Albspirit

Media/News/Publishing

Përse Clintonët i shpëtojnë gjithmonë “sëpatës”

clinton

W. James Antle III

A u habitët nga mënyra se si përfundoi hetimi i e-maileve të Hillary Clintonit? Nëse po, ju ose nuk keni jetuar deri më 1990, ose i keni shtypur kujtimet tuaja, në mënyrë të pamëshirshme.

Hetimi në serverin privat të emailit, të kandidates demokrate, që ajo e përdorte kur ishte Sekretare e Shtetit, kishte të gjitha tiparet e një skandali “Clinton” nga e shkuara.

Pati një pritshmëri jorealiste në mesin e republikanëve, se më në fund ky do të ishte skandali që do fundoste Clinton-ët, ndoshta edhe duke i dërguar ata pas hekurave. Ishin edhe mbrojtësit nga Partia Demokratike, që mohonin jo vetëm tymin, por edhe çdo mundësi të zjarrit. Pastaj, në fund, ishin njerëzit me fuqinë për të bërë një ndryshim, që vendosën t’u japin një leksion Clinton-ëve, por jo t’u shkaktonin ndonjë pasojë reale. Këtu James Comey shkoi në rrugën e Joe Liebermanit në vitin 1998.

Sigurisht, atëherë kishte një dallim të madh: Lieberman po bënte një gjykim moral të sjelljes së Billit. Comey po shpaloste një seri të gjetjeve, të cilat, “vdekatarëve” të tjerë do u hapnin telashe me ligjin, ose edhe mund t’u rrezikonin vendin e punës.

Por kur vjen puna tek skandalet e Clintonëve, Republikanët gjithmonë arrijnë të duken pakëz më të etur, pak si shumë partiakë. Ata ndjekin me të njëjtën forcë, si akuzat e rënda kundër Clintonëve, ashtu edhe ato më joserioze. Në këtë drejtim, ata janë pothuajse mbështetës të mbrojtësve më të paturpshëm të Clintonëve.

Republikanët ose e teprojnë, si për shembull ndjekin një “impeachment” aspak popullor, pavarësisht se nuk ka një shteg bindës drejt dënimit në Senat, ose shohin pyllin dhe thonë ku janë pemët, si për shembull kur nuk u morën aspak me zgjerimin e hetimit të Benghazit, për të ofruar një panoramë të plotë të ndërhyrjes katastrofike në Libi, të udhëhequr nga Clinton.

Skandalet Clinton janë bërë pothuajse të endura në pëlhurën politike. Konsumatorët konservatorë mund të mblidhen me kriklla birre dhe bluza ku shkruhet: “Unë jam i gatshëm që Hillary të shkojë në burg”, ose ta paraqesin atë me një uniformë portokalli, por për gjithë të tjerët, është vetëm zhurmë ambienti.

Edhe kur njerëz të arsyeshëm mund të mos pajtohen në lidhje me dobinë e goditjes së Clintonëve mbi skandalet themelore, shpesh herë polemikat përcaktohen nga fraza tipike të pasinqerta, si: “Unë nuk kam patur marrëdhënie seksuale me atë grua”; “Pa autoritet ligjor kontrollues”, apo “Varet se cili është kuptimi i ‘është’”.

Më e pakta, mbrojtja kyçe e Clintonit për skandalin e emaileve duket të jetë e rremë. Ajo tha se asnjë email që ndodhej në serverin e saj nuk ishte i klasifikuar në atë kohë, kur ajo i dërgoi dhe i mori. FBI zbuloi se nuk ishte kështu. Ajo tha se nuk kishte shanse që hackerat të kishin hyrë në serverin e saj. Comey pranoi se të paktën ishte e mundshme, ndërkohë që “ne vlerësojmë se aktorë armiqësorë siguruan qasje në emailin privat të njerëzve, me të cilët Sekretarja e Shtetit ishte në kontakt të rregullt, nga llogaria e saj personale e emailit”. (Bota.al)

Clinton këmbënguli se kishte dorëzuar të gjithë emailet me materiale pune, por kjo nuk është ajo që zbuloi hetimi. Për më tepër, deklarata e Comeyt përfshinte edhe këtë: “Është gjithashtu e mundshme që të ketë të tjera emaile, të lidhura me punën, që ata nuk ia dorëzuan shtetit dhe që nuk i kemi gjetur askund tjetër, dhe që tani kanë humbur, sepse ata i fshinë të gjitha emailet që nuk dorëzuan. Avokatët i pajisjet e tyre në mënyrë të tillë që të parandalonin rikthimin tërësor të tyre”.

Edhe pretendimi i saj se e gjithë kjo kish ndodhur për shkak të thjeshtësisë së përdorimit të vetëm një pajisjeje, nuk i shpëtoi këqyrjes së FBI-së.

Duke qenë se Clintoni nuk u akuzua, mbështetësit e saj do të pretendojnë se ajo u shfajësua dhe ata janë të përligjur, pavarësisht nga “pakujdesia ekstreme” në trajtimin e të dhënave të ndjeshme të qeverisë, “provave të shkeljeve të mundshme të statuteve lidhur me trajtimin e informacionit të klasifikuar,” situatave që “çdo person i arsyeshëm në pozitën e Sekretares Clinton duhet të kishte ditur …”.

“Për të qenë të qartë, kjo nuk do të thotë se në rrethana të ngjashme, një person i cili i angazhuar në këtë veprimtari, nuk do të përballej me pasojat”, tha Comey. “Përkundrazi, këta individët shpesh herë u nënshtrohen sanksioneve mbi sigurinë, apo atyre administrative”.

Republikanët në Kongres do të përpiqen të sigurohen që për Clintonin do të ketë pasoja, me një seri dëgjesash dhe deklaratash zemërimi. Por kët përpjekje nuk do të shpien askund, sepse ato nuk do të merren seriozisht nga shumë njerëz, që nuk janë as republikanë partiakë, as urryes të dedikuar të Clintonëve.

Këshilla që do u jepte cilido që ka parë “Clueless” në kinema: Nëse keni parë një skandal të Clintonëve, atëherë i keni parë të gjithë./The Week

Please follow and like us: