Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’po ndodh me papunësinë?!

jorida

Nga Jorida Tabaku

Treguesi më i mirë i një ekonomie është punësimi. Për vite me rradhë qeveria e sotme ngriti fabulën e 1 mln shqiptarëve të papunë, të cilët do të mund të gjenin shpëtim vetëm duke votuar aleancën e 1 prillit 2013 sepse kjo aleancë do të mundësonte që në fund të mandatit të parë të qeverisjes të kishim 300 mijë të punësuar.

Shqiptarët do të punësoheshin në sektorë si turizmi, minierat, industria e rëndë, biznese të reja që do hapeshin nga një taksim i ndershëm, me pak fjalë kontrata e qeverisë së re e përkthente punësimin me rritje ekonomike.

Në fund të mandatit të parë, mazhoranca ka si rezultat shifrën e papunësisë në nivelin e 16.6%, e cila ka me të vërtetë një rënie prej 1.1% krahasuar me katër mujorin e fundit 2015. Por në raport me korrikun 2013 shifra e papunësisë është më e madhe sot se sa 3 vjet më parë dhe këto të dhëna i vërteton si INSTAT ashtu edhe Standard and Poor, ku vërejmë se në Korrikun 2013 (ku sipas mazhorancës aktuale papunësia qe 1 mln shqiptarë) niveli papunësisë ishte 16.4%, që pas kësaj periudhe qeveria aktuale e ka rritur përherë numrin e të papunëve. Siç edhe vërehet në grafikun e shkëputur nga S&P të dhënat e papunësisë janë gjithnjë e në rritje, në korrik 2014 ishin 17.4%, në korrik 2015 niveli papunësisë ishte 17.3% ndërsa në janar 2016 niveli siç edhe e përmendëm është 16.6%.

Pra, qeveria që propagandonte 1 mln të papunë nga të cilët në mandatin e parë qeverisës do të punësonte 30% prej tyre ka dështuar plotësisht, siç edhe të dhënat flasin, megjithëse artikulimi i qeverisë duket sikur ka kryer të kundërtën. Sigurisht që këto shifra janë të kontestueshme duke parë fryrjen artificiale të sektorëve si bujqësia e tregtia që i rrisin në mënyrë të pashpjegueshme e pa asnjë lidhje me rritjen ekonomike.

Jo vetëm kaq, të dhënat e S&P flasin se gjatë periudhës së qeverisjes së mazhorancës aktuale niveli i papunësisë është përkeqësuar së tepërmi. Shifrat e vitit të parë të mandatit qeverisës, sa i takon punësimit, janë më të dobëta se sa periudha 2010-2012, ku ekonomia ishte ndikuar dhe nga kriza botërore. Praktikisht kokëfortësia e të dhënave historike të INSTAT dhe të përdorura nga S&P vazhdojnë të vërtetojnë teorinë ekonomike se nuk mund të ketë rritje të punësimit pa zhvillim ekonomik. Megjithëse qeveria e fasadës vazhdon të propagandojë në mënyrë uniforme një realitet të ndërtuar mbi gënjeshtra dhe spekulime.

Këtë thekson S&P që papunësia është rritur, që rritja ekonmike, sic e kam theksuar në shumë raste, varet nga dy investime strategjike nga TAP dhe HEC i Devollit, dhe nuk ka asnjë politikë, strategji a vizion kjo qeveri që të merret me problemin krysor që kanë sot shqiptaret, papunësinë.

Please follow and like us: