Gazetari i BBC i shoqëruar nga një ish-sigurims përshkruan Shqipërinë
Komunizmi dhe trashëgimia e tij në Shqipëri mbetet një temë e preferuar për gazetarët e BBC. Pak muaj pas një reportazhi që bëri shumë bujë në Shqipëri, një tjetër gazetar i BBC udhëton drejt Shqipërisë për të vizituar Shtëpinë e Gjetheve. Andrew Hosken e nis rrëfimin e tij duke folur për Nesti Vakon, njeriun që për 25 vjet ishte kreu i përgjimeve në policinë sekrete shqiptare. “Ai ishte një njeri shumë i rëndësishëm. Njësoj si ai, edhe zyrat e Sigurimit nuk janë ashtu siç i kisha imagjinuar. Është një godinë me tulla të kuqe, që mund të kishte qenë shumë mirë rezidenca e ndonjë peshkopi,” thotë gazetari. Vako është guida e gazetarit në shtëpinë që do të bëhet muze. Pajisjet e Sigurimit kanë dalë në ekspozitë. “Pavarësisht se ka një CV të frikshme, Vako më pëlqen. Më duket i sinqertë teksa flet për rolin e tij në mbrojtjen e popullit nga ‘kryengritësit’ dhe ‘terroristët’”. Gazetari i BBC thotë se përveç Shtëpisë me Gjethe, do hapet për vizitorët rezidenca e diktatorit dhe është hapur tashmë bunkeri personal i Hoxhës. Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffman, thotë se këto iniciativa janë një fillim i mirë. Por ai ka një keqardhje. “Asnjë nga vendet origjinale ku ka ndodhur terrori i vërtetë nuk është kthyer në vend përkujtimor”. “Ndoshta më famëkeqi është kampi i punës së detyruar, i quajtur Spaçi, rreth dy orë me makinë nga Tirana, që po rrënohet”. “Ata kanë shkatërruar praktikisht të gjitha karakteristikat e një kampi pune dhe atje nuk ka asnjë pllakë përkujtimore- asgjë”. Në fund të shkrimit të tij, gazetari shkruan: “Ndërkohë që Shqipëria përpiqet që të plotësojë standardet e BE-së, mijëra shqiptarë janë larguar tashmë, duke besuar se do jenë më mirë diku në Europë”.