Albspirit

Media/News/Publishing

Kush do e drejtojë Byronë Kombëtare të hetimit, zbulohet emri

 

Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe varësia e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e më konkretisht nga FBI nuk është një sekret. Por drejtuesi saj vijon të mbetet një mister. Edhe pse orët e fundit në skenë ka dalë një emër jo pak i njohur për publikun shqiptarë.  Sipas mediave, emri që përflitet se do të marrë postin e drejtuesit të BKH është Ahmet Prencci.

Prençi ka një arsim të disafishtë, që nga ai ekonomik, deri tek ai policor e juridik. Ai ka punuar në organin e Prokurorisë për të vijuar me detyra të larta në Policinë e Shtetit. Në vitin 2007 u emërua nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, në pozicionin e  Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke marrë njëkohësisht edhe gradën më të lartë, atë të gjeneralit. Ai vijoi me detyra të tjera për tu emëruar nga Edi Rama në vitin 2013, si Drejtor i Hetimit Tatimor. Momentalisht ai punon në  pozicionin e Inspektorit në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit të Pasurisë të Zyrtareve të Lartë. Që nga koha që ka qenë në krye të policisë shqiptare, Ahmet Prençi rezulton të jetë një personi i besuar, i shërbimeve të sigurisë amerikane. Ai është vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme si protagonist në përgatitjen e vizitës delikate, të të parit president amerikan në vendin tonë, atë të Xhorxh. ë. Bush në Tiranë, në vitin 2008. Përzgjedhja e tij, duket se ka të bëjë edhe me mos përzierjen dhe përdorimin e tij, nga asnjë krah i politikës shqiptare.

Këtë e tregoi edhe me integritetin që shfaqi, kur në  fund të muajit qershor të vitit të shkuar, kur Ahmet Prençi, Drejtor i Hetimit Tatimor i dha dorëheqjen e parevokueshme kryeministrit Rama dhe krye të tatimeve Brisida Shehaj,  vetëm 4 ditë pas zgjedhjeve vendore. Në letrën e kësaj dorëheqjeje, mes arsyeve të shumta, më kryesorja ishte denigrimi që i bënte institucionit që drejtonte ai, nga Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj. Ai ka renditur në atë kohë një sërë faktorësh që e detyruan të ndërmerrte këtë vendim, që nga cenimi dhe nëpërkëmbja e parimeve profesionale dhe ligjore në ushtrimin e detyrës, deri tek marrëdhënia e munguar ndërpersonale për krijimin e një klime të duhur besimi, mirëkuptimi, bashkëpunimi e ndihme reciproke.

“U bë më shumë se një vit që Ju, me apo pa dëshirë, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve Tuaja, e izoluat dhe denigruat institucionin e Hetimit Tatimor. Jo vetëm në përditshmërinë e praktikave administrative, por edhe në rastet ku u jam drejtuar me Memo apo kur kam paraqitur shqetësime konkrete, Ju nuk jeni përgjigjur”, shkruante atëherë ai.

Gjithashtu duke e konsideruar alarmante situatën, Prençi theksonte se nuk shihte rrugë tjetër veç asaj të dorëheqjes.

“Përballë një situate të tillë alarmante, unë largohem nga detyra, me dëshirën që kjo të shërbejë si këmbanë alarmi për të ardhmen e këtij institucioni, i cili nuk është pronë private e askujt!”, mbyllte tekstin e dorëheqjes ai.

Please follow and like us: