Zyrtari rumun do të japë dorëheqjen pas skandalit të veshjeve në Rio
Me një skandal turpërues të fanellave dhe numrit më të ulët të medaljeve në 60 vitet e fundit, presidenti i Komitetit Olimpik të Rumanisë, Alin Petrache të hënën premtoi se do të japë dorëheqjen pas Lojërave Olimpike Rio 2016.
Financimi i keq i sportit në periudhën pas Luftës së Ftohtë në Rumani po jep rezultatet e saj të këqija në shumë mënyra dhe vendi ka fituar vetëm katër medalje pas nëntë ditësh, vetëm një prej ari, rezultati më i keq që nga viti 1952, raportoi Agence France-Presse, AFP.
Por zhgënjimi u kthye në poshtërim teksa fanellat zyrtare u tkurrën pas larjes, logot u hoqën nga bluzat dhe pantallonat pasi lanë njolla boje në trupat e atletëve.
“Do të jap dorëheqjen pas Olimpiadës, në mënyrë që një hetim të mund të mos pengohet nga hierarkia,” tha Petrache në një deklaratë zyrtare të hënën.
Policia rumune ka filluar të hetojë kompaninë e Bukureshtit që ka prodhuar veshjet dhe lëshoi një deklaratë duke thënë se dyshojnë për falsifikim.
Vendi që i dha sportit botëror gjimnasten legjendare Nadia Comaneci, me 10-pikëshin e parë perfekt në 1976, po vuan ndërkohë nga fakti se skuadra e gjimnasteve, që ka qenë në podium pa asnjë dështim prej katër dekadash, nuk ia doli të kualifikohej në Rio.
Faji për dështimin iu hodh një eksodi të trajnerëve të mirë në poste të paguara më shumë jashtë vendit, kryesisht në SHBA dhe Francë.