Ngriva – shkriva, loja e Ilir Metës me Edi Ramën
Gjergji Koja
Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit dhe njëheraz Kryetar i LSI-së, duket se ka zgjedhur të luajë me aleatin e tij kryesor të koalicionit qeveritar, Edi Rama.
Duket se mes dy politikanëve kryesorë të së majtës ka nisur një lojë nervash mbi atë që konsiderohen si kushte dhe tolerime përsa i takon vijimin të bashkëpunimit. Brenda pak javësh Ilir Meta ka ndryshuar dy herë qëndrimin përsa i takon aleancës së tij me Edi Ramën.
Në prag të reformës në drejtësi paralajmëroi daljen nga koalicioni dhe krijimin e një qeverie teknike. Më pas u tërhoq nga ky vendim, duke e argumentuar vijimësinë e qeverisjes me Ramën si një detyrim ndaj zgjedhësve që në 2013 mandatuan këtë koalicion për të qeverisur vendin.
Por ajo për të cilën Meta duket se nuk ka hequr dorë janë kushtet ndaj Edi Ramës. Ky i fundit prej muajsh ndodhet nën presionin e aleatit të tij, presione që nisin jo vetëm me ndryshimet në Qeveri, por edhe me përcaktimin e atyre që duhet të jenë ministra. Kushti kryesor i Ilir Metës ndaj Edi Ramës është që Sajmir Tahiri të mos jetë ministër i Brendshëm, sikundër Damian Gjiknuri mos të jetë ministër i Energjitikës. Të dy ministrat aktualë konsiderohen si personat që qëndrojnë pas sulmeve direkte apo indirekte ndaj Kryeparlamentarit Meta. Listës mund t’i shtohet edhe Ditmir Bushati, kreu i diplomacisë shqiptare, i cili konsiderohet nga LSI, si politikani që ka sulmuar dhe akuzuar Ilir Metën në çdo kancelari ndërkombëtare, duke dëmtuar imazhin e Kryetarit të Kuvendit.
Në anën tjetër, Ilir Meta i imponoi Edi Ramës të pranojë në Qeveri, Ylli Manjanin, një ndër kritikët më të fortë të Kryeministrit gjatë kohës që ai ishte në opozitë. Madje Manjani ishte një ndër politikanët për të cilin në 2013, pas marrëveshjes së nënshkruar nga Rama dhe Meta, nuk do të hynte në kabinetin qeveritar, si parakusht i vendosur nga socialistët.
Tashmë, LSI përmes disa figurave në nivel qendror po jep sinjalet se do të vazhdojë koalicionin me socialistët, ndërsa taktikat elektorale janë të fundit në agjendën e kësaj force politike. Në anën tjetër strukturat e LSI në bazë e kanë të qartë se koalicioni me socialistët nuk do të vazhdojë gjatë dhe nuk mungojnë përplasjet, kontestimet deri edhe në akuzat e ndërsjellëta mes tyre dhe socialistëve.
Zgjedhjet në Bashkinë e Peshkopisë për postin e Kryebashkiakut, pasqyrojnë më së miri këtë zhvillim. Ilir Meta deklaroi se kemi të bëjmë me zgjedhje lokale dhe vendimet për mbështetjen e një kanidati i takojnë degës lokale. Me pak fjalë, Ilir Meta largoi përgjegjësinë e strukturave qendrore të LSI-së, për çdo vendim që do të merret nga dega e saj në Peshkopi, edhe pse dihet sesi funksionojnë partitë politike në Shqipëri.
Referuar përplasjeve që ka mes LSI dhe PS në këtë qark, vështirë se dy partitë në rang lokal do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar dhe mbështetur një kandidat të propozuar nga PS, më saktë nga një prej deputetëve socialistë të Qarkut të Dibrës. Kjo do të thotë se çdo vendim që do të marrë dega e LSI-së, që me shumë gjasa nuk do të angazhohet për të punuar për një kandidat të propozuar nga PS, do të mbetet thjesht një vendim lokal, për të cilin PS në qendër nuk mund të akuzojë apo fajësojë LSI në qendër, në një humbje të mundshme më 11 Shtator.
Kjo edhe për vetë faktin se kandidati socialist që përflitet për postin e Kryebashkiakut është një figurë lokale, ndërkohë që përballë tij kandidon Sherefedin Shehu, një politikan karriere, intelektual dhe që ka mbajtur poste edhe në ekzekutivin shqiptar.
Nisur nga sa më sipër duket se Ilir Meta ka nisur lojën ngriva-shkriva me Edi Ramën. Ku herë e paralajmëron se mund t’i rrëzojë qeverinë, herë i jep garanci se mandati qeverisës do të përmbyllet dhe herë jep sinjalet se koalicioni nuk funksionon.
Kjo situatë duket se ka çuar Kryeministrin drejt një zgjidhjeje tjetër, duke ofruar në Qeveri PDIU, e cila pret të marrë poste qeveritare gjatë rikonfigurimit të Kabinetit, duke synuar rritjen e peshës së kësaj force politike, e cila sot numëron 5 deputetë.
Duket se loja e Ramës nuk është ajo e disa muajve për të përmbyllur një mandat qeverisës, për të cilin Ilir Meta thotë se i ka ofruar dy apo 3 deputetë, që qeveria mos bjerë nëse LSI largohet nga koalicioni, por ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Deri atëherë Kryeministri mund të jetë i detyruar të shohë lojën e Metës, herë duke ngrirë dhe herë duke shkrirë raportet mes dy partive që bashkëqeverisin prej 3 vitesh.