Albspirit

Media/News/Publishing

Hitleri merrte kokainë për të qetësuar dhimbjet e sinusitit

Hidhet në ankand kartela e tij klinike. Përdorte ekstrakte testikujsh të demave për virilitetin

Adolf Hitler vuante nga sinusiti dhe për ta kuruar përdorte kokainë, ndërsa për të arritur kënaqësi seksuale merrte ekstrakte testikujsh të demave. Të dhënat mësohen nga kartela klinike e Fyhrerit, e përpiluar nga mjeku i tij personal, Theodor Morell. Kartela përmban 47 faqe dhe javën e ardhshme pritet të dal në ankand në adresën e internetit të “Alexander Historical Auctions” të Stamfordit, në Connecticut. Sipas dokumentit duket se Hitleri përdorte kokainë për të qetësuar dhimbjet e kokës së shkaktuara nga sinusiti dhe gëlltiste rreth 30 ilaçe në ditë për të kontrolluar fryrjen e zorrëve, nga e cila vuante sistematikisht. Kartela klinike përmban edhe radiografinë e kafkës së Hitlerit dhe vizatime që paraqesin pjesën e brendshme të hundës së tij. Ndërkaq mësohet se diktatori nazist kurohej me “stricnin”, një lloj helmi, për të zgjidhur problemet me aparatin tretës. Gjithsesi kurat nuk e qetësonin, përkundrazi i shtonin dhimbjet e stomakut. Në pjesën e fundit të dokumentit të përpiluar nga doktor Morell citohet se Hitleri injektonte ekstrakte të testikujve të demave të rinj, për të rigjallësuar libidonë e tij. Sipas përllogaritjeve, secila prej të dhënave që përmban kartela klinike vlen të paktën dy mijë dollarë.

Please follow and like us: