Dekorohet Prishtina me flamuj në pritje të Biden
Sheshet kryesore të Prishtinës kanë nisur të dekorohen me flamuj të Kosovës dhe SHBA në pritje të Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, i cili pritet të mbërrijë në Kosovë sot pasdite.
Të mërkurën pritet t’i zhvillojë disa takime zyrtare me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa shkruan Koha Ditore.
Kjo vizitë ndërkaq, nga mediat e huaja, është cilësuar si vizitë lamtumirëse nga Zv/presidenti Biden pasi në fund të vitit në SHBA do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë Hillary Clinton nga Demokratët dhe Donald Trump nga Republikanët.
Bëhet e ditur se bashkë me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Joe Biden dhe Dr. Jill Biden, do të shkojnë për vizitë afër kampit Bondsteel për të marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden, III, në fshatin Sojevë.
Zëvendëspresidenti Biden do të vizitojë edhe Serbinë, ku pritet të diskutojë çështjen e krimeve të luftës dhe theksi do të vihet te çështja e tre shqiptaro-amerikanëve të vrarë 17 vjet më parë në Serbi, në rrethana të pasqaruara ende.
Familjarët e tre vëllezërve Bytyçi si dhe organizatat humanitare shpresojnë që vizita të nxisë autoritetet serbe që të ndërmarrin hapa konkrete për ndriçimin e kësaj vrasjeje.