Christoph Strack: Vjeshta e Merkelit
Rrallë ka qenë kaq i madh presioni ndaj Kancelares gjermane sa aktualisht. Por megjithatë as këtë vit pas verës nuk duhet të ndeshemi me vjeshtën e Angela Merkelit.
Për të njëmbëdhjetën herë e nisi Angela Merkel si Kancelare pas pushimeve të verës përditshmërinë e saj politike. Për ritëm të zakonshëm të jetës së përditshme nuk mund të flitet asnjëherë. Kancelarja gjermane nuk niset me termos dhe kuti me bukë në dorë për të punuar tetë orë në tryezën e punës. Por kaq pak rutinë sa këtë vit ka rrallë. Edhe kaq shumë rrezik. E megjithatë ka diçka katastrofale, kur vëzhguesit shohin perëndim perëndish tek Merkeli.
Po të shfletosh vitet që prej vitit 2006, vendin njëri-tjetrit ia lënë tituj të tillë si “detyra delikate”, “konfuzion”, “vlerat më të këqia në sondazhe që prej…” Situata krize. Mund të mos e pëlqesh mënyrën e veprimit të Merkelit, të të menduarit dhe të pritjes së zhvillimit të punëve prej saj – por në kohë alarmi, në konferencat e saj të rralla të shtypit del në pah që Kancelarja është e ndërgjegjshme për klimën e përgjithshme, por me vendosmëri përfaqëson qetësinë dhe veprimin. Megjithë dhe pas Würzburgut dhe Ansbachut.
Ndalimi i burkas dhe anulimi i nënshtetësisë së dyfishtë
Gjendja e sigurisë ka ndryshuar në Gjermani. Koalicioni i madh qeveritar përpiqet që t’i përgjigjet gjendjes me masa të shumëllojshme. Por edhe kur mbështetës të vijë së fortë të CDU-së, siç janë kryetarët e landeve përgjegjës për politikën e brendshme si ata të Mecklenburg-Forpomeranisë dhe të Berlinit kërkojnë ndalimin e burkës (çarçafit) dhe të mbulimit të plotë të grave ose eliminimin e plotë të nënshtetësisë së dyfishtë – këto nuk janë sfidat më të mëdha për Merkelin.
As integrimi i refugjatëve në tregun e punës, që ajo do ta bëjë temë qendrore në një takim me krerët e koncerneve gjermane, nuk e rrezikon pozicionin e Merkelit. Jo, nëse vjeshta 2016 do të kthehet në një vjeshtë të nxehtë politike të Merkelit, kjo mund të shkaktohet nga politika e jashtme. Dhe këtu nuk luan rol vetëm zhvillimi dramatik në Turqi.
Ministri i Jashtëm i Merkelit, Steinmeier udhëtoi pas ngjitjes në Piz Palü dhe ditëve të tjera të pushimeve në Alpe shkurt për një bisedë krize për Ukrainën dhe Sirinë në Rusi. Dhe konferenca e parë qeveritare e shtypit pas pushimeve verore të Merkelit u mor fillimisht – për 41 minuta – gati krejtësisht me tema ndërkombëtare. Edhe takimi i parë në kalendarin e saj përsa i përket politikës së jashtme ka të bëjë me një dramë të politikës së jashtme. Të enjten në darkë, Merkelin do ta vizitojë Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk. Për temën e Brexitit dhe për të ardhmen e BE. Berlini i saj është Brukseli tjetër.
Tepër shumë kriza ndërkombëtare. Kur acarohet edhe më tej konflikti i Ukrainës ose keqësohen edhe më tej marrëdhëniet me Turqinë – atëherë rritet edhe presioni ndaj Merkelit për të vepruar detyrimisht dhe për të vendosur, jo vetëm për të zhvilluar bisedime. Kjo në një kohë kur është ajo me ministrin e saj të Jashtëm që e ruan kontaktin me Moskën. Për shkak të Ukrainës dhe tani edhe për shkak të Sirisë. Po të shkallëzohet edhe më tej situata në Turqi? Sikur rrugën të mos e marrin ndoshta miliona refugjatë sirianë, por qindra mijëra kurdë nga Turqia? Në një botë, ku pozitat më të mira ndërkombëtarisht i kanë populistët, Kancelarja do të ndodhej atëherë nën presion të madh për të vepruar me shpejtësi.