Albspirit

Media/News/Publishing

“Albascript”, një takim për kinemanë e së ardhmes në Shqipëri

“Albascript”, një takim për kinemanë e së ardhmes në Shqipëri

Udhëtim në temat shqiptare, në disa prej çështjeve me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot, por edhe një rivështrim në disa nga ngjarjet e së shkuarës totalitare, përmes dramave dhe komedive, janë këto temat prej të cilave rrjedhin problemet që adresojnë subjektet e skenarëve të paraqitur në edicionin e parë të uorkshopit të zhvillimit të skenarëve “Albascript”, organizuar nga ‘CINEEUROPA’ dhe mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë. Faza e parë e uorkshopit të mbajtur gjatë tri ditëve (1-3 gusht 2016) në Pogradec mblodhi bashkë profesionistë të fushës së skenarit, si edhe regjisorë e producentë të afirmuar e të rinj.

Ky është vetëm fillimi i punës për projektet e paraqitura, e cila vazhdon me komunikimin online përgjatë një periudhe gjashtëmujore gjatë së cilës autorët do të rishikojnë e zhvillojnë më tutje skenarët e tyre nën këshillimet profesionale të tutorëve të mirënjohur, siç janë: Giovanni Robbiano edhe Isabelle Fauvel (e cila ishte edhe udhëheqëse akademike e programit) për filmin e gjatë dhe Izer Aliu dhe Andamion Murataj për filmin e shkurtër.

Drejtori i programit për “Albascript”, Andamion Murataj thotë: “Filmi shqiptar këta vitet e fundit ka pasur disa arritje për t’u shënuar, por edhe i tërë rajoni ynë ka qenë në avangardë të zhvillimeve të filmit europian. Mjafton të përmendim vende si: Greqia, Rumania apo edhe Turqia, që kanë pasur në këtë dekadë një rilindje të vërtetë të kinemave të tyre kombëtare. Kështu, besoj që për të mos mbetur pas zhvillimeve të tilla rajonale, edhe në Shqipëri ishin pjekur të gjitha kushtet për mbajtjen e një uorkshopi të tillë me disa nga mentorët më në zë të skenarit në Europë”. Murataj thotë se kanë diskutuar prej kohësh me Ilir Butkën për vlerat që do të kishte organizimi i një uorkshopi të tillë në Shqipëri. Kjo edhe për arsyen e kostove të larta dhe të papërballueshme për kineastët shqiptarë, që kanë uorkshope analoge me të njëjtët tutorë në Europë. Isabelle Fauvel, konsulente aktive në shumicën e marketeve rajonale të filmit dhe njohëse e shkëlqyer e zhvillimeve në kinemanë europiane ishte një vlerë e çmuar e këtij uorkshopi.

Ndërkohë që skenaristi dhe regjisori nordik me origjinë shqiptare, Izer Aliu, i nominuar me çmimin “Oscar” për filmin e tij të shkurtër si student, “Të Ruash Malin” ishte shembulli më i mirë se si, duke realizuar një film lokal me mjete të limituara mund të kalosh çdo barrierë dhe të arrish majat e suksesit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, skenaristi dhe regjisori Giovanni Robbiano, i cili drejton dhe shkollën e mirënjohur “FAMU International”, është jo vetëm një skenarist i nderuar me çmime, por edhe një njohës i shkëlqyer i kinemasë së re shqiptare dhe një vlerë e rrallë netuorku për kineastët shqiptarë. Të gjithë pjesëmarrësit bënë prezantimin e projekteve të tyre, si dhe pritshmëritë nga ky uorkshop, duke u përballur më pas me vërejtjet profesionale, jo vetëm të tutorëve, por edhe të kolegëve me të cilët kishin ndarë veprën. “Ishin 10 projekte të filmit të gjatë, të ndara mes dy tutorëve me nga 5 projekte secili, në faza të ndryshme të zhvillimit. Ishin gjithashtu edhe projektet e filmit të shkurtër. Ideja është që të përpiqemi të marrim një vështrim të zgjeruar të punës në progres, ku shumë projekte janë në gjendjen e zhvillimit dhe janë shumë interesantë dhe sfidues”, vëren Isabell Fauvel.

Izer Aliu, tutor i filmave të shkurtër thotë: “Isha pjesë e atyre që zgjodhën skenarët fitues dhe lehtësisht vihet re se kishte gjëra me vlera në të gjithë projektet, por ne vendosëm të përzgjedhim ato projekte, të cilat mund të zhvilloheshin më tepër. Shqipëria mendoj se ka shumë histori të mira, por mbi të gjitha profesionistë të dedikuar, gjë që është edhe më e rëndësishme. Mendoj që ka projekte premtuese dhe me punën në vazhdim do të jenë gati të fillojnë e të aplikojnë për fonde”.

Please follow and like us: