Albspirit

Media/News/Publishing

Carl BILDT: Më shumë Europë, më pak Bruksel

Më shumë Europë, më pak Bruksel

Evropa që më frymëzon mua nuk është Evropa e luftëtarëve të vjetër; ajo është Evropa e mendimtarëve dhe tregtarëve. Janë kontributet e tyre që, gjatë shekujve, transformuan Evropën, nga moçalishtja globale që ishte bërë pas rënies së Romës, në një qendër të progresit intelektual dhe inovacionit, të cilët krijuan Perëndimin dhe ndryshuan rrjedhën e njerëzimit

Grushti i shtetit që dështoi në Turqi na kujtoi – a thua një kujtesë ishte e nevojshme – për stabilitetin dikur të pakonceptueshëm, që Bashkimi Evropian ka sjellë në Evropë. Por në qoftë se BE e pas Brexit duhet të mbijetojë, ajo do të duhet të ndryshojë mënyrën se si mendon për veten.

Deri më tani, me trishtim e them, kjo nuk po ndodh. Menjëherë pas votimit të Brexit, për shembull, gjashtë vendet themeluese të atij që dikur ishte Komuniteti Ekonomik Europian (KEE) – Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda – u mblodhën për të diskutuar se çfarë të bënin. Për habinë e askujt, 21 shtetet e tjera anëtare të BE u ndjenë të ofenduara, që u lanë jashtë.

Ky incident tregon për sfidën më të madhe që BE-ja duhet të kapërcejë, në qoftë se ajo do që të sigurojë të ardhmen e saj post-Brexit. E thënë thjeshtë, ideja e Bashkimit duhet të jehojë tek të gjithë evropianët, jo vetëm ata që ftohen në takime ekskluzive.

KEE u themelua në vitin 1957, dhe aspirata zyrtare, atëherë, siç është edhe tani për BE-në, ishte për të rikrijuar Evropën e Charlemagne, e cila kish ekzistuar më shumë se një mijë vjet më parë.

Që atëherë, udhëheqësit evropianë janë mbledhur herë pas here që nga froni lashtë i Charlemagne në Aachen, në shtetin gjerman të North Rhine-Vestphalia, për të mbajtur fjalime vizionare, duke shpallur se ka ardhur më në fund koha për të ndërtuar një Evropë vërtetë të integruar. Aacheni është kthyer në Mekë për besimtarët e vërtetë të mitit krijues të BE-së.

Ndërkohë që jam dakord se Charlemagne është një personalitet historik intrigues, unë nuk e shoh atë si veçanërisht frymëzues. Ai ishte një luftëtar mbresëlënës, por ndoshta një analfabet, dhe perandoria që ai krijoj u shemb shumë shpejt pas vdekjes së tij. Ngjitja e Europës dhe Perëndimit, sigurisht që nuk nisi me Charlemagne.

Evropa që më frymëzon mua nuk është Evropa e luftëtarëve të vjetër; ajo është Evropa e mendimtarëve dhe tregtarëve. Janë kontributet e tyre që, gjatë shekujve, transformuan Evropën, nga moçalishtja globale që ishte bërë pas rënies së Romës, në një qendër të progresit intelektual dhe inovacionit, të cilët krijuan Perëndimin dhe ndryshuan rrjedhën e njerëzimit.

Kjo është Europa e Kopernikut dhe Erazmusit, Henrit Lundërtarit dhe Isak Njutonit, dhe të gjithë pionierëve të tjerë, të cilët i hoqën prangat mendjes njerëzore, duke e çliruar nga bestytni dhe paragjykime të së kaluarës së afërt. Evropa e tyre ishte e gjerë dhe pa kufij, shumë më e madhe se Europa e Charlemagne. Traktatet e Immanuel Kant-it, se si republikat mund të arrijnë “paqe të përjetshme” janë shkruar në Königsberg, në atë që sot është një pjesë e Rusisë. Dhe qytetet e mëdha tregtare të Gdanskut, Seviljes, dhe Venecias, mbanin lidhje që shkonin shumë më përtej kufijve të BE-së së sotme.

Projekti evropian mund të rinovohet, vetëm nëse ata që e mbështesin atë i ikin vizionit të kufizuar me frymëzim prej Charlemagne, të pushojnë së folur për anëtarë të “rinj” “të vjetër” dhe të tregojnë me fjalë, si edhe me vepra, që janë të hapur për ide nga çdo pjesë e Evropës. BE-ja nuk do të funksionojë, nëqoftë se të gjitha shtetet anëtare nuk do të konsiderohen si të barabarta në përcaktimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Në vitin 2004, kur BE-ja u shtua me dhjetë anëtarë të rinj (duke përfshirë edhe tetë shtete ish-komuniste), me gjysmë shaka thashë se Bashkimi duhet ta zhvendosë selinë nga Brukseli i BE-së së “vjetër”, në një vend më qendror gjeografikisht, në BE-në “e re”, si Bratislava, kryeqyteti i Sllovakisë. Ideja prapa këtij mendimi të çuditshëm ishte për të simbolizuar braktisjen e një modeli konceptual, që e kisha parë si pengues të një Bashkimi më të hapur, më të larmishëm dhe më gjithëpërfshirës.

Zhvendosja nga Brukseli natyrisht që nuk ndodhi, por nuk ndodhi as transformimi mendor, nga ajo paradigma e vjetër e Aachenit. Për fat të keq, nuk mund të ketë dyshim se konklavat e mbajtura nga vëllazëria e Aachenit brenda flluskës së Brukselit, ofruan shumë ushqim për ata që bënë fushatë të paepur e të pamëshirshme, pro largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja. Nëse nuk kapërcehet, mentaliteti i Aachenit do të vazhdojë t’i shërbejë një qëllimi të ngjashëm për fushata nacionaliste në vendet e tjera anëtare.

Natyrisht, është një mit i rrezikshëm se Brukseli po u merr pushtet shteteve anëtare të BE. Në të vërtetë, erozioni gradual i kompetencave kombëtare në një botë gjithnjë e më të ndërvarur, ka bërë të nevojshme për shtetet anëtare që të krijojnë, me marrëveshje, zgjidhje të përbashkëta për sfidat e përbashkëta.

Zgjidhjet e përbashkëta kërkojnë përfshirje dhe një frymë bashkëpunimi. Kur liderët e 27 vendeve të mbetura të BE-së të mblidhen në Bratislavë në shtator, ata duhet të fillojnë t’ia kthejnë Evropën anëtarëve të saj – të gjithëve. BE-ja e pas Brexit duhet të jetë një Union, i cili është shumë më ngushtë i lidhur me realitetet politike të shteteve anëtare të saj.

Edhe pse një ndërtesë e re për samite të tilla po ngrihet në Bruksel, ndoshta ne duhet të realizojmë të paktën disa samite të BE-së, në pjesë të ndryshme të Evropës. Samiti i Bratislavës mund të jetë fillimi i një përpjekje të re, për të lidhur përpjekjen europiane, me të gjithë Europën.

Epoka e Aachenit ka marrë fund; ka hyrë epoka e Bratislavës. Ne kemi nevojë për më shumë Evropë – dhe më pak Bruksel. Nëse do të përqafojë këtë model të ri – dhe do i qëndrojë atij – BE-ja jo vetëm që do të mbijetojë; ajo do të lulëzojnë.

Please follow and like us: