la një memorandum të mbyllur. Disa ditë më vonë, unë po udhëtoja në Aleksandri për punë të tjera, dhe pata rastin të takohesha me ish-mbretin e Shqipërisë, Zog, i cili më shpjegoi më shumë mbi projektin në fjalë. Unë e dëgjova me interes por pa komentuar. Siç parashtrohet në memorandum, ish-mbreti mendon se tani ekziston një mundësi e veçantë për rivendosjen e një qeverie të re në Shqipëri, miqësore zemër vendeve të tjera të shtypura.

Pretendimet e Zogut

Zogu thotë se është në kontakt me Shqipërinë dhe veçanërisht me liderët fisnorë të zonave malore, dhe se më pak ndihmë nga jashtë ai mund të mbledhë bashkë këta elementë dhe të përmbysë regjimin aktual, që mbahet vetëm me një forcë të vogël policie. Pasi të ketë bërë këtë, ai është gati të formojë një qeveri të lirë të përcaktuar nga populli, duke shtuar disi me keqardhje se të jesh mbret i një vendi nuk është gjithnjë diçka e bukur. Propozimi i tij është organizmi i një ekspedite force me rreth pesëqind teknikë e luftëtarë të zgjedhur, të armatosur e pajisur mirë. Në shumicën e punës, këta mund të zgjidhen nga shqiptarët e emigracionit. Në të mund të përfshihen edhe polakë, gjermanë dhe hungarezë anti-sovjetikë. Ai mendon se kjo sipërmarrje nuk duhet të kryhet prej Italisë pasi pozita e saj është shumë delikate. Ai mendon se asgjë nuk mund të përfitohet nga një bashkëpunim me Titon, pasi pozita e tij mund të ndryshojë në çdo moment. Po ashtu ai trembet nga pretendimet e grekëve dhe aspiratat e tyre në Shqipëri, në rast bashkëpunimi me ta.

Operacionet nga Egjipti

Është një problem vendndodhja e bazës sekrete të nisjes së operacionit. Zogu thotë se kjo mund të bëhet në Egjipt dhe Faruku do të pranonte, por vendi është shumë i mbushur me agjentë sovjetikë për të ruajtur një sekret të tillë. Zgjedhja e tij e parë do të ishte Transjordania, dhe sigurisht heshtja e britanikëve. Abdullahu ka simpati për të dhe do të pranonte menjëherë. Trazirat aktuale në Palestinë e përjashtuan atë, por një tjetër sugjerim do të ishte Libia. Megjithëse në ekzekutim kjo do të ishte një çështje tërësisht shqiptare, operacionet kërkonin ndihmë dhe asistencë materiale, e cila mund të jepet me anë të agjencive shqiptare jashtë vendit, veçanërisht në SHBA. Unë nuk mund të gjykoj sesa me sa saktësi Zogu mund të llogarisë situatën e brendshme në Shqipëri, por kam kaluar ca kohë në atë vend gjatë luftës Italo-Greke, dhe jam dakord se struktura sociale e popullsisë dhe regjimet fisnore janë një terren shterpë për komunizmin. Masa e propozuar e operacionit duket shumë optimiste, por kjo mund të justifikohet me gjendjen aktuale në vend, dhe operacioni do të paraprihej nga një fushatë paraprake e brendshme. Kam kuptuar se rreth një vit më parë para prishjes së Titos me sovjetikët, Zogu përsëri i ka propozuar Departamentit të Shtetit për plane të tilla. Ata e vlerësuan idenë por menduan se nuk ishte momenti i përshtatshëm. Prandaj, ky memorandum po dërgohet për t’u marrë në konsideratë nga ju. Zogu siguron se nuk ka tentuar qasje të tjera dhe nuk do të bëjë avancime derisa të marrë përgjigje nga unë.

Letra e dërguar nga: Sotir Martini

Njerëzit e besuar të Zogut 

Është e ditur se ish-mbreti Zog i Shqipërisë beson se çdo komitet që mund të formohet për drejtimin e vendit dhe përfaqësimin e popullit shqiptar duhet të ketë përfaqësues të rajoneve fetare dhe atyre gjeografike, si dhe përfaqë- sues të grupeve të ekzilit. Më saktë, ai ka sugjeruar personalitetet e mëposhtme dhe vlerësimin përkatës për secilin: Mithat Frashëri, musliman, i Ballit Kombëtar, Jugu i Shqipërisë, personi më i pranueshëm si lider. Marko Markagjoni, katolik, grup i pavarur, bir i ish-kapitenit të Mirditës Gjon Markagjoni. Ky i fundit i papranueshëm për arsye të bashkëpunimit me fashistët, por i biri ka të dhëna të pastra dhe familja e tij është me influencë në Veri të Shqipërisë. Ismail Verlaci, musiman, legalist (zogist) me origjinë fshatare dhe pa njohuri gjuhësh të huaja, me influencë në Shqipërinë qendrore, me eksperiencë në luftën guerile, i besuar i ish-mbretit Zog. Abdul Sula, mysliman, zogist, kreu i misionit diplomatik (zogist) shqiptar në Kairo njohës i gjuhëve të huaja e diplomacisë. Ndërsa për fenë ortodokse do të ishte e vështirë gjetja e një lideri të përshtatshëm. Personi i vetëm i sugjeruar është Nushi Kota, bir i ish-kryeministrit Kosta Kota, ky i fundit i vrarë nga komunistët. Nushi tashmë jeton në Francë dhe ka një parti të vogël të quajtur Partia e të Rinjve. Ai është i ri intelektual dhe nuk ka qenë në Shqipëri që para luftës, njeh frëngjishten dhe anglishten, dhe mund të ketë njëfarë influence mes ortodoksëve shqiptarë për arsye të opozicionit të familjes së tij ndaj komunistëve dhe kolaboracionistëve. Nëse situata ndërkombëtare e bën të dëshirueshme, Komiteti mund të përfshijë liderë edhe nga Kosova, por duhet pasur parasysh se gjashtë të shtatat e Kosovës gjenden brenda në Jugosllavi dhe vetëm një e shtata në Shqipëri. Liderët e mundshëm kosovarë janë: Xhafer Deva, mysliman, i urryer në Shqipëri si ministër i Brendshëm nën pushtimin gjerman, por popullor me kosovarët e Jugosllavisë Spahiu (emri i parë i padisponueshëm) mysliman, gazetar, intelektual, nga pjesa shqiptare e Kosovës, ka të dhëna të mira po jo ndonjë influencë të veçantë. Said Kryeziu, mysliman, nga pjesa jugosllave e Kosovës, i konsideruar pro-Tito, ka punuar me britanikët para luftës. Mithat Frashëri ka përmendur disa prej këtyre emrave si liderë të mundshëm shqiptarë në emigracion, ai ka shprehur gjithashtu dëshirën për të bashkëpunuar me emrat e mëposhtëm në një lëvizje të tillë: Marko Makagjoni; Ismail Verlaci; Abas Kupi; Disa ish-anëtarë të lëvizjes shqiptare të rezistencës gjatë luftës kanë treguar besim se emrat e mësipërm janë më të rëndësishmit. Britanikët kanë shprehur favorizim për Abaz Kupin dhe Said Kryeziun.

Memorandum Progres-r ogres-raport ditor, e premte, 6 qershor 1952 

Një kabllogram nga Londra deklaron se shërbimet britanike kanë pranuar përkohësisht shtyrjen e lëshimeve të broshurave të propagandës mbi Shqipëri. Ky hap u ndërmor pas një sugjerimi të degëve se dy shërbimet duhet të kryejnë veprime të koordinuara mbi çështjen. Britanikët kanë kërkuar që të informohen sapo të hiqet ndalimi i propagandës nga SHBA, pasi ato nuk kanë një masë të tillë ndalimi nga qeveria e tyre. Agjenti… raporton nga Kairo se është informuar nga Mbreti Zog se reagimi i Titos ndaj emisarit të Mbretit Zog, Safet Lutfi Tozani, kishte qenë miqësor. Tito kishte bërë të ditur se nuk ishte e lehtë përmbysja e regjimit të Hoxhës dhe se nuk do të lejonte një agresion kundër Shqipërisë nga Jugosllavia, prej frikës se kjo mund të precipitonte në një luftë. Bisedimet e Tozanit me zyrtarë të tjerë jugosllavë rezultuan në një marrëveshje për rifillimin e negociatave me Turqinë në 15 deri në 20 maj. Zogu ka ndërmend t’i propozojë Titos të lejojë futjen e agjentëve të tij në Shqipëri, nga tre pika në Jugosllavi, për punë paraprake, si dhe të kërkojë për ndihmën e hartimit të planit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, që do të miratohet më pas nga amerikanët. Zogu kërkon gjithashtu që Tito t’i kërkojë amerikanëve armë për shqiptarët, dhe beson se është e rëndësishme që Tito të marrë pjesë në përpjekjet e fshehta për çlirimin e Shqipërisë. Raportohet se Zogu nuk shpreson shumë në suksesin e iniciativës, por beson se diçka e dobishme mund të vijë si rezultat i saj. Ai u informua për progresin e grupit Apple dhe Zogu u përgjigj se do të përgatiste tre agjentë të tjerë të mirë për infiltrim rreth gushtit.

20 qershor 1951 

Ministria e Jashtme Subjekti: Pavarësia e Shqipërisë; Dokument mbi pozicionin britanik Nëse pushteti i brendshëm do të shembej apo nëse Jugosllavia do të sulmohej nga Cominform, ajo do të pushtonte Shqipërinë dhe të njëjtën gjë do të bënte edhe Greqia. Meqënëse jugosllavët e kanë prekur pak subjektin e bashkëpunimit me Greqinë, dhe grekët janë konsultuar me SHBA, duke bërë që rrjedhimisht të kërkohet edhe konsultimi me britanikët, Britania dhe SHBA nëse dëshirojnë që Shqipëria të mbetet e pavarur duhet të kërkojnë nga Greqia dhe Jugosllavia garanci që pushtimi i tyre do të jetë i përkohshëm. Ndërsa nëse pavarësia e Shqipërisë nuk është më e rëndë- sishme, përpjekjet tona duhet të fokusohen vetëm në parandalimin e një përplasjeje mes forcave të dy vendeve pushtuese. Gjenerali britanik do të preferonte një Shqipëri të pavarur miqësore me Perëndimin, por kjo jo me koston e dobësimit të Greqisë apo Jugosllavisë. Ai dëshiron gjithashtu një linjë të aprovuar demarkacioni kufitar mes dy vendeve. Faktet e mëposhtme argumentojnë për në favorizim të pavarësisë: Arsyet etnike dhe historike Ekzistenca e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë; Vështirësitë e një zgjidhjeje alternative dhe konflikti i mundshëm mes vendeve të interesuara si Greqia e Jugosllavisë. Faktet kundra pavarë- sisë: Vogëlsia dhe paqëndrueshmëria si shtet, që të bën të mendosh nëse do të ishte më mirë si një republikë e federatës së Jugosllavisë (me ose pa Epirin e Veriut). Kjo mund të ishte e pranueshme për Jugosllavinë e madje edhe për Greqinë. Shqiptarët mund të distancoheshin nga Italia, por meqënëse jugosllavët po orientohen drejt Perëndimit, kjo nuk do të ishte një zgjidhje shumë e papranueshme për popullsinë shqiptare. Kjo mund të kryhet edhe me supozimin se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e pavarur. Sa më parë të nxiten jugosllavët dhe grekët të mos hyjnë në Shqipëri nëse sulmohen nga satelitët e BRSS, por nëse e bëjnë, të pranojnë një linjë kufitare. Sapo të nisin veprimin të deklarojnë publikisht se pushtimi është i përkohshëm. Të këshillohen vendet se nëse regjimi bie, ne dëshirojmë të konsultohemi për regjimin pasues, me ta dhe me italianët.

Please follow and like us: