Shqipëria/ Turizmi vrasës dhe vjedhës
Nga Daniela Kostandini
Më është dhënë disa herë mundësia që të marr pjesë ne Panairet Ndërkombëtarë të Turizmit. Detyra ime ishte të pasqyroja gjithçka që ofronte pavioni shqiptar për të huajt. Berlin, Londër, Milano, ndër panairet më të mëdhenj të Europës, ku është privilegj të marrësh pjesë e të shohësh sesi sa shumë njerëz, por edhe përfaqësues të kompanive turistike interesoheshin për turizmin shqiptar. Por, a do te doja sërish të isha pjesë e një panairi tjetër sot? Sinqerisht për ta vizituar PO, por JO për të parë shtirjen e ofertës turistike shqiptare.
A po e zhvillon dot Shqipëria turizmin? A kemi ne kapacitete për të pritur dhe joshur turistët e huaj? Çfarë i ofrojmë në të vërtetë?Ne krenohemi me turizmin e detit dhe diellit, të mira që natyra na i fali. Po ne shqiptarët si kontribojmë? A kemi një ofertë te vërtetë turistike dhe cilat janë problemet që e shoqërojnë atë?
Ngjarja e Himarës tregoi se oferta jonë turistike për të huajt, fatkeqësisht është edhe vdekja. I gjori turist i huaj lahej në det pranë Livadhit, me siguri që as ishte vënë në dijeni për rrezikun që do i kanosej nga skafet!Por, ja që një kriminel mbi skaf i mori jetën. A ka faj vetëm monstra mbi atë skaf për atë që ndodhi? Absolutisht, Jo! Sikur forcat e rendit, rojet bregetare apo përgjegjësit për sigurinë në plazhe të bënin siç duhet punën për të cilën paguhen dhe tu vendosnin kufirin tek thana vrasësve mbi skafe, turisti nga Rusia, do të ishte shëndoshë e mirë sëbashku me familjarët duke u larë përsëri në ujrat e Jonit!E kot të thuash që Shqipëria ofron turizëm përsëmbari! Kjo është si të gënjesh veten e të tallesh me të tjerët. Problemet janë të mëdha në këtë sektor, që duhej të gjenerontë të ardhura të mëdha për vendin. Por që në fakt prodhon vazhdimisht tragjedi dhe jo vetëm. Prej vitesh në rrjetet sociale, e më pas në mediat online publikohen faturat tejet të kripura të vakteve që konsumohen në zonën e Bregut. Të gjithë e kemi parë vjedhjen e pafytyrë që i bëhet pushuesve në raportin e vlerës dhe konsumit. Një zhvatje financire, përballë së cilës edhe hajdutët e rëndomtë nëpër autobusë do të dorëzoheshin! Paguan dy kokrra veze sikur te ishin prej floriri. Për të mos folur pastaj për çudira të tjera që lidhen me çmimet absurde të strukturave akomoduese.Ndotja, është një tjetër problem. Ajo e plazheve po e po, por edhe ajo e ujit! Cilido ka qënë në jug, në plazhet e bregut, do e ketë vërë re që rreth mesditës, në mos pak më herët, deti pushtohet nga papastërti. Janë fekalet që kroçierat i hedhin në ujrat tanë detarë. E kanë më të lehtë dhe me leverdi kështu, se sa të shkarkohen ne porte, ku detyrimisht për shërbimin duhet të paguajnë. Gjejnë rrugën më të shkurtër, kursejnë paratë dhe detin tonë e përdorin si kosh mbeturinash. E bëjnë sepse ne, Shqipëria, nuk ka kapacitete për gjurmim të kroçierave. Bejnë si të duan në një vend që nuk është çudi ta konsiderojnë si të botës së tretë dhe pa Zot.
Thënë këto fjalë, i rikthehem edhe njëherë pyetjes nëse ofron Shqipëria turizëm.Në fakt , gjithë këto andralla e vendosin turizmin tonë në gijotinë. Të shkosh me mendimin “më mirë një vezë sot, se nje pulë mot”, tregon në perfeksion mungesën e vizionit për zhvillim të qëndrueshëm, tërheqës dhe afatgjatë të turizmit. Nëse sipërmarrësit nga injoranca apo nga grykësia, me vetëdije shkatërrojnë gjithçka, është detyrë e shtetit t’i ndalojë dhe edukojë. Por po ashtu, deri atëherë është detyrë e institucioneve, por edhe mediave të pasqyrojnë të vëretat (ndonëse shpesh të dhimbshme) të turizmit tonë, që qytetarët të jenë të mirëinformuar përpara se të zgjedhin se ku do pushojne, qofshin shqiptarë apo të huaj.
Please follow and like us: