Albspirit

Media/News/Publishing

Të panjohurat mbi gladiatorët

 

Gladiatorët romakë janë bërë personazhe shumë të popullarizuara në kulturën moderne, ndërkaq sot dimë relativisht shumë mbi këta luftëtarë të lashtë. Fatkeqësisht, filmat modernë kanë shtrembëruar dukshëm faktet e vërteta lidhur me ta, dhe na kanë bindur që lojërat e gladiatorëve kanë qenë orgji gjaku dhe vdekjeje të pashmangshme. Mirëpo, historia na ofron tregimin krejtësisht tjetër: ato kanë qenë ngjarje të planifikuara me kujdes në të cilat është investuar shumë para dhe mund. Tepër shumë që një jetë gladiatori të humbej aq lehtë.

  1. Gladiatorët në shumë raste i kanë mbijetuar luftërat, madje edhe kur kanë humbur

Nuk ka fare dyshim që gladiatorët kanë vënë jetën e tyre në rrezik me vetë hyrjen në amfiteatër, mirëpo pikërisht ai moment rreziku ka qenë edhe pjesa më e rëndësishme e lojës. Sipas fjalëve të prof. Fritz Krinzigerit, nga Instituti Arkeologjik i Austrisë, gladiatorët kanë qenë sikur pilotët e sotëm të Formula 1, “Shumaherët e botës antike”. Çdo herë kur janë paraqitur, i janë ekspozuar rrezikut serioz, mirëpo, sikur edhe sportistët e sotëm (ekstremë) ata kanë qenë të gatshëm të rrezikojnë jetën për sportin e tyre. Shkenca moderne sot na ofron pamje të hollësishme në jetën e një gladiatori. Andaj sot dimë që këta të burgosur të famshëm kanë pasur kujdes dukshëm të mirë mjekësor. Plagët dhe thyerjet e eshtrave të tyre i kanë shëruar, ndërkaq gjatë shërimit madje u janë nënshtruar edhe terapive fizikale. Dokumentet historike dëshmojnë që disa gladiatorë kanë pasur edhe mjek dhe masazhist privat personal, ndërkaq ushqimi i tyre ka qenë dukshëm më i mirë. Me analizën e 100 luftërave të gladiatorëve nga shekulli I, është konstatuar që vetëm 19 nga 200 gladiatorë kanë humbur jetën në arenë. Ata thjesht kanë qenë tepër të vlefshëm, andaj edhe kujdesi për jetën e tyre ka qenë madh.

  1. Gladiatorët kanë pasur sponsorë

Sikur sportet e sotme, për luftërat e gladiatorëve ka pasur edhe interesim financiar. Lanistaeat, ndërmarrës, të cilët kanë blerë dhe shitur dhe i kanë pasur gladiatorët e rinj, kanë qenë faktori më i rëndësishëm i këtij sporti të përgjakshëm. Ata gladiatorët i kanë huazuar për luftëra, mirëpo më parë i kanë dërguar në shkolla të gladiatorëve, i kanë stërvitur, i kanë ushqyer mirë… Lanisate në gladiatorët e tyre kanë investuar para të shumta. Laniasaet kanë pasur aq fuqi sa që kryesisht kanë qenë ata të cilët kanë vendosur për jetën e gladiatorit, pra jo publiku apo organizatori (politikani apo patrici). Duke pasur parasysh që kanë investuar para në luftëtarët e tyre, interesi i tyre nuk ka qenë që t’i nxjerrin të vdekur apo shumë të plagosur nga amfiteatri. Lanista ka pasur të drejtën e pakontestueshme që të kërkojë nga gjyqtari (çdo luftë ka pasur gjyqtar) që ta kursejë luftëtarin apo ta shpallë luftën të barabartë, në mënyrë që të pengohej shkaktimi i plagëve të mëtejshme. Nëse lufta e gladiatorëve do të zgjaste shumë, vetë luftëtarët e lodhur kanë pasur të drejtën të dorëzoheshin, ndërkaq dorëzimin do ta bënin ashtu që do të hidhnin shpatën dhe mburojën në tokë dhe pastaj do të ngrinin dorën me gishtin tregues të shtrirë. Nëse lufta ka qenë e mirë dhe e sinqertë, publiku ka bërtitur “misso” (mëshirë), mirëpo nëse publiku nuk ka qenë i kënaqur, ka bërtitur “lagula!” (pritja kokën!). Në momentet e tilla organizatori i luftës ka pasur fjalën kryesore – të plotësojë dëshirën e publikut gjakpirës, apo t’i paguajë Lanistait dëmshpërblim të madh për vdekjen e luftëtarit të tij. Si edhe sot, paraja kryesisht i ka ndikuar rezultatet.

