Simbolet komuniste?! Polonia, i pari vend që i dënon me ligj
S’kanë kaluar shumë vite kur simbolet komuniste u shndërruan në një debat të madh ligjor. Polonia ishte i pari vend që vendosi
Në panoramën ndërkombëtare që mbyllën vitin 2009 për herë të parë u debatua mbi reflektimin ndaj lajmit të ardhur nga Polonia.
Në nëntor të 2009, presidenti polak, Lech Kaczynski, firmosi miratimin e një ligji në bazë të të cilit dënohet me gjobë e madje deri me dy vjet heqje lirie çdokush që zotëron, shpërndan apo blen për qëllime ideologjike, simbole të diktaturës komuniste e fashiste, madje dhe me anë të internetit
Për mjaft analistë e sociologë viti 2009 do të kujtohet dhe si viti i luftës ndaj simboleve. Simboli ky element i komunikimit, përfaqësues i një koncepti, i një objekti, i një cilësie apo ideje tashmë tremb mentalitetin njerëzor. Luftë ndaj simboleve fetare ndaj kryqit nëpër shkolla, ndaj minareve, ndaj ferexhesë, luftë ndaj simboleve politike, frikë ndaj një të panjohure historike e frikë nga fama e keqe e një historie shumë të përfolur. Ndërsa për politikanët profesionistë politika bëhet me akte konkrete, për mazhorancën e njerëzve jeta është një paradë simbolesh abstrakte. Jo të gjithë simbolet kanë kuptim politik, por e gjithë politika është e banuar nga simbolet. Kush mund të mendojë për fashizmin pa arritur të shohë këmishët e tij të zeza, kush mund të flasë për nazizmin pa analizuar kryqin e tij të thyer, kush mund të ëndërrojë komunizmin pa mitizuar draprin e çekanin?
“Simboli nuk është thjesht një veshje aksidentale e mendimit, por është organi i tij i nevojshëm e esencial. Ai nuk shërben vetëm si qëllim komunikimi i një përmbajtjeje konceptesh të gatshme e të bukura, por është një instrument në bazë të të cilit kjo përmbajtje krijohet e merr formën e saj të plotë”, – thotë filozofi gjerman, Ernst Cassirere. Komunikimi me anë të simboleve është antik, natyral e më i shpejtë se mjetet e tjera të komunikimit, ai shemb çdo barrikadë, thjeshtëzon e memorizon mesazhe.
Simbolizmi fetar karakterizohet nga thjeshtësia, universalizmi e përhapja e konceptit – çelës të doktrinës fetare që përfaqëson. Në fushën politike simbolet tentojnë të përcaktojnë dukshmërisht kush janë më të fuqishmit, por dhe kush janë e si duhet të jenë të bindurit. Konkretizimi i simboleve formon objektivitetin e fuqisë e të rregullave të saj. Në skenën politike të gjithë reagojnë sipas një kuptimi objektivisht të përcaktuar, madje simbolet bëhen të rëndësishëm për të linjëzuar sensin që një individ i jep vetvetes e aksioneve të tij.
Sipas mendimit filozofik të Kantit, simboli është i ndjeshëm, me karakter e mund të luajë rolin e një intuite që siguron kuptimin e konceptit. E ky i fundit nuk është gjë tjetër veçse një ide abstrakte apo një simbol mendor tipik që korrespondon me përfaqësuesin e tij në një gjuhë apo në shkencën e simbolistikës.
Në panoramën ndërkombëtare të lajmeve të fundit që mbyllën vitin 2009 mjaft kurioz, reflektues e me shumë polemika qe lajmi i ardhur nga Polonia. Në fund të nëntorit të kaluar, Presidenti polak, Lech Kaczynski, firmosi miratimin e një ligji në bazë të të cilit dënohet me gjobë e madje deri me dy vjet heqje lirie çdokush që zotëron, shpërndan apo blen për qëllime ideologjike, simbole të diktaturës komuniste e fashiste, madje dhe me anë të internetit”. Gjatë një periudhe shumëvjeçare kohe, për miliona persona simbologjia komuniste qe emblema e lirisë e për miliona të tjerë qe e vazhdon të jetë simbologjia e terrorit e despotizmit. Ky lajm i ardhur nga Polonia është pjesë e luftës ndaj frikës së njohur e famëkeqe të një historie të tmerrshme.
E përditshmja angleze “Times” e komentoi këtë fakt si një përpjekje të politikanëve polakë për të bërë të padukshëm komunizmin. Për fanatikët e së majtës brenda apo jashtë kufijve polakë e krahasojnë këtë ligj me paradoksin e një diktature mbi diktaturën. Ndërsa për Presidentin Lech Kaczynski, “Asnjë imazh i komunizmit ka të drejtë të ekzistojë në Poloni. Komunizmi e sistemi i tij genocid duhet të krahasohen me nazizmin”. Fjalët e tij janë përkrahur nga mjaft historianë polakë, për të cilët siç shprehet historiani Wojciech Roszkowski, “nuk është aspak i gabuar krahasimi me nazizmin, e prandaj të dy sistemet politike me simbolet përkatëse duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë”.
Simbolet nuk ilustrojnë më një politikë, ato janë politika, rreth tyre luftohet, protestohet, polemizohet. Komunizmi nuk qe një lojë apo një ideologji që ngrohte zemrat, përkundrazi ai plasi e ndaloi mjaft prej tyre. Nuk ka asgjë romantike e argëtuese tek komunizmi e ky është dhe mesazhi i ligjit të miratuar në Poloni.
Simbolistika komuniste e pak histori e saj
Qysh në vitin 2005 në Bashkimin Evropian, nën shembullin e propozimit të avancuar të Gjermanisë për të dënuar çdokush që ekspozon kryqin e thyer nazist, disa parlamentarë të ardhur nga vendet e ish bllokut sovjetik kërkuan që të njëjtën fat të kishte dhe simbolistika komuniste, në nderim të të gjitha viktimave që ka shkaktuar totalitarizmi i tij. Kjo kërkesë u mbështet nga mjaft organizata në të gjithë Evropën e në disa shtete si Lituani, Letoni, Hungari, Poloni, por gjeti dhe rezistencë në disa vende të Evropës Perëndimore ku simbolet komuniste kanë përfaqësuar e vazhdojnë të përfaqësojnë një formim aktiv e të dukshëm politik e një traditë politike evropiane pa përgjegjësi historike ndaj politikës represive të totalitarizmit sovjetik apo të diktaturave të frymëzuara nga doktrina marksiste-leniniste.
Simbolet komuniste, historiku
Flamuri i kuq
Nga revoltat e fshatarëve të Rusisë së shek. VII arrin deri më sot një nga simbolet më antike të komunizmit, pra flamuri i kuq. I adoptuar më vonë nga lundruesit e anijeve e piratët, ngjyra e tij simbolizonte gatishmërinë për të luftuar, gjakun e frikën që duhej t’i kallnin armikut ndaj të cilit nuk kishin asnjë mëshirë. Më vonë rishfaqet në demonstrimet e punëtorëve të Lionit në 1834 e gjatë revolucionit të 1848 mbi barrikadat e Parisit. Gjatë komunës së Parisit në 1871 valëvitej mbi ndërtesat publike e ngjyra e tij u bë progresivisht më e kuqe nga gjaku i punëtorëve që e pretendojnë si simbol të tyre. Nga shek. VII e deri më sot flamuri i kuq simbolizon një sinjal rreziku e një popull në luftë. Sot ai është një emblemë socialiste e komuniste e lidhur veçanërisht me të majtën revolucionare e me traditat socialdemokrate e sindikaliste.
Drapër e çekan
Drapri e çekani u adoptua si simbol i bashkimit midis punëtorëve e fshatarëve në vitin 1892 fillimisht nga Partia e Punëtorëve në Itali. Gjatë ‘900 u kthye në simbol të ekselencës komuniste e në një emblemë klasike të partive komuniste. Në Rusinë e sapolindur sovjetike drapër e çekani u përdor për vendime qeverisëse gjatë prillit të 1918 dhe u ratifikua në kongresin e pestë sovjet më 10 qershor 1918. Shfaqja e parë e këtij simboli në një dokument zyrtar i përket 26 qershorit 1918 gjatë këshillit të komisarëve të popullit ose ndryshe Sovnarkom. Drapri e çekani u bë prezent jo vetëm në flamurin e Bashkimit Sovjetik, por dhe në atë të shumë republikave që bënin pjesë në të.
Ylli me pesë cepa
Ylli me pesë cepa simbol i komunizmit e i socializmit përfaqëson njëkohësisht dhe pesë gishtat e dorës së një punëtori, pesë kontinentet e bashkuara nën thirrjen “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni. Një interpretim jo shumë i njohur i yllit me pesë cepa është se paraqet pesë grupet sociale që kontribuuan në kalimin në socializëm: të rinjtë, ushtarakët, punëtorët, fshatarët e intelektualët. Marks e Engels e përdornin si simbol të humanizmit radikal e të betejës së përgjakshëm të luftës së klasave, prandaj dhe u bashkua me flamurin e kuq e emblemën e drapër e çekanit. Edhe sot këtë simbol e gjejmë në mjaft flamuj apo emblema shtetesh socialiste si dhe nga mjaft organizata e grupe internacionale në të gjithë botën.
Nderimi me grusht
Grushti i mbyllur (ang. raised fist) është i përdorshëm kryesisht nga shumica militantëve e simpatizantëve politikë e socialë të zonës komuniste e socialiste pra në përgjithësi të së majtës përfshirë anarkikët, pacifistët, antifashistë. Ai shpreh e manifeston solidaritet, forcë e sfidë. Gishtërinjtë e mbyllur simbolizojnë të dobëtit që bashkohen për të krijuar diçka më të fuqishme. Gishtërinjtë interpretohen dhe si përfaqësues të ndarjes së lëvizjes punëtore, që së bashku krijojnë një bashkësi të fuqishme e të fortë si grushti.
Internacionalja Komuniste
Ishte qershori i vitit 1871, kur Eugene Pottier një zdrukthëtar nga Lille shkruan në lagjen Monmatre të Parisit vargjet e Internacionales Komuniste. Kjo poemë bëhet pjesë e përmbledhjes “Chants revolutionnaires” e Charles Gross autori i “Marshi i 1 Majit” i dhuron një kopje të këtij vëllimi grupit politik, Lille del Parti ouvrier. Gustave Delory, bashkiaku i Lille mbetet i impresionuar nga vargjet e Eugene Pottier e kërkon nga muzikanti Pierre Degeyter kthimin e saj në këngë. Muzika e Internacionales kompozohet nga ky artistë diletantë në tre ditë në tavolinat e kafenesë “La Liberte” e më 23 qershorit 1888 u këndua për herë të parë në publik. Më 1919 në Kongresin Ndërkombëtar të Kopenhagen u kthye në një himn internacionale e nga ky moment u bë himni zyrtar i lëvizjes botërore punëtore.
Fjala “Shok”
Vjen nga një fjalë latine mesjetare e nënkuptonte “personin me të cilin ndan bukën” por dhe “personin me të cilin ti ke një afrimitet shpirtëror e përballon me ty të njëjtin fat tëndin”. Polonia me qëndrim të prerë në respektimin e këtij ligji edhe pse me polemika nga shumica e së majtës ndërkombëtare, brenda territorit të saj ka pasur e ka përkrahjen e shumicës së medias së majtë e të djathtë vendase, për të cilët nuk e nuk duhet të ketë rikthim prapa e as nostalgji ndaj një realiteti mizor e antihuman siç ishte ai i komunizmit. Edhe pse mediat evropiane e kanë banalizuar këtë fakt nën titujt “për një Che Guevara mbi bluzë në Poloni mund të përfundosh dhe në burg”, Presidenti Lech Kaczynski nuk lë vend për polemikë: ligji është ligj e duhet zbatuar.