Vrasja në dhjetor/A është Landi i Mirasit informatori i gazetarit Hoxha!
Gazetari Artan Hoxha deklaroi se pak kohë pasi kishte transmetuar një investigim për arat e drogës në Korcë, një informator i tij u ekzekutua me plumb me kokë, ndërkohë që vetë gazetari ishte kërcënuar nga drejtues të rrjetit të kanabisit në këtë zonë. Por a është informatori i gazetarit, Jani Kollcinaku? Ky i fundit u ekzekutua në dhjetor të vitit të kaluar dhe trupi i tij u hodh në rrugë. Ashtu si ka deklaruar sonte Hoxha ai u rrëmbye fillimisht, u vra dhe më pas u hodh larg nga vendi i vrasjes. Kollçinaku ishte 37-vjeç banues në fshatin Miras, të Devollit. Trupi i pajetë u gjet nga qytetarët, në afërsi të fshatit Zëmblak, të cilët kanë lajmëruar policinë. Sipas policisë, 37-vjeçari i njohur me pseudonimin si “Landi i Mirasit”, është vrarë me një plumb në kokë. Gjithashtu dyshohet se vrasja, mund të jetë kryer në një vend tjetër dhe jo në vendin ku u gjend trupi i viktimës. Ndërkohë policia e Korçës ka shoqëruar disa persona në lidhje me këtë ngjarje. 37 -vjeçari është një emër i skeduar nga policia e Korçës pasi rezulton të jetë me precedent të mëparshëm penal. Ai rezulton i dënuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pikërisht kjo është pista kryesore e hetimit. Pazaret e prishura të drogës mund të jenë motivet e ngjarjes së rëndë.