Perandoria e Gengis Khanit, që u ngrit nga hiçi dhe dominoi botën
Arriti të shtrihej nga deti i Japonisë, deri në brigjet e Mesdheut. Historia e udhëheqësit suprem të mongolëve. Që nga fëmijëria si vëllavrasës, tek bashkimi i fiseve nomade, pushtimi i Kinës, deri tek mbërritja në Euroje, në brigjet e Adriatikut. Duke i tmerruar europianët, që në atë kohë menduan se kish mbërritur apokalipsi. Perandoria më e madhe e të gjitha kohërave u krijua me goditje shigjetash dhe heshtash, nga një armatë kavalierësh nomadë. Njerëz që, në vend të pallateve luksozë preferonin çadrat dhe që deheshin me qumësht pele të fermentuar. Hipur mbi kuajt e vegjël të stepave – secili luftëtar mbante me vete katër apo pesë – u përhapën nga lumi Ind deri në brigjet e Mesdheut. Europaa e pasur u tmerrua dhe shpëtoi vetëm prej fatit, nga ai që në atë kohë dukej si apokalipsi që vinte prej stepave të Lindjes.
Nga hiçi
Zhvillimi i perandorisë me shtrirjen më të madhe që ka ekzistuar ndonjëherë ka qenë i gjatë, dhe sot e kësaj dite mbetet pjesërisht një mister. Në fakt ekzistojnë shumë pak dokumente historike origjinalë që të kenë mbërritur deri në ditët tona. Është thënë se një pjesë e madhe e tyre janë redaktuar, por vetëm pas vdekjes së Gengis Khanit dhe bijve të tij dhe pas rënies së dinastisë Yuan, e themeluar prej tyre në Kinë. Pushtuesi më i madh i epokës së Mesjetës ishte në fakt analfabet dhe për pjesën më të madhe të jetës i përcolli gojarisht urdhrat e tij. Vetëm në vitin 1204 Gengis Khani vendosi që të përshtasë alfabetin ujgur (kodifikuar nga një popullsi turko-lindore) dhe më tej shkrimin kinez. Kronikat kryesore të historisë mongole, “Historia e fshehtë e mongolëve” dhe “Kronika e kaltër” janë gjetur dhe përkthyer vetëm gjatë shekullit të kaluar, pas një kërkimi kolektiv të denjë për sagën e Indiana Jones. Rivaliteti i nëntëqindës mes fuqisë ruse dhe asaj kineze si dhe dueli i tyre ideologjik mbi lëkurën e luftëtarit të lashtë kanë ndikuar shumë në këtë fshehje dhe kërkim të burimeve. Të groposur në ndonjë bibliotekë të territoreve të shfarosur të Azisë Qendrore, duhet të gjenden dokumente të tjerë themelorë: në fund të fundit, deri në mesin e viteve 400 gjuha mongole ishte gjuhë zyrtare e perandorëve Ming. Në gjuhën mongole ishin shkruar në fakt mesazhet zyrtarë që ata i dërgonin Perëndimit.
Gengisi i përgjakshëm
Dimë me siguri që qytetërimi mongol u zhvillua gjatë tre shekujve, mes viteve 1100 dhe 1400, duke arritur apogjenë e vet me perandorinë e Khanit të madh perandor dhe me pushtimet e bijve dhe nipërve të tij, mes viteve 1200 dhe 1368. Deri në vitin 1167, vit kur lindi Temuxhini, Gengis Khani i ardhshëm, në një vend të quajtur Delun Boldak, Mongolia ishte një zonë e paqëndrueshme. Ishte e populluar prej tribuve që merreshin më bujqësi dhe gjueti, koalicione klanesh që ndesheshin në beteja mes tyre për tajga dhe stepa deri në shkretëtirën e Gobit: naimanët, merkitët, kereitët, mongolët (të vendosur në pjesën lindore), tatarët (që thirren tartarë nga perëndimorët dhe që ngatërrohen me armiqtë e tyre mongolë), ongutët, ongiratët, kirgizët e kështu me radhë. Popullsia dominuese ishte ajo e tatarëve. Dhe ishin pikërisht këta që ndezën shpirtin e luftëtarit tek vogëlushi Temuxhin. Ishte nëntë vjeç kur tatarët i helmuan babanë, Jesugain, kreu i një klani vasal të kereitëve. Që atëherë, Gengis, i cili sipas legjendës kishte ardhur në jetë duke shtrënguar në grusht një copë gjaku të mpiksur, jetoi mes një mijë grackave dhe rreziqeve, duke kërkuar hakmarrjen dhe duke dhënë prova kuraje, force dhe mungese mëshire, që nuk ishin aspak të zakonshme. Një mizori që do ta bënte të famshëm si një kamxhik hyjnor i barabartë, në mos më i madh, se sa Atila.
Vëllavrasës
Që kur ishte ende adoleshent, për një peshk të vogël që e kishte kapur vetë por që ia kishin marrë me hile, vrau me gjakftohtësi vëllanë e tij Bekter. Në kulmin e fuqisë së tij do të rrafshonte qytete dhe shfaroste popullsi, aq sa nazistët e konsideronin si një model në teknikat e shfarosjes në masë. Sipas legjendës së përcjellë prej kronikave, kënaqësia e tij më e madhe ishte “të mposhtte armiqtë, t’ia sillnin para syve të lidhur me zinxhirë, t’ua plaçkiste gjithçka që ata zotëronin, të shihte të dashurit e tyre me fytyrën të mbytur në lot, të merrte kuajt e tyre, të shtinte në dorë bijat dhe gratë e tyre”. Si kompensim, Gengis dinte të shfaqej shpirtmadh dhe bujar me kundërshtarët besnikë. Në mizorinë e tij si luftëtar, ka shkruar orientalisti Luciano Petech, nuk bënte gjë tjetër veçse shprehte në mënyrë radikale “një shoqëri nomade ende të tërhequr, e cila donte të shtrihej kudo në stepa, i vetmi vendbanim i konceptueshëm prej saj”. Mes aleancave dhe ndryshimit të qëndrimeve të denja për një dramë shekspiriane (sovranët e kereitëve, atë dhe bir, në fillim e adoptuan dhe pastaj e luftuan), në vitin 1206 ai ia doli që të bashkonte pjesën më të madhe të fiseve mongolë si dhe të zgjidhej udhëheqësi suprem i tyre (Khan i madh). Kështu mund të hidhej kundër Kinës.
Ekspansioni
Perandorinë e kaltër e mbronte tashmë Muri i Madh. Ose të paktën versioni i parë i tij: më pak i shtrirë dhe fortifikuar se sa ai aktuali, ai shërbente për të sprapsur popullsitë nomade, por nuk ishte ende bastioni i fuqishëm i epokës Ming. Ishte i kapërcyeshëm dhe i penetrueshëm (disa prej portave ishin të mbrojtura dobët). Fillimisht Khani i madh sulmoi zotërinjtë chin, të quajtur edhe “Mbretërit e Artë”, me origjinë kitane dhe të vendosur në veri të Kinës. Më pas hsi-hsiat apo liaot perëndimorë, mbretëria e të cilëve njihej si Karakitai (Katai i zi) dhe ishte e banuar prej tangutëve, me origjinë tibetiane. Në vitin 1215, luftëtari mongol i vuri më në fund flakën Pekinit. Kalorësia e tij fillimisht plaçkiti, grabiti dhe më pas u tërhoq duke lënë aty një garnizon për të kontrolluar territoret. Kishte nisur përparimi. Në vitin 1219 ishte radha e Lindjes së Mesme: sulm në Battriana, Transoxiana, Corasmia. Nga Bukhara dhe Samarcanda mbetën vetëm rrënoja me qindra mijëra kufoma. Një prej gjenocidëve më të lashtë. Në vitin 1223 mongolët mundën rusët në Taganrog, duke i shtyrë përtej lumit Ural. Përpara se të vdiste në 25 gusht 1227, për shkak të pasojave të një rrëzimi banal nga kali gjatë gjuetisë (një prej mënyrave të preferuara të kalimit të kohës, bashkë me pijen dhe lojërat), perandori me sy maceje dhe mjekër të bardhë ua ndau perandorinë e tij katër bijve.
Ndarja
Ogodeit i la skeptrin e kreut suprem dhe ulusin, ose më saktë perandorinë, e Kinës së Veriut, malet e Tarbagantait, zonat e sedentarizuara; Jochit, i cili vdiq pak kohë më vonë, dhe birit të tij Batu i la zonën më të madhe por më pak të përparuar, e ashtuquajtura stepa Kipchak, e cila u zgjerua shumë dhe u ripagëzua Hordhia e Artë; Chagatait dhe pasardhësve të tij, u la ulusin që kufizohej me Indin dhe Kashmirin; djalit më të vogël, Toluit, luginat e Kerulenit dhe Ononit, vendet e origjinës së tij. Ogodei u zgjerua si një rul shtypës drejt perëndimit: Persia jugore, Rusia, Evropa Lindore. Pushtimi i perëndimit nisi në vitin 1237. Armatat e komanduara nga Batu mposhtën bullgarët e Vollgës dhe rusët, shkatërruan Kievin dhe nga Ukraina u shtrinë drejt Polonisë dhe Austrisë. Në prill të vitit 1241 shpartalluan trupat e Dukës Henriku i Slesias në Liegnitz, dhe ushtrinë e magjarëve në Mohi. Në një moment u gjendën në Spalat, në brigjet e Adriatikut. Hungaria tashmë ishte pushtuar. Evropa u zgjua si në një fillim të ri dhe mendoi se ndoshta kishte ardhur apokalipsi. Ky i kishte sytë si bajame dhe vishej me lëkurë.
Efekti domino
Fjalët që qarkullonin gojë më gojë i përshkruanin pushtuesit barbarë si monstra, djaj, madje kanibalë. Por aty ndodhi mrekullia: në dhjetor 1241 vdiq Khani i madh Ogodei dhe Batu, që tashmë duhej të kthehej në vendin e tij për zgjedhjen e khanit të madh, konstatoi se kullotat hungareze nuk mjaftonin për kuajt e tij. Kështu që bëri prapakthehu. Nuk shkoi shumë ndryshe në Lindjen e Mesme. Në vitin 1253, vëllai i Khanit të madh të asaj kohe, Mongke, Hulegu, themeloi në Persi perandorinë e Ilkhan (ose khanati i vogël). Çrrënjosi seksin islamik të Asasinëve (një urdhër i pamëshirshëm luftëtarësh ismailitë) dhe urdhëroi kalifin abasid që të tërhiqet. Pas refuzimit të tij (1258), Baghdadi u shkatërrua. Nëpër qytet mbetën të paktën 200 mijë kufoma. Vitin tjetër ishte radha e Sirisë: Damasku dhe Alepo ranë mes malit të kufomave. Por edhe këtë herë u përsërit kombinimi i 18 viteve më herët: duhej zgjedhur khani i Madh përsëri (mongke kishte vdekur) dhe Hulegu kuptoi se i kishte mbaruar ushqimi për kuajt. Kështu ua la Sirinë në dorë mamlukëve. Sa për Persinë, dinastia Ilkhan pasi u konvertua në islam, e qeverisi me rezultate shkatërrimtarë deri në vitin 1335. Sovrani i fundit, Abu Said, nuk pati trashëgimtarë: pati kështu një zbrazëti të madhe pushteti nga e cila përfitoi zotëria i stepave, turko-mongoli Tamerlan, që si thoshte vetë ishte pasardhës i gengiskhanëve. Atij i mbetej vetëm të mbyllte llogaritë me Sungët, padronë të Kinës jugore. Ia doli mbanë Kublai.
Kina është pranë
Pas vdekjes së Mongkes, kishin mbetur tre vëllezër të familjes së Toluisë që konkurronin për fronin e lartë. Fitoi Kublai, komandant në Kinën veriore dhe perëndimore, pas një lufte civile të gjatë. Mbretëroi për tridhjetë vite, nga 1264-a, por rezistenca e Sungëve u shtyp vetëm në 1279-ën. Megjithatë, që nga viti 1266 Kina u bë bariqendra e re e perandorisë. Kublai transferoi në Pekin kryeqytetin (më parë kish qenë Karakorumi në Mongoli), u konvertua në budizëm tantrik dhe me një urdhër e kinezëroi në “Yuan” – “Origjinë” emrin e dinastisë mongole. Mbretërimi i tij i gjatë shënoi një hapje, si edhe një pikë ekuilibri në procesin e kontaminimit me qytetërimet sedentarë dhe më të zhvilluar. Gjithmonë nën shenjën e pragmatizmit, sepse ai ishte tipari i tij kryesor, si dhe ndoshta arsyeja kryesore e afirmimit të qytetërimit mongol. Khanët nuk kishin rregulla juridikë të ngurtë dhe të ndërlikuar. Shamanizmi i tyre nuk parashikonte kulte: u drejtohej forcave natyrore që simbolizoheshin nga Tengri, zoti i qiejve; tributë mongole ndanin një lloj kodi nderi të pashkruar, ndërkohë që ai i shkruar, yasa, ishte më shumë një përmbledhje dekretesh se sa një trup ligjesh. Kjo lehtësi dhe konkretësi institucionale i bëri të predispozuar të përshtasnin zakonet e të tjerëve. Ndonjëherë arrinin të perfeksiononin modelet e kopjuar, si në rastin e yamit, sistemi i komunikimit që më pas u mor nga kinezët (stacione poste të kontrolluar nga ushtarakë, me mijëra korrierë me kuaj); herë të tjera i përkeqësonin, duke shkatërruar për shembull sistemin e ujitjes në rrafshnaltën perse. Po të mos kish patur një khan pa trashëgimtarë në Persi dhe një tjetër khan të shthurur në Kinë; ose sikur të mos kish shpërthyer në gjysmën e viteve 300 një epidemi e etheve bubonike që iu shtua përmbytjeve dhe katastrofave natyrore, ndoshta mongolët do ta kishin ruajtur kontrollin e tyre edhe për shumë shekuj. Por siç e dimë, historia nuk shkruhet me “nëse”, dhe me “por”.