Shkëlzen Gashi shkëlqen në SHBA, supergol në La Galaxy-Colorado
Përballë milionave të Los Angeles Galaxy dhe futbollistëve të njohur të skuadrës kaliforniane, ia ka dalë të spikasë një shqiptar si Shkëlzen Gashi. Protagonisti i kombëtares kuqezi shënoi një gol vërtet të bukur në sfidën e “MLS”-së, duke entuziazmuar mijëra të pranishmit të “StubHub Center”.
Në një 90-minutësh, ku Colorado Rapids dhe Los Angeles Galaxy luftonin për pikë të vyera në betejën për kampionatin, u bënë protagonistë mesfushori anglez Steven Gerrard dhe portieri veteran, Tim Howard, por kulmi i sfidës ishte Shkëlzen Gashi.
Me një goditje nga distanca, bomberi kosovar befasoi gardianin e formacionit kalifornian, duke fituar dhe përgëzimet e lojtarëve si Robbie Keane, Ashley Cole apo Gerrard. Los Angeles Galaxy barazoi më pas me Daniel Steres, ndërsa Gashi u shpall lojtari më i mirë i sfidës.