Pamjet e ndërhyrjes së RENEA për të shpëtuar 11 -vjeçaren e marrë peng (VIDEO)
Policia publikoi pamje të ndërhyrjes së forcave RENEA për të shpëtuar një 11 -vjeçare të marrë peng nga një fqinj i saj.
Media po i publikon ato të plota në videon më poshtë. Sipas policisë, më datë 15.08.2016, rreth orës 07:00, në Kodër Rrashbull, shtetasi Arben Kabashi, 46 vjeç, ka kapëryer murin rrethues dhe është futur në banesën e komshiut , ku ka marrë me forcë në banesën e tij vajzen e komshiut , shtetasen e mitur, Xh.K. 11 vjeçe. Në banesë ndodheshin vetëm tre vajzat pasi prindërit kishin ikur në punë më herët. Me të marrë njoftimin menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivat e Policisë së Durrësit, të cilët kanë bërë rrethimin e banesës. Shtetasi i lartpërmendur, i cili vuan nga depresioni mbante në dorë një thikë dhe kërcënonte se do të vriste vajzën. Ndodhur në këto kushte, në pamundësi të faktorit kohë për të pritur forcat më të specializuara për të tilla ndërhyrje, Efektivat e Policisë Durrës duke parë që po i kërcënohej seriozisht jeta vajzës, me inisiativë dhe me profesionalizëm kanë ndërhyrë me shpejtësi në disa drejtime duke i tërhequr vëmendjen agresorit. Falë ndërhyrjes së Policisë së Durrësit është bërë e mundur që e mitura të nxirret nga banesa e shtetasit Arben Kabashi dhe është dërguar në banesën e saj. Fatmirësisht vajza është në gjendje të mirë shëndetësore, por e traumatizuar psikologjikisht ku policia menjëherë i ka çuar një psikologe. Në banesën e agresorit ishte edhe nëna e tij, ku falë ndërhyrjes së policisë është bërë e mundur nxjerrja e saj nga banesa. Grupi i negociatorëve të Reneas në bashkëpunim më Policinë e Durrësit pas disa orë negociatash kanë përdorur një gaz neuroparalizues duke mundësuar neutralizmin dhe kapjen e shtetasit Arben Kabashi.