Zvicër, vdes personi që sulmoi në tren
Një person që sulmoi dje me thikë dhe me lëng djegës udhëtarët e një treni zviceran vdiq sot nga plagët, po ashtu edhe një prej viktimave. Njoftimin e bëri policia zvicerane, e cila tha se tre persona të tjerë mbeten në gjendje kritike.
Policia ende është në kërkim të motivit, por tha se nuk ka asnjë tregues që i dyshuari, një zviceran 27-vjeçar nga një rajon fqinj, të kishte lidhje me grupe ekstremiste.
Tre personat në gjendje kritike përfshijnë një fëmijë 6-vjeçar, dhe plagët e tyre konsiderohen me rrezik për jetën.
Policia zvicerane kontrolloi shtëpinë e të dyshuarit pas sulmit të djeshëm në tren, kur ky po i afrohej stacionit Salez, në afërsi të kufirit me Lihtenshtajnin.
Policia nuk ishte në gjendje të merrte në pyetje të dyshuarin para se ai vdiste dhe tha se personi në fjalë nuk kishte asnjë dosje penale.