  1. Gladiatorët kanë qenë mirë të shpërblyer për përpjekjet e tyre

Askush në Romë nuk ka dëshiruar të shohë se si gladiatori i famshëm humb jetën në arenë, andaj as Julie Cezari, i cili, edhe pse ka dhënë urdhër që gjatë shfaqjes së gladiatorëve të cilën e ka organizuar për  të bijën Julia “Gladiatorët të cilët nuk shkaktojnë ngazëllimin e publikut duhet me dhunë të mbrohen dhe të shpëtohen”. Historiani Svetonie ka shkruar madje që as gjakpirësi Neron nuk ka dashur të shohë duke vdekur gladiatorin në arenë, andaj edhe ai ka urdhëruar që asnjë gladiator të mos vritet gjatë shfaqjes në Campus Martius. Pas përfundimit të luftës, fitimtari ka pasur të drejtën të shkojë deri te lozha në të cilën ka qenë e ulur paria e Romës dhe aty ka marrë shpërblimin – degën e palmës dhe qesen me para të cilën ka pasur të drejtë ta posedojë, me gjithë faktin që ka qen rob. Për paraqitjet e ardhshme, gladiatorët kanë mundur të fitonin kurorën e dafinës, e cila ka qenë e barabartë me medaljen e artë të sotme. Disa “njerëz të lirë” janë bërë gladiatorë pikërisht për shkak të këtyre shpërblimeve.

  1. Gladiatorët kanë pasur adhuruese

Përzierja e trupit muskulor dhe e krenarisë gjithmonë ka kaluar mirë posaçërisht te adhurueset. Emrat artistikë të gladiatorëve, si p.sh. Narcis apo Eros, kanë treguar për atë se si organizatorët dëshirojnë të tërheqin kureshtjen e pjesës femërore të publikut, ndërkaq një shkrim lidhur me gladiatorin Celad, flet se si ai ka shkaktuar admirim te të gjitha vajzat. Në shekullin II të erës së re, satiriku Juvenal ka përqeshur një princ të cilin e ka braktisur bashkëshortja për t’u martuar me gladiatorin: “Në fytyrën e tij ka pasur disa deformime: vraga nga helmeta, gunga e madhe në hundë. Mirëpo ajo që e duan femrat është shpata”. Është i njohur mirë fakti që gladiatorët kanë qenë joshës për femrat, madje edhe damat me prejardhje fisnike kanë luftuar për “shërbimet” e tyre. Mirëpo, joshja erotike e gladiatorëve nuk ka qenë posaçërisht e  preferuar për meshkujt, andaj edhe Perandori August ka qenë i brengosur sa që ka urdhëruar që femrat t’i shikojnë gladiatorët vetën nga pozita më e largët e arenës.

  1. Lojërat e gladiatorëve kanë qenë të planifikuara me kujdes

Sot e dimë që të gjitha lojërat e gladiatorëve kanë qenë tepër larg nga orgjia e zakonshme e gjakut dhe e vdekjes së pashmangshme. Këto dyluftime kanë qenë të planifikuara me kujdes, ndërkaq janë zhvilluar nën syrin vigjilent të gjyqtarit. Gladiatorët kanë qenë luftëtarë të cilët rregullisht kanë stërvitur, ndërkaq shkathtësia e shtyrjes, lëvizja dhe kundërsulmi të cilat kanë shkaktuar ngazëllim të publikut nuk kanë qenë asgjë tjetër pos veprime të ushtruara mirë. Historianët e sotëm këto luftëra i krahasojnë me boksin sotëm, vetëm që në vend të dorezave, luftëtarët kanë pasur shpata. Ekzistojnë dëshmi që disa garues “kanë luftuar” me kamxhikë, vravashka dhe hekur të skuqur në zjarr, mirëpo shumica e historianëve besojnë që ata nuk kanë qenë gladiatorë, por ushtarë arrogantë apo kriminelë të dënuar me vdekje. Lojërat e gladiatorëve kanë qenë ngjarje që kanë zgjatur tërë ditën. Dita gjithmonë ka filluar me shfaqjet me kafshë të cilat më së shumti kanë rikujtuar gjuetinë e inskenuar. Pastaj gjatë pauzës së drekës, është bërë ekzekutimi i kriminelëve të dënuar me vdekje. Ekzekutimi i tyre është bërë në mënyra të ndryshme. Pas ekzekutimeve brutale në të cilat publiku është kënaqur, ka pasuar pauza me ndonjë akt komik, apo madje edhe me ndonjë pikë vallëzimi. Vetëm në orët e pasdites në arenë kanë filluar të shfaqen gladiatorët duke bartur mburojat e zbukuruara mirë, të shoqëruar me tingujt e tupanëve dhe me fanfare. Gladiatorët më parë janë parapërgatitur me armë të drunjta apo të topitura, duke i treguar publikut shkathtësitë e tyre. Gjatë lojërave të gladiatorëve, zakonisht kanë ndodhur 12-15 duele, ndërkaq shumë pak kanë përfunduar me vdekje të pjesëmarrësve.

Please follow and like us: