Albspirit

Media/News/Publishing

TEC i ri në Kosovë, qeveria nënshkruan me amerikanët

Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen e shumëpritur me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”.

Pakti parashikon një investim prej 1.3 miliardë eurosh për ngritjen e termocentralit të ri, që do të prodhojë 500 megavat orë energji elektrike.

Puna për ndërtimin e tij pritet të nisë në vitin 2018, e termocentrali llogaritet të jetë funksional nga viti 2023. Në ndërtimin e tij do të përdoret teknologjia e fundit, që do të mundësojë zvogëlimin e gazrave dhe ruajtjen e mjedisit.

Presidenti Hashim Thaçi e cilësoi këtë një moment historik, e tha se kontrata përbën njërin prej projekteve më të mëdha e të rëndësishme në Kosovën e pasluftës.

Të kënaqur që nisma më në fund po vihet në zbatim u shprehën edhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ambasadori amerikan, Greg Delaëie, i cili tha se ky projekt madhor do të ndihmojë zhvillimin e Kosovës.

Por marrëveshja ka ngjallur reagime te një pjesë e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe mundësisë për rritjen e çmimit të energjisë.

Në ditën e firmosjes së ujdisë, qytetarë të shumtë u mblodhën përpara zyrave të kompanisë kosovare të furnizimit me energji elektrike, KEDS, me thirrjet “asnjë cent më shumë”. Përgjegjësinë e shtrenjtimit të energjisë, sipas organizatorëve të protestës, e mbajnë Qeveria e Kosovës dhe politikanët.

Deri në përfundimin e termocentralit të ri, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq, të cilat nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme, janë të dëmshme për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

Please follow and like us: