Albspirit

Media/News/Publishing

Armiqtë donin ta arrestonin Kadarenë pas vdekjes së Enver Hoxhës

Studiuesi anglez Peter Morgan sjell një vështrim të raportit të shkrimtarit me diktaturën komuniste përmes një analize mbi veprat e tij

Kadare“Pas muajve të pare të vitit 1984, Enver Hoxha nuk doli më në publik me pretekstin e shkruarjes së kujtimeve. Ishte e qartë se ai ishte i sëmurë dhe ishte i paaftë të luante rolin e tij si udhëheqës. Ramiz Alia mori në dorë punët e shtetit i vëzhguar rreptë nga Nexhmija. Në ketë kohë, kryeministri konservator i Bavarisë, Franz Josef Shtraus, vizitoi Tiranën duke ofruar kredi dhe investime, duke bërë kështu një hap të rëndësishëm të afrimit të Perëndimit  ndaj Shqipërisë. Oferta e tij u refuzua me arsyen se Shqipëria nuk pranonte më (qysh me kushtetutën e re të 1976) kredi nga vendet dhe institucionet monetare kapitaliste. Duket se ne ketë kohe tranzicioni nuk do të ndryshonte asgjë pavarësisht nga nevojat e popullit. Hoxha doli ne publik për here të fundit me 28 nëntor 1984, me rastin e festës se pavarësisë”. Peter Morgan një nga njohësit më të mirë të letërsisë së Kadaresë e përshkruan kështu për lexuesin e huaj vdekjen e diktatorit më vitin 1985.  Morgan i joshur herët nga librat e Kadaresë, që pas leximit për herë të parë të Pallatit të Ëndrrave, do të nis të hulumtojë gjithë veprat e shkrimtarit të botuar gjatë komunizmit, për të bërë një analizë të hollësishme të tekstit përmes së cilës jep dhe raportin e shkrimtarit me sistemin. “Kadare, shkrimtari dhe diktatura 1957-1990”, quhet libri i botuar në Britani, i ardhur në shqip nga botimet 55 nën përkthimin e Ilir Shametit. Një shembull i analizës letrare i një studiuesi që kërkon ta elaburojë tekstin deri në imtësi. Por përtej vlerës si studim letrar Morgan sjell dhe një analizë të raportit mes shkrimtarit dhe diktaturës duke kthyer përgjigje përmes rreshtave pyetjeve që ngrihen shpesh në ka pasur apo jo desidencë të heshtur në letërsinë shqipe. Vdekjen e diktatorit ai kërkon ta shohë përmes mënyrës sesi ajo është përcjellë dhe në librat e shkrimtarit shqiptar. “Me shprehjen e zymtë të dikujt që tashmë ka bërë marrëveshje me vdekjen, në kundërshtim me zakonin komunist, ai nuk përpiqej ta fshihte dëshperimin”, shkruan Kadare tek libri “Pesha e Kryqit”.

Morgan analizon dhe Thomas Svhreiber biograf i Enver Hoxhës, i cili verën se në fjalën e fundit drejtuar popullit, Hoxha paralajmëronte mbi “armiqtë e brendshëm”. Kjo ndodhte katër muaj para vdekjes se tij. Imazhi i Hoxhës nëpër parulla apo pankarta kurrë nuk u paraqit si ai i një njeriu të pavdekshëm. Ai u paraqit në të gjitha stadet e jetës se tij, i plakur dhe i sëmurë me kalimin e viteve. (Sipas Jean Paul Champseix, pas vdekjes, Hoxha dukej si “engjëll buçko nëpër pankarta”. Sëmundja e diabetit i mori një gjymtyrë dhe më vonë mendjen.” Në një gjendje të rëndë degjenerimi mendor, ai i kaloi ditët e netët e fundit i torturuar nga fantazmat e përgjakura të së kaluarës. “I zhytur në çmendurinë e tij, me një këmbë të prerë, duke ulëritur gjatë natës i tmerruar nga hijet, që sipas tij kalonin përmes dhomës, diktatori po ngryste ditët e tij të fundit”, shkruan Morgan. Në natën e 10 prillit, Enver Hoxha vdiq në moshën 76 vjeçare. Ramiz Alia u zgjodh nga Komiteti Qendror për t’u bërë Sekretar i Parë, megjithëse Nexhmija, zonja Makbeth e Tiranës, mbante të shtrënguara  fort frenat e shtetit. Lajmi i vdekjes u dha në mëngjesin tjetër. Në varrimin e mbajtur me 15 prill, Alia i bëri të ditur Shqipërisë dhe botës se vija politike e Hoxhës do të vazhdonte pa asnjë ndryshim. Asnjë ndryshim nuk duhej pritur si në politikën e jashtme dhe atë të brendshme”. Në ketë moment të rrezikshëm tranzicioni, regjimi mbajti një qëndrim të ngurtë për të ruajtur stabilitetin. Por çfarë kishte arritur enverizmi? Pas më shumë se dyzet vjetëve ne pushtet, shkruan Jacques, regjimi i Hoxhes sundonte akoma mbi kombin më të varfër ne Europë”.

“Ata kishin rritjen me të lartë të popullsisë në Europë dhe të ardhurat me të ulëta për frymë. Megjithë lavdërimet për “diktaturën e proletariatit” vetëm 4% e popullsisë ishte anëtare e Partisë sunduese komunistë. Fabrikat e tyre ishin tejet të vjetëruara dhe pjesët e ndërrimit mungonin. Kontrolli burokratik nga lart ishte tepër i fortë dhe sindikatat nuk lejoheshin. Fshatari në fermat e kolektivizuara prodhonte më pak se në bahçen e tij të vogël. Dyqanet shtetërore kishin radhe të gjata, por shpesh ato ishin bosh. Njerëzit nuk mund të ndërronin vendin e punës apo vendbanimin ose të vizitonin një shtet tjetër. Ata nuk mund ta zgjidhnin vetë vendin e punës apo profesionin ose të kishin automobil në vend të biçikletës ose të zgjidheshin ne fushata elektorale. Ata nuk mund të abonoheshin në gazeta apo revista të huaja të kundërshtonin politikën apo të ndiqnin fenë e tyre. Pra ata ishin krejt të izoluar nga Lindja e Perëndimi; ishin krejt të vetmuar”, shkruan Jacques.

Por çfarë ndodhi me shkrimtarin Kadare teksa diktatori u largua nga jeta? Sipas Morgan në mbrëmjen e vdekjes së diktatorit më 10 prill armiqtë e Kadaresë në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Byronë Politike dhe Komitetin Qendror komplotuan për të fundit herë që ta arrestonin atë. “Romani i shkurtër Clair de lune, i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare por jo aq shpërthyes sa veprat e  tjera, kaloi përmes kritikës së zakonshme zyrtare të Partisë. Një vajzë në një uzinë moderne i nënshtrohet poshtërimit, ngacmimeve fizike e seksuale në shoqërinë e cekët e cinike shqiptare. Kultura qytetare ushqen shqetësimin, dyshimin dhe urrejtjen. Solidariteti i idealizuar komunist i Dasmës këtu mungon krejt. Ndërsa hapte me nxitim mbledhjen për të denoncuar veprën, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror tashmë e dinin se Hoxha kishte vdekur. Kadareja e ndjeu menjëherë ndërhyrjen e Nexhmijes”, shkruan Morgan.

Sipas tij, në fillim të vitit 1985, ndoshta i shtyrë nga djalli apo si dikush që kërkon nëpër errësirë në fund të kopshtit të tij, me kandil në dorë, për të pare nëse ka kaluar rreziku, botoi romanin Clair de Lune. Reagimi ishte i menjëhershem. Dukej qartë që gruaja e diktatorit kishte marrë frerët.

“Ky veprim ishte për Kadarenë një paranoje paniku për ti qëndruar besnik vijës së Partisë, për të ruajtur vazhdimësinë dhe kontrollin në ketë periudhe kyçe të vdekjes se diktatorit. Ditët dhe muajt pas vdekjes se Hoxhes u dalluan për mënyrat histerike të betimit për ti qëndruar besnike kujtimit dhe veprës së diktatorit”, shkruan Morgan. Kadareja e mbyll librin Pesha e Kryqit me një imazh kurioz por krejt të përshtatshëm të Hoxhë, jo si një paranojak i çmendur që ulurin nga frika dhe as si një diktator i pamëshirshëm në kulmin e pushtetit, por si një djalosh të pispillosur me 1941, që i pret rrugën një delegati në mbledhjen e parë të Partisë Komuniste. Në këtë libër nuk shfaqet ai zemërim që pritej dhe as agresiviteti që shprehet në dokumentet e tjerë pas rënies së regjimit si për shembull Pranvera Shqiptare. Megjithëse ka marrë diçka nga Bulgakovi, ky imazh nxjerr në pah kuriozitetin e shkrimtarit rreth ngjashmërive dhe kontradiksioneve të ndëshkuesit e mbrojtësit të tij. “Fytyra e tij ishte e zbehtë, por e qetë dhe e bukur. Dikush mund të thotë se i çliruar nga djajtë e tij, ai kishte venë maskën që i ishte dhënë jo shumë kohë më parë [..] Me një shprehje engjëllore, tridhjetë e tre vjeç, në moshën e Krishtit gjatë ringjalljes, duke nxjerrë në dukje zinxhirin e një ore dhe duke tundur bastunin, ai papritur u shfaq përpara delegatit si djalli në një histori të vjetër. Quo vadis, Satana… “, shkruan Kadare tek “Pesha e kryqit”. Sipas Morganit për Kadarenë mes diktatorit e shkrimtarit ka lidhje të thella. “Hoxha kishte qenë për një kohe të gjatë alter ego dhe ndëshkuesi i tij. Kadareja e përfytyron Hoxhën si një artist megaloman, vizionet e të cilit rreth Shqipërisë se re janë fantazi narcisiste. Ai ishte Zeusi për Prometeun shkrimtar, njeriu i pushtetit dhe i imagjinatës. Si krijues i Shqipërisë moderne, at i kombit dhe tiran gjakësor, ai ishte njeriu që bëri bashkimin e këtij vendi të përçarë për mijëra vjet me radhë. Ai fitoi pavarësinë dhe pastaj e sakrifikoi atë për ëndrrën e tij të kontrollit absolut. Të dyja ato do të mund të ndëerthureshin. Kadareja ishte mrekulluar nga dialektika e pushtetit dhe imagjinatës në historinë e Hoxhës dhe ndërvarja reciproke mes shkrimtarit dhe diktatorit ishte e qartë për të qysh vite me parë.

Sipas studiuesit viti 1985 solli ndryshime, pavarësisht nga përpjekjet e regjimit që pretendonte se gjithçka ishte si me parë. Në Bashkimin Sovjetik, Mikhail Gorbaçovi, si ndihmës i magjistarit, mori pushtetin si Sekretar i Përgjithshëm  duke paralajmëruar një sërë ndryshimesh për ta bërë socializmin më të hapur, me fleksibël e më efektiv. Por, duke përhapur magjinë e lirisë, ai nuk mundi ta tërhiqte më mbrapsht atë. Pas kësaj erdhën ndryshime në kushtetutë, reforma në parlament, ristrukturimi i burokracisë, çarmatimi bërthamor, afrimi me Perëndimin dhe tërheqja nga Afganistani, duke i çorientuar vendet e tjera komuniste”. Në Shqipëri atmosfera e zisë dhe kontrolli i hekurt nga Ramiz Alia e Nexhmija përpiqeshin të ruanin stabilitetin. Në fakt, Enveri kishte kryer punën e tyre me parë, duke e detyruar popullin e varfër nëpërmjet terrorit të pranonte kontrollin total dhe duke eliminuar ato figura që do të mund të krijonin destabilizim nga brenda Partisë” shkruan Morgan.

Please follow and like us